Ndërlidhjet

Punimet në autostradë, me intensitet të shtuar


Autostrada "Arbën Xhaferi"

Autostrada "Arbën Xhaferi"

Punimet në autostradën Prishtinë- Shkup janë duke u realizuar sipas planifikimeve të parapara në kontratë dhe besohet se projekti do të përfundoj në afatin e caktuar. Kështu thonë përfaqësues të konsorciumit turko- amerikan Bechtel- Enka, kompani fituese për ndërtimin e kësaj rruge.

Këto punime në ndërtimin e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit, të quajtur “Arbën Xhaferi”, kanë filluar në korrik të këtij viti, kurse pritet të përfundojnë për 42 muaj.

Ela Ruqi, zëdhënëse e kompaninë Bechtel - Enka, ka thënë se aktualisht është duke punuar në nyjën ndërlidhëse të kësaj autostrade më autostradën “ Ibrahim Rugova” .

Ruqi, ndërkaq thotë se ndërtimet janë duke u realizuar më intensitet të shtuar, por që kushtet atmosferike mund të ndikojnë në këtë fushë, por të gjitha këto, sipas saj, janë parashikuar dhe do të realizohen në mënyrë të tillë që mos të kenë efekte negative në punë.

“Do te kemi parasysh se ndërtimi është një industri e cila do të ndikohet shumë nga kushtet atmosferike ne po bëjmë maksimumin që deri në momentin që ngricat e dimrit të kenë ardhur ne te kemi kapur atë plan që në jep mundësinë që të kryhen disa elemente të ndërtimit të cilat nuk ndikohen nga temperaturat e ulëta “, thekson Ruqi për radion Evropa e Lirë.

Në anën tjetër ekspertë të kësaj fushe, konsiderojnë se autoritetet kompetente dhe kompania fituese nuk kanë qenë shumë transparente në dhënien e informatave se nga cila pjesë do të ndërtohet autostrada.

Eksperti i ndërtimtarisë, Selman Buqolli, pohon se ky projekt nuk është i qartë.

“Nuk kam mundur të vijë deri tek shënimet, nuk e dimë trasenë e rrugës, nuk e dimë përshkrimin e punës. Nuk kemi informacione se çfarë terreni është. Ne mund të themi se terreni është i mirë deri në komunën e Kaçanikut, por mandej është më ndryshme shumë”, ka shtuar Buqolli.

Autostrada Prishtinë - Hani i Elezit, sipas projektit të prezantuar në vitin 2010, thuhet se do të ndërtohet në një trase tërësisht të re, më gjatësi prej 55 kilometrash, do të ketë dy tunele, ndërsa më i gjati do të jetë ai i Kaçanikut prej 2.2 kilometrash.

Sidoqoftë, Buqolli konsideron se cilësia e ndërtimit të autostradës mund të jetë në nivel të duhur, pasi punë-kryesi aktual ka ndërtuar edhe autostradën Prishtinë- Merdarë.

“Tek pjesa tjetër, unë pres që puna të jetë edhe më e mirë. Duke marrë parasyshw se punëtorët që punojnë aty, është faktorë mjaft më rëndësi, janë kosovarë dhe janë profesionalizuar në ndërtime të tilla specifike kështu që unë pres edhe një kualitet më të mirë”, ka theksuar Buqolli.

Kostoja e autostradës Prishtinë – Hani i Elezit që lidhë Kosovën me Maqedoninë, llogaritet të jetë rreth 600 milion euro.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG