Ndërlidhjet

Sa shumë ngjajnë Putin dhe Erdogan…


 Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan
Vladimir Putin dhe Recep Tayyip Erdogan

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, qëndron të hënën në Ankara. Ai dhe homologu i tij turk, Recep Tayyip Erdogan, janë të ndarë në një numër të çështjeve të politikës së jashtme – më së shumti për Sirinë, ku Putin qëndron praktikisht i vetëm në mbrojtjen e presidentit Bashar al-Assad, dhe për Ukrainën, ku Erdogan ka shprehur shqetësim për fatin e tatarëve në Krime, rajonin ukrainas të aneksuar nga Rusia.

Lënë mënjanë mosmarrëveshjet e tilla, ata kanë më shumë ngjashmëri, sesa dallime.

Të dy janë rritur të varfër dhe janë marrë me sporte.

Putin është rritur në një apartament komunal në Shën Petersburgun e pasluftës, që në atë kohë është quajtur Leningrad. Si i ri i zhurmshëm, ai ka luajtur samba, ka bërë xhudo dhe ka fituar rripin e zi. Po ashtu ka publikuar një video me mësime, të quajtur: “Le të mësojmë xhudo me Vladimir Putinin”.

Erdogan, në anën tjetër, është rritur në një lagje modeste të Stambollit, Kasimpasha, ku ka shitur limunadë dhe susam. Thuhet se ende shkon te një berber lokal për të prerë flokët. Ai ka kaluar 13 vjet si futbollist gjysmëprofesional për Kasimpashën.

Të dy kanë sheshuar karrierën politike me retorikën e “kombit të madh” dhe duke nënçmuar Perëndimin.

Erdogan dhe Putin kanë përmirësuar kushtetutat e vendeve të tyre për të zgjatur jetën politike. Herë si kryeministra, herë si presidentë, ata kanë rregulluar balancin e pushteteve në përputhje me rrethanat.

Putin ka qenë 15 vjet efektivë në pushtet, ndërsa Erdogan 11.

Partia e Erdoganit ka bërë përpjekje të vendosë qeverisjen islamike në Turqinë tradicionalisht laike. Erdogan ka lënë të kuptohet se vendi i tij do të tërheqë ofertën për t’iu bashkuar Bashkimit Evropian, në favor të Organizatës për Bashkëpunim të Shangait, e cila drejtohet nga Kina dhe Moska.

Putin, i cili ka mbrojtur interesat rusë në Ukrainë si përpjekje për të ndaluar agresionin e NATO-s, ka akuzuar Perëndimin për provokim të një Lufte të re të Ftohtë.

Edhe Erdogan, edhe Putin kanë përdorur fetë e tyre, islame, përkatësisht ortodokse, për të forcuar ndikimin e tyre.

Të dy kanë pallate.

Shumë vëmendje i është kushtuar javëve të fundit Pallatit të Bardhë të Erdoganit, të sapohapur. Një rezidencë presidenciale, me stil otoman, e ndërtuar mbi 150,000 metra katror në Ankara.

Kompleksi me 1,000 dhoma, me dysheme mermeri dhe sistem të sofistikuar të sigurisë thuhet se kushton 615 milionë dollarë.

Mbështetësit thonë se pallati reflekton rëndësinë e Erdoganit si person që po ribën Turqinë moderne.

Pallati i Putinit, në anën tjetër, është ndërtuar me një miliard dollarë. Ka stil barok dhe karakteristika të peizazhit të përpunuar, një kazino, pishina dhe disa hapësira për ngritje dhe ulje të helikopterëve.

Kremlini ka mohuar ndonjë lidhje midis Putinit dhe arkitektit italian të pallatit, Lanfranco Cirillo, i cili ka marrë shtetësinë ruse në muajin gusht.

Të dy kanë shtypur protestat popullore.

Në Rusi janë zhvilluar protesta masive më 2011-12, kur Putini ka garuar për mandatin e tij të tretë. Pas zgjedhjeve, lideri rus ka përdorur fuqitë presidenciale për të goditur shoqërinë civile, mediat joshtetërore dhe pjesëmarrësit në këto protesta.

Mbi 400 njerëz janë arrestuar dhe rrahur. Dhjetëra vazhdojnë të mbeten në burg ose në pritje të dënimit.

Në Turqi, planet e Erdoganit për të prishur parkun Gezi të Stambollit dhe për të ndërtuar një qendër tregtare, kanë shkaktuar protesta në gjithë vendin më 2013-14.

Mbi tre milionë turq kanë protestuar kundër autoritarizmit në rritje. Erdogan është përgjigjur me forcë, duke autorizuar policinë të përdorë gazin lotsjellës dhe topat e ujit. Dhjetëra njerëz janë vrarë, mbi 5,500 po ndiqen penalisht.

Të dy kanë “zhgënjyer” gratë.

Erdogan ka thënë javën e kaluar se amësia duhet të jetë prioritet i grave sipas Islamit dhe se barazia gjinore është “kudër ligjeve të natyrës”.

Kjo nuk është hera e parë që lideri turk shpreh pikëpamjet e tij konservatore ndaj grave. Erdogan po ashtu ka deklaruar se gratë turke duhet të kenë tre fëmijë dhe ka bërë përpjekje të kufizojë abortin dhe kontrollin e lindjeve.

Putin ka shokuar kur gjatë një debati me kancelaren gjermane, Angela Merkel, ka bërë një shaka pa ngjyra dhe ka thënë: “Pa marrë parasysh se si e bëni natën e parë të martesës, rezultati është i njëjtë”.

Ai po ashtu ka përdorur një ton patronizues, kur i është përgjigjur ish-sekretares amerikane të shtetit, Hillary Clinton, e cila ka krahasuar aksionet e tij me ato të Hitlerit.

“Është më mirë të mos argumentosh me gra”, ka thënë Putin.

Lideri i divorcuar rus po ashtu ka thënë: “Secili që mund të jetojë së paku dy javë me Lyudmilan (ish-gruan e tij) meriton një monument”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG