Ndërlidhjet

PDK dhe LVAN sërish nga pika fillestare


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Dy blloqet më të mëdha politike në Kuvendin e Kosovës vazhdojnë të mbrojnë pozicionet e tyre me pretendimet për udhëheqjen dhe formimin e institucioneve të reja.

Përderisa Partia Demokratike e Kosovës thirret në fitoren e saj në zgjedhje dhe i paralajmëron partitë tjera se kriza nuk do të tejkalohet pa përfshirjen e saj në qeveri, në anën tjetër blloku i partive Lidhja Demokratike e Kosovës, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Nisma dhe Vetëvendosje pretendimin për formimin dhe udhëheqjen e institucioneve e bazojnë në shumicën e krijuar parlamentare si koalicion.

Lideri i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, kanë zhvilluar një takim në kohën kur është folur shumë për një rotacion mes tyre në lidhje me postin e pretenduar të kryeministrit.

Mirëpo, Isa Mustafa ka thënë me këtë rast se ridizajnimi i marrëveshjes së 10 qershorit ndërmjet LDK-së, AAK-së dhe partisë Nisma, sipas të cilës LDK merrte postin e kryetarit të Kuvendit, kurse AAK atë të kryeministrit, nuk ishte projekt i këtij koalicioni, por i mediave.

"Këto janë tema të cilat janë hapur në media, por nuk janë tema të cilat ne i kemi diskutuar. Ne po diskutojmë se si t'i ndërtojmë institucionet e vendit, si të shkojmë përpara dhe si të arrijmë cakun që ne të kemi qeverinë e Republikës së Kosovës", ka thënë Mustafa.

Mustafa megjithatë nuk e ka bërë të qartë para mediave nëse ai do të pranonte që në pamundësi të marrjes së postit të kryetarit të Kuvendit, i cili sipas Gjykatës Kushtetuese po interpretohet se i takon PDK-së, do të pajtohej që lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, të mbetet i kandiduari i bllokut për kryeministër.

Duke u ndërlidhur me rotacionet, Ramush Haradinaj ka thënë se një i tillë duhet të ndodhë, por ky rotacion, sipas tij, nënkupton që PDK të kaloj në opozitë, kurse blloku pas zgjedhor të merr nën drejtim qeverinë e ardhshme.

"Ndryshimi është një rotacion që e parasheh demokracia, pra shumica parlamentare, LDK, AAK, Nisma dhe Vetëvendosje po punojmë së bashku që të ndihmojmë dhe të ndodhë ky ndryshim, pra rotacioni", ka deklaruar Haradinaj.

Pretendimet e liderëve të koalicionit pas zgjedhor që të marrin nën drejtim qeverinë e re, për kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës dhe kryeministrin në largim, Hashim Thaçi, janë një kthim në krizën që po zgjat tash e pesë muaj.

Ai ka bërë me dije se kriza dhe ngërçi politik nuk do të tejkalohen pa Partinë Demokratike të Kosovës, si fituese e zgjedhjeve, kështu që i ka ftuar partitë tjera të ulen dhe bisedojnë nën ndërmjetësimin e presidentes Atifete Jahjaga, deri në gjetjen e një zgjidhje kushtetuese.

"As ridizajnim e as tejkalim të ngërçit nuk mund të ketë pa angazhimin dhe pa komunikimin e drejtpërdrejtë me partinë fituese të zgjedhjeve të 8 qershorit (PDK), ky është verdikti qytetar dhe janë edhe vendimet e Gjykatës Kushtetuese", ka theksuar Thaçi.

Dita e sotme dhe kjo javë në përgjithësi, ishte paralajmëruar si vendimtare për liderët dhe partitë politike që të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës. Në rast të dështimit, atëherë presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, i ka paralajmëruar partitë politike se mund të përballen edhe me sfidën e organizimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG