Ndërlidhjet

Obama flet për “fazë të re” të fushatës anti-IS


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, ka thënë se vendimi i tij për të dyfishuar numrin e këshilltarëve ushtarakë amerikanë në Irak, paraqet një fazë të re të fushatës kundër militantëve të Shtetit Islamik (IS) dhe “nuk është një tregues se strategjia e tij në rajon ka dështuar”.

Obama, në një intervistë për CBS, ka thënë se faza e parë ka përfshirë formimin e Qeverisë irakiane, e cila është gjithëpërfshirëse dhe e besueshme.

Ai ka thënë se dërgimi i 1,500 trupave shtesë në Irak po ashtu tregon zhvendosjen nga një strategji mbrojtëse në një ofensive.

Vendimi për këtë është bërë publik të premten.

“Sulmet ajrore kanë qenë shumë efektive në degradimin e aftësive të Shtetit Islamik dhe në ngadalësimin e avancimit të tij. Ajo çfarë na duhet tani, janë trupat tokësore, trupa irakiane tokësore, që mund t’i zmbrapsin ata (militantët)”, ka thënë Obama.

Vendimi për të dërguar më shumë trupa amerikane në Irak vjen pesë muaj pasi Shteti Islamik ka marrë nën kontroll një pjesë të madhe të territoreve në veri të Irakut.

Grupi militant ka pushtuar territore edhe në Siri, ku Shtetet e Bashkuara janë duke udhëhequr sulmet ajrore kundër caqeve militante.

Vendimi i Obamës për të tërhequr trupat amerikane nga Iraku më 2012 është krtikuar fuqishëm nga disa Republikanë, të cilët kanë thënë se ky veprim do ta lërë vendin në grindje dhe kaos.

XS
SM
MD
LG