Ndërlidhjet

logo-print

Maqedoni: Gjobat në komunikacion, nxisin reagime


Ilustrim

Ilustrim

Gjobat e larta për shkeljen e rregullave në komunikacion që pritet së shpejti të miratohen nga Kuvendi i Maqedonisë, kanë nxitur reagime të shumta në opinion.

Në fakt, ndryshimet në ligjin për siguri në komunikacion parashohin dënime rigoroze për shoferët në rast të mos respektimit të rregullave, si heqja e së drejtës për vozitje deri në 1 vjet, dënime për tejkalimin e shpejtësisë së lejuar deri në 500 euro, pastaj 400 euro për vozitje në gjendje të dehur, gjoba prej 45 dhe 50 euro për rripin e sigurisë, aq sa edhe për biseda telefonike gjatë vozitjes.

Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme, këto masa kanë për qëllim “ngritjen e vetëdijes për respektimin e rregullave nga ana e pjesëmarrësve në komunikacion”.

Njohësit e çështjeve ekonomike vlerësojnë se masat e fundit të propozuara nga Ministria e Punëve të Brendshme më shumë kanë të bëjnë me mbushjen e buxhetit të shtetit, se sa me rritjen e sigurisë në komunikacion.

Nikolla Dimovski ekonomist, thotë se gjobat nuk mund të japin efektin e duhur, por informimi sa më i madh i popullatës me pasojat nga aksidentet.

“Nuk besoj se do të ketë efekt, pasi në parim dënimet rrallë që mund të japin efekte pozitive. Konsideroj se efekt më të mirë mund të kishin këshillat apo informimi i mirë i pjesëmarrësve në komunikacion. Mendoj se në rastin konkret më shumë kemi të bëjnë me mbledhje të ardhurave se sa për rritjen e sigurisë në komunikacion”, thotë Dimovski.

Bilall Kasami, profesor i ekonomisë në universitetin ballkanik të Shkupit, thotë se dimensioni fiskal i gjobave duhet të ketë efektin sekondar dhe jo atë primar, por fatkeqësisht sipas tij në Maqedoni aspekti financiar është prioritet i institucioneve dhe jo edukimi apo vendosja e rregullit në komunikacion.

“Në këto 3-4 vitet e fundit në vazhdimësi rritet efekti i gjobave në buxhetin e shtetit. Vitin e ardhshëm parashihet që në buxhet vetëm nga gjobat të hyjnë rreth 40 milion euro. Prandaj, konsideroj se në zbatimin e këtij ligji që pritet të miratohet, dominon koncepti fiskal për mbushjen e buxhetit mbi aspektin e rregullimit apo edukimit të qytetarëve”, ka thënë Kasami duke ngritur si problem edhe lartësinë e gjobave që sipas tij nuk korrespondojnë aspak me të ardhurat e qytetarëve.

“Gjobat nuk korrespondojnë aspak me nivelin e standardit jetësor, nuk korrespondojnë aspak me rrogën mesatare në Maqedoni. Mendoj se gjobat realisht duhet të jenë jo më shumë se 20 për qind e nivelit të gjobave që janë aktualisht”, ka shtuar ai.

Por, ka edhe të atillë që i mbështesin masat me arsyetimin se vetëm përmes gjobave shoferët do të detyrohen të respektojnë rregullat.

“Po, mendoj se ligj i ri do të jep rezultate, gjobat janë vendosur për të mos bërë shkelje të cilat janë evidente dhe madje po marrin përmasa shqetësuese”, ka thënë Marjan Angelov, student.

Ndryshimet e ligjit për sigurinë në komunikacion i ka mbrojtur edhe vet kryeministri, Nikolla Gruevski duke komentuar reagimet e shumta në opinion lidhur me lartësinë e tyre.

“Edhe pse jam kryeministër, unë si njeri, si njëri nga ju, ashtu edhe si të tjerët ndjehem keq kur dëgjoj për fatkeqësitë, për jetët e humbura. Unë çdoherë e mbaj rripin e sigurisë në makinë edhe kur ulem para, por edhe prapa. Ju lus që këtë ta bëni edhe ju”, ka deklaruar kryeministri Gruevski duke iu referuar shifrave për 109 të vdekur në aksidente komunikacioni në 9 muaj e parë të këtij viti.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme të Maqedonisë, numri i të lënduarve në komunikacion është në disa mijëra, disa prej të cilëve kanë mbetur me pasoja.

XS
SM
MD
LG