Ndërlidhjet

Kosova, vend jo-atraktiv për tërheqjen e investimeve të huaja


Kosovë

Kosovë

Investitorët potencial ndërkombëtar nuk po e shohin Kosovën si një vend ku do të mund ta investonin kapitalin e tyre, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve dhe ekspertë të çështjeve ekonomike.

Në fillim të këtij muaji, Kosovën e kishin vizituar investitorë potencial ndërkombëtarë nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Në kohën sa ata kishin qëndruar, ishin interesuar për ambientin afarist që ka Kosova, por ata kishin reaguar kur kanë parë që në Kosovë nuk ka furnizim të rregullt me energji elektrike.

Drejtori Ekzekutiv i Qendrës Strategjike dhe Sociale, Ibrahim Rexhepi, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tregon se një investitorë i huaj në rast se do të investonte në Kosovë fillimisht do të përballet me probleme të furnizimit të rregullt me energji elektrike, i cili është element kyç për zhvillimin dhe stabilitetin e një biznesi.

“Çka më bëri përshtypje është një reagim i investitorëve potencial të Emirateve të Bashkuara Arabe, ndoshta pak me ironi por që është realitet, atyre iu kishte bërë përshtypje kur një natë gjysma e Kosovës ishte në terr. Kjo iu ka treguar atyre se problemi i parë që do të ballafaqohen në rast se investojnë në Kosovë është energjetika, e mos flasim edhe për problemet tjera”, vlerëson Rexhepi.

Edhe kryetari i shoqatës për energji të ripërtërishme Hamdi Malushaj, mendon se është mungesa e furnizimit të rregullt me energji elektrike ajo e cila po bën investitorët të ikin nga Kosova.

“Energjia është bërë shkaktar i dështimit edhe të investimeve. Energjia është bërë edhe pikë e dobët e investitorëve të huaj të cilët kanë ikur nga vendi, jo që kanë ardhur”, vlerëson Malushaj.

Kosova krahasuar me vendet e rajonit ende nuk ka arritur të krijojë politika të mira ekonomike, të cilat do të mund të tërhiqnin investitorët ndërkombëtarë.

Vendet e rajonit, në veçanti Maqedonia thekson eksperti i ekonomisë Ibrahim Rexhepi, ka bërë avancime të mëdha në tërheqjen e investitorëve.

“Në formë ligjore ata kanë rregulluar edhe çështjen e subvencionimit të investitorëve, qoftë tek vendet e punës, qoftë të eksportit, pushimet fiskale, dhënin në shfrytëzim e tokës pa kompensime, që realisht janë oferta më atraktive sesa në Kosovë ku në fakt nuk ka kurrfarë lehtësira për investitorët”, thekson ai.

Viteve të fundit,Kosova nuk qëndron mirë sa i përket investimeve të huaja direkte. Që nga viti 2008, këto investime kanë shënuar rënie të vazhdueshme. Vitin e kaluar, sipas raportit të fundit të Bankës Qendrore të Kosovës, investimet e huaja kanë qenë 258.9 milionë euro.

Sektorët në të cilët ka pasur më së shumti investime janë: patundshmëria, shërbimet financiare, dhe ndërtim.

Sipas drejtorit ekzekutiv të Institutit “Riinvest”, Lumir Abdixhiku Kosova nuk është treguar se është një vend atraktiv për investitorët e huaj. Barrierat në të bërin biznes në Kosovë tregojnë qartë se pse në Kosovë ka mungesë të investimeve ndërkombëtare.

“Investimet e huaja në vend prej një rekordi prej mbi 440 milion euro në vitin 2007 kanë shënuar rënie të vazhdueshme nëpër vite për të ardhur në rreth 250 milion euro në këtë vit. Përgjatë viteve të fundit Kosova nuk ka arritur asnjëherë të shndërrohet në vend atraktiv për investime të jashtme”, ja thënë Abdixhiku.

Hulumtimi i fundit i Institutit “Riinvest” ka identifikuar 23 barriera në të bërit biznes. Këtyre barrierave iu prin kostoja e lartë e financimit të bizneseve, niveli i lartë i korrupsionit, mungesa e përkrahjes shtetërore si dhe konkurrenca jo fer, e shkaktuar nga evazioni fiskal dhe informaliteti.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG