Ndërlidhjet

Blloku paralajmëron bojkot, nëse zgjedhjet shihen si zgjidhje


Blloku i partive të koalicionit pas-zgjedhor LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje e përjashton opsionin e zgjedhjeve të parakohshme për dalje nga ngërçi politik në Kosovë.

Ky koalicion paralajmëron se do të bojkotonte një proces të ri zgjedhor, duke pretenduar se si shumicë parlamentare duhet t'i jepet mundësia që ti formojë dhe udhëheqë institucionet e reja.

Avni Arifi, këshilltari i parë politik i liderit të AAK-së, Ramush Haradinaj, i kandiduar për postin e kryeministrit nga koalicioni i gjerë i ka thënë Radios Evropa e Lirë se zgjedhjet nuk janë zgjidhje përderisa blloku pas zgjedhor e ka shumicën në Kuvend.

"Nuk ka zgjidhje te zgjedhjet. Zgjidhja është te 120 deputetët në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Në parim ekziston një gatishmëri te të gjitha subjektet e koalicionit (LAN) që zgjedhjet të bojkotohen. Natyrisht që ky është vendim që duhet të kalojë edhe nëpër strukturat partiake. Por, këto bojkotohen sepse nuk ka rrugë kushtetuese që e qon Kosovën në zgjedhje", ka thënë Arifi.

Një koordinim me LDK-në, AAK-në dhe partinë Nisma për opsionin e zgjedhjeve e ka edhe partneri i ri në këtë koalicion, Vetëvendosje.

Dardan Molliqaj nga ky subjekt politik ka thënë se në asnjë moment, zgjedhjet nuk janë paraparë si opsion.

"Zgjedhjet nuk mund të thirren pa dy të tretat e deputetëve e as pa marrëveshje politike në mes presidentes me subjekte politike. Në këtë rast koalicioni jonë me bllokun është shumica e Kuvendit dhe ne jemi përcaktuar për zgjidhje nëpërmjet formimit të institucioneve e jo për zgjedhje", ka theksuar Molliqaj.

Kriza rreth formimit të institucioneve të reja është thelluar tek posti i kryetarit të Kuvendit.

Gjykata Kushtetuese në aktgjykimin e saj me të cilin e kishte zhvleftësuar zgjedhjen e Isa Mustafës në këtë post më 17 korrik, e ka përcaktuar se kandidati për kryetar të Kuvendit duhet të vij nga grupi më i madh parlamentar.

Sipas këtij interpretimi, kandidimin për kryetarin e Kuvendit duhet ta bëj Partia Demokratike e Kosovës.

Mirëpo, më 18 shtator, PDK dhe kandidati i saj morën vetëm 44 nga 61 sa është minimumi i votave në Kuvend për të marrë postin e kryekuvendarit.

Tani, kryesuesja e Kuvendit, Flora Brovina ka thirrur seancën e radhës për datën 2 tetor.

Por, në mungesë të një marrëveshjeje ndërmjet dy blloqeve, PDK-së në njërën anë dhe koalicionit pas zgjedhor në anën tjetër, pritjet janë që seanca mund të jetë sërish reprizë e dy mbledhjeve paraprake që nuk kishin sjellë ndonjë rezultat.

Sekretari i Përgjithshëm i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ismet Beqiri ka thënë për Radion Evropa e Lirë se koalicioni pas zgjedhor duhet të fitoj të drejtën e kandidimit për postin e kryetarit të Kuvendit.

Sidoqoftë, ai nuk ka folur për mënyrën se si mund të bëhet ky kandidim, pasi që kryesuesja e Kuvendit ka deklaruar tashmë se duke u bazuar në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese do të merr parasysh vetëm kandidaturat e PDK-së si grupi më i madh parlamentar.

"Ne e kemi shumicën parlamentare dhe ne jemi ata që do të duhej ta zgjedhim kryetarin e Kuvendit. Jemi të bindur që e drejta dhe vota është në anën tonë. Është e habitshme se si sot PDK dhe subjektet që janë bashkë me të flasin sot për besimin e qytetarëve që e paskan marrë. Por shtrohet pyetja, ne besimin e kujt e kem?- Edhe ne e kemi besimin e qytetarëve dhe jemi 63 deputetë", ka theksuar Beqiri.

Për seancën e paralajmëruar të 2 tetorit dhe opsioneve për daljen nga kriza, sot nuk janë deklaruar në Partinë Demokratike të Kosovës.

Edhe pse të kontaktuar të flasin për këtë temë, zyrtarë të PDK-së kanë preferuar të mos flasin.

Konstituimi i Kuvendit ka filluar nga data 17 korrik, por nuk është përmbyllur pasi që nuk po mund të zgjidhet kryetari i këtij institucioni. Pa zgjedhjen e tij, nuk do të mund të bëhet hapi tjetër, ai i formimit të qeverisë.

Duke i pasur parasysh pozicionet e dyja blloqeve, opinionistët nuk e kanë përjashtuar mundësinë që edhe faktori ndërkombëtar dhe presidentja Atifete Jahjaga të përfshihen në lehtësimin e një dialogu mes dyja blloqeve me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të pranueshme.

XS
SM
MD
LG