Ndërlidhjet

Rashiti: Barrikadimi i pozicioneve dërgon në zgjedhje


Naim Rashiti

Naim Rashiti

Në intervistën për Radion Evropa e Lirë, Naim Rashiti, analist nga Grupi i Ballkanit për Politika tha se partitë politike në Kosovë "deklarimet që i bëjnë ad-hok se janë të gatshëm për zgjedhje janë vetëm gënjeshtra, nuk janë të vërteta, sepse nuk i duan zgjedhjet".

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Rashiti, edhe pothuajse 4 muaj pas zgjedhjeve të parlamentare, kriza institucionale në të cilën ka hyrë Kosova nuk është zgjidhur ende. Si e shihni ju ketë ngërç politik?

NAIM RASHITI: E para, kanë kaluar 4 muaj, por ende nuk dimë dhe nuk ka shenja se kriza institucionale do të zgjidhet, ende nuk ka shenja se do të kemi një proces marrëveshjeje dhe një procedurë për formimin e institucioneve të reja. Kjo është më e keqja në ketë fazë. Duket se pas dy vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, palët kanë fortifikuar pozicionet e tyre dhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese nuk kanë pasur asnjë efekt të ofrimit të palëve të PDK-së në një anë dhe bllokut në anën tjetër.

RADIO EVROPA E LIRË
Cilat janë mundësitë e daljes nga kriza sipas jush?

NAIM RASHITI: Sipas kësaj Kushtetute që e kemi dhe interpretimit të shumicës së gjykatësve të Gjykatës Kushtetuese dhe e cila jo se i ka kënaqur të gjitha palët dhe siç duket ka disa mangësi të theksuara. Duket qartë që PDK-ja është në avantazh juridik ligjor sa i përket formimit të institucioneve, po de fakto ka mungesë të numrave. Pra PDK-ja ka një avantazh ligjor – de jure ka të drejtën dhe de- fakto nuk ka mundësinë.

Ndërsa, blloku në marrëveshje me Vetëvendosjen ka krijuar një situatë ku de- fakto ka arritur të krijojë një shumicë parlamentare por de- jure ka pengesa serioze drejt rrugëtimit të saj. Edhe njëherë kjo Kushtetutë si dhe interpretimi i shumicës se Gjykatës Kushtetuese, për të cilën faktori ndërkombëtar dhe të gjithë janë të interesuar të shohin respektimin e saj në përpikëri.

Megjithatë, në kuadër të këtyre rrethanave ka hapësirë shumë për koncesus, për marrëveshje dhe për krijimin e institucioneve. E para do të duhej që Kuvendi i Kosovës ose zgjedhja e organeve të Kuvendit të jetë e ndarë nga formimi i qeverisë, sepse këtu kemi një situatë të komplikuar ku dy blloqet si PDK-ja dhe LAN-i në veçanti frikësohen se përmes votimi sipas procedurë së kryetarit të Kuvendit krijohet avantazh anës tjetër për marrjen e qeverisë.

Pra bëhet një betejë shumë e ashpër agresive ku në çdo rrethanë duhet penguar palën tjetër për t'i siguruar numrat apo pozicioni për formimin e qeverisë.

Unë mendoj që palët duhet të arrijnë që të zgjedhin një kandidat konsensual për kryetar kuvendi, ashtu që të hapet rruga për formimin e qeverisë, e cila sipas formulës së përcaktuar në përgjigjet e gjykatës ndaj pyetjeve të presidentes përcakton formulën e mundshme për mandatimin e se si do të mandatohet kandidati për kryeministër. Nuk mund të flitet në këtë fazë për kandidat koncensual për kryeministër siç ishte neper media nëse nuk ka marrëveshje ndërmjet të gjitha palëve.

RADIO EVROPA E LIRË
Sa ka hapësirë për kompromis ndërmjet palëve?

NAIM RASHITI: Ka hapësirë shumë dhe vetë palët kanë krijuar përshtypjen që nuk ka hapësirë, sepse hapësirë ka shumë. Vetëm një gjë nuk ka hapësirë, që emrat e veçantë përkrahur nga njëra apo tjetra palë për t'u zgjedhur kryetar kuvendi. Nëse, duan t’i zgjedhin organet atëherë ka hapësirë. Mungesë hapësire ose barrikadim pozicionesh do të çojnë vendin drejt zgjedhjeve të cilën gjë asnjëra palë nuk e dëshiron.

Aspak nuk e dëshirojnë dhe deklarimet ad-hok të partive se janë të gatshëm për zgjedhje janë vetëm gënjeshtra, nuk janë të vërteta, sepse nuk i duan zgjedhjet. Pra, meqë nuk i duan zgjedhjet gjithmonë ka hapësirë për një marrëveshje e cila mundëson krijimin e organeve të kuvendit. Mos të harrojmë, deputetët në ketë fazë nuk janë deputetë legjislativ, janë vetëm deputetë përfaqësues pa mandat dhe presidentja mund t’i çojë në zgjedhje pa i pyetur fare.

RADIO EVROPA E LIRË
Cili është çmimi që Kosova po ia paguan këtij ngërçi?

NAIM RASHITI: Varet se sa larg do të shkojë ky proces, edhe siç e thash nuk kemi shenja fare se do të zgjidhet situata shpejt. Çmimi më i madh që mund të jetë, besoj që është dialogu. Nëse institucionet nuk krijohen, dialogu politik do të jetë kriter i BE-së. Vazhdimi i dialogut të liberalizimit të vizave është shtyrë së paku për një vit.

Gjithë skema e subvencioneve, ai infuzioni ekonomik stagnon. Të gjitha projektet e shtetit stagnojnë. Dhe polarizimi politik në një shkallen çfarë ndodh, pavarësisht se cila palë do të krijojë qeverinë nëse nuk ka marrëveshje do të jetë e kontestuar ligjërisht dhe politikisht.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG