Ndërlidhjet

Presidentja Jahjaga, njofton senatorin amerikan për problemet e vendit


Senatori amerikan Chris Murphy dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në Prishtinë

Senatori amerikan Chris Murphy dhe Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga në Prishtinë

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, ka pritur të premtën në takim anëtarin e komitetit për marrëdhënie të jashtme të Senatit të SHBA-së, senatorin e Connecticut, Chris Murphy, me të cilin bisedoi për zhvillimet aktuale në Kosovë dhe proceset nëpër të cilat po kalon vendi.

Në një deklaratë lëshuar në orët e mbrëmjes nga Presidenca e Kosovës, thuhet se Jahjaga e ka njoftuar senatorin Murphy për zhvillimet aktuale, me theks të posaçëm për nyjën institucionale, duke theksuar se Kosova ka mbajtur zgjedhje të mira, të lira, demokratike e gjithëpërfshirëse.

“Ajo tha se Kosova ka treguar deri tani pjekuri politike dhe respektim të kuadrit kushtetues por tha se ky impas i krijuar institucional tani po i dëmton interesat e Kosovës edhe brenda edhe në skenën ndërkombëtare. Presidentja Jahjaga tha se në rolin e lehtësuesit të diskutimeve me liderët e partive politike parlamentare ka filluar takimet me liderët për të gjetur zgjidhjen për institucionet e qëndrueshme, dhe se ua ka bërë me dije pozitën në të cilën sot ndodhet Kosova dhe gjithsesi edhe obligimet që ka vendi”, thuhet në deklaratën e Presidencës.

Jahjaga ka folur edhe për bisedimet me Serbinë, për çka ka thënë se Republika e Kosovës është e përkushtuar që t’i vazhdojë ato.

Ndryshe, në këtë deklaratë paraqiten vetëm qëndrimet e Presidentës Jahjaga dhe jo edhe të Senatorit Murphy.

XS
SM
MD
LG