Ndërlidhjet

logo-print

Situatë “e rrezikshme” në Kobani

  • RFE /RL

Militantët e Shtetit Islamik afër Kobanit

Militantët e Shtetit Islamik afër Kobanit

Situata në Kobani të Sirisë mbetet e rrezikshme, ka thënë Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Chuck Hagel. Militantët e Shtetit Islamik kanë bërë avancime të mëdha në këtë qytet, pavarësisht rezistencës së banorëve kurdë.

Hagel ka thënë se sulmet ajrore, të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara, kanë shënuar përparim kundrejt militantëve, porse ata ende kontrollojnë zonat në periferi të qytetit.

“Është një situatë në të cilën Shteti Islamik kërcënon Kobanin. E dimë se Shteti Islamik ka pushtuar disa pjesë periferike të tij. Është situatë e rrezikshme dhe ne e dimë këtë. Jemi duke bërë gjithçka të mundur përmes sulmeve ajrore, për të ndihmuar në zmbrapsjen e Shtetit Islamik”, ka thënë Hagel gjatë një vizite në Kili.

Ai ka paralajmëruar se lufta kundër grupit xhihadist do të marrë kohë të gjatë.

“Përpjekjet për të degraduar dhe në fund shkatërruar Shtetin Islamik do të jenë përpjekje afatgjata. Është e vështirë, e komplikuar… Do të duhen shumë faktorë, partnerë të koalicionit ajror, një qeveri e fortë dhe e qëndrueshme e Irakut dhe forca të fuqishme të opozitës në Siri”, ka thënë Hagel.

Së paku 553 njerëz thuhet se janë vrarë gjatë një muaji luftime për kontrollin e Kobanit. Mbrojtësit kurdë të qytetit thonë se janë të paarmatosur në terren.

Luftëtarët pa armë nuk mund të bëjnë ndonjë ndryshim të madh”, ka thënë për agjencinë Reuters, Idris Nassan, zyrtar kurd.

Turqia, në kufi të së cilës ndodhet Kobani, ka përjashtuar çdo ndërhyrje të njëanshme ushtarake.

Sekretari Hagel ka thënë se Shtetet e Bashkuara dhe Turqia janë pajtuar në masë të madhe për planet që Turqia të trajnojë rebelët e moderuar sirianë dhe të sigurojë për ta pajisjet e nevojshme për luftë kundër militantëve të Shtetit Islamik.

“Do të kemi ekipet nga Komanda Evropiane dhe Komanda Qendrore në Turqi, javën e ardhshme”, ka thënë Hagel, duke paralajmëruar vazhdimin e bisedimeve me zyrtarët turq.

Rreth 200,000 refugjatë kurdë nga Kobani kanë arritur në Turqi gjatë muajit të fundit.

Sipas Pentagonit, sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara kundër caqeve të militantëve të Shtetit Islamik në Kobani, qysh të premten, kanë dëmtuar një objekt të tyre të komandës dhe kontrollit, kanë goditur dy njësite të vogla të luftëtarëve dhe kanë shkatërruar tre kamionë të tyre. (v.tela)

XS
SM
MD
LG