Ndërlidhjet

Kosova, vend transit i substancave narkotike


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Në muajt e fundit, Policia e Kosovës ka konfiskuar sasi të madhe të substancave narkotike.

Autoritetet e rendit thonë se kanë konfiskuar lloje të ndryshme të drogave duke përfshirë marihuanë, kokainë, heroinë e të tjera.

Megjithatë, zyrtarët e policisë dhe ata të prokurorive thonë se Kosova vazhdon të jetë një vend transit dhe jo destinacion i drogës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani tha për Radion Evropa e Lirë, se prej fillimit të këtij viti deri më tash, janë konfiskuar rreth 719 kilogramë substancë narkotike e llojit mairhuanë dhe 21 kilogram kokainë dhe lloje të tjera.

“Sa i takon personave të dyshuar dhe të arrestuar nga ana e Policisë së Kosovës për këtë periudhë kohore, mund të them se janë evidentuar 747 persona të dyshuar, ku prej tyre janë arrestuar 598”, tha Kelani.

Qeveria e Kosovës ka të miratuar strategji për periudhën kohore 2012-2017, në kuadër të drogave, luftimit të krimit të organizuar, terrorizmit, si dhe ruajtjes dhe kontrollit të kufirit shtetëror.

Zyrtarët e Qeverisë sëKosovës,përmes kësaj strategjie, synojnë të reduktojnë veç tjerash përdorimin e drogave dhe dëmet që sjell me vete kjo dukuri.

Prokurori dhe koordinatori nacional për luftimin e substancave narkotike Blerim Isufaj, tha për Radion Evropa e Lirë se prokurorët për luftimin e kësaj dukurie në bashkëpunim edhe me autoritetet tjera kompetente janë duke bërë ndjekjen e disa rasteve që sipas tij kanë edhe karakter ndërkombëtar.

“Me përgjegjësi ju them se Kosova është vend transit. Ne aktualisht jemi duke hetuar edhe raste që janë shumë serioze, janë të mëdha për të cila nuk mund të japim informacione më tepër për momentin, por që ndërlidhën edhe me hetime që janë të implikuar edhe shtete të tjera”, u shpreh Isufaj.

Edhe zëdhënësi i policisë Baki Kelani, thotë se Kosova është një vend transitpër substanca narkotike, por ai nuk ka përjashtuar mundësinë që një pjesë e asaj droge të mbetet në Kosovë.

“Ndoshta njëra prej sfidave ka qenë edhe bashkëpunimi më i gjerë, duke thënë bashkëpunimi rajonal dhe tutje. Mirëpo, po them që viteve të fundit kemi arrit që të kemi suksese dhe rezultate pozitive edhe në raste të cila janë realizuar në Kosovë dhe me gjerë”, tha Kelani.

Në disa raporte ndërkombëtare është thënë se Kosovës përballet me sfidën e luftimit të trafikimit të narkotikëve, për shkak të zonave të pakontrolluara kufitare dhe korrupsionit të mundshëm.

Në raportet e Doganave të Kosovës, thuhet se ekzistojnë dyshime se narkotikët bartën dhe kalojnë nga Kosova me kamionë, autobusë dhe makina private.

Kosova ende nuk është anëtare e OKB-së, dhe rrjedhimisht është e kufizuar në nënshkrimin e marrëveshjeve me disa shtete në mënyre që të ketë një luftë me të ashpër në trafikimin e narkotikëve.

Kosova bashkëpunon dhe shkëmben informacione me shtete fqinjë përmes takimeve joformale bilaterale dhe multilaterale.

Sipas zyrtareve të Policisë se Kosovës një nga sfida në ketë drejtim është edhe mos anëtarësimi në organizatat si Interpol, Eurpol etj.

  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG