Ndërlidhjet

logo-print

Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, rrallë bën ndonjë veprim të pallogaritur ose rrallë pranon humbjen. Njoftimi i tij më 1 dhjetor se gjiganti rus i gazit, Gazprom, është tërhequr nga planet për të ndërtuar tubacionin e gazit natyror, Rrjedha e Jugut, ka befasuar shumëkë.

Rusia ka kërkuar për kohë të gjatë rrugë direkte në Evropë, që do të kapërcente vendet tranzite si Ukraina, dhe do t’i mundësonte Moskës të ndalojë furnizimet për Kievin pa e lënë Bashkimin Evropian keq. Brukseli, megjithatë, i ka rezistuar Rrjedhës së Jugut, duke thënë se ajo shkel politikat e BE-së kundër monopolit.

Projekti prej 10 miliardë dollarësh i Rrjedhës së Jugut do ta bartte gazin rus përmes Detit të Zi në një terminal në Bullgari. Prej atje, do të dërgohej te konsumatorët në Evropën jugore dhe qendrore, përfshirë Hungarinë, Serbinë dhe Austrinë.

Putin, i cili ka njoftuar për tërheqjen gjatë një udhëtimit politik strategjik në Ankara, tani thotë se do të punojë me Turqinë për të ndërtuar një qendër të re të energjisë në kufi me Greqinë.

Vdekja e Rrjedhës së Jugut ka pasoja për vendet në gjithë rajonin, por kush janë fituesit dhe humbësit?

Turqia është fituese e madhe. Ajo është dergjur me vite para dyerve të Bashkimit Evropian, por perspektiva e anëtarësimit atje nuk duket më e rëndësishme, marrë parasysh tiparet autoritare të liderit të saj, Recep Tayyip Erdogan. Nëse Turqia mban çelësat e një furnizuesi të ri të gazit rus, pozita e saj karshi Evropës do të forcohet në mënyrë të konsiderueshme.

Humbëse e madhe nga shuarja e Rrjedhës së Jugut është Evropa jugore. Vendet si Bullgaria dhe Serbia e kujtojnë mirë të ftohtit e dimrit 2009, kur Rusia ka ndërprerë gazin për Ukrainën.

Gjermania e ka përdorur këtë mësim për të shtyrë përpara tubacionin e Rrjedhës së Veriut, duke garantuar furnizim direk me gaz. Por, BE-ja ka bllokuar në mënyrë të përsëritur homologun e saj jugor, duke përmendur politikat kundër monopolit, por ndoshta edhe nga frika e ndikimit më të madh rus brenda bllokut.

Vendet e Rrjedhës së Jugut jo vetëm që kanë humbur garancitë energjetike; ato kanë humbur edhe tarifat fitimprurëse të tranzitit, vendet e reja të punës dhe potencialin për tregti më të mirë me Rusinë.

Fituese të tjera pas njoftimit të Putinit duket se janë edhe Kina dhe Ukraina. Moska dhe Pekini kanë nënshkruar një marrëveshje për 38 miliardë metra kub energji, në muajin maj, që synon furnizimin e Kinës për 30 vjetët e ardhshëm.

Tani, me më pak gaz që shkon në përëndim, më shumë gaz do të shkojë në lindje. Ky fakt çimenton edhe rolin e Pekinit si qendër e re e gravitetit në mesin e fuqive lindore, që duan të jenë homologe të qëndrueshme për BE-në dhe Shtetet e Bashkuara.

Në një afat të shkurtër, së paku, Ukraiana i është shmangur një plumbi. Përfundimi i Rrjedhës së Jugut do ta bënte më të lehtë për Moskën që të përdorë gazin si armë në konfliktin e saj të vazhdueshëm me fqinjin perëndimor. Tani që plani është braktisur, gazi rus do të vazhdojë të transportohet në dhe përmes Ukrainës.

Nabucco po ashtu mund të përfitojë nga tërheqja e Rusisë nga Rrjedha e Jugut. Projekti i tubacionit Nabucco, i cili është menduar si kundërpeshë për Rusinë, duke furnizuar Evropën me gaz nga Azerbajxhani, është shpallur i vdekur këtë vit. Por, ai mund të ringjallet pasi Evropa kërkon sërish alternativë për gazin rus.

Rrjedha e Jugut është dashur të kushtojë miliarda dollarë dhe Rusia tashmë ka investuar në nisjen e projektit. Por, sanksionet perëndimore, për shkak të krizës në Ukrainë, kanë dëmtuar rëndë aftësitë e Gazprom-it për të provokuar investime të huaja dhe për të siguruar kreditë e nevojshme.

“Ky ka qenë gjithmonë një investim shumë i shtrenjtë dhe, në njëfarë mase, projekt i keq investues për Rusinë. Ka mënyra më efikase për të eksportuar gazin. Andaj, tërheqja (nga Rjedha e Jugut) është patjetër një lajm i mirë për Gazprom-in dhe aksionarët e tij. Duket një vendim shumë pragmatik nga qeveria”, thotë analisti i çështjeve financiare, Chirs Weafer, me bazë në Moskë.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG