Ndërlidhjet

REL: Akuza të egra kundër gazetares Ismayilova


Khadija Ismayilova
Khadija Ismayilova

Khadija Ismayilova, gazetare hulumtuese e cila kontribuon për Shërbimin e Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë, është dënuar nga një gjykatë në Baku me dy muaj paraburgim, nën akuzat se ka nxitur një person të bëjë vetëvrasje.

“Arrestimi dhe paraburgimi i Khadija Ismayilovas është përpjekja e fundit e fushatës dyvjeçare për të heshtur një gazetare, e cila ka hetuar korrupsionin në qeveri dhe shkeljet e të drejtave të njeriut në Azerbajxhan. Akuzat e sotme kundër saj janë të egra. Khadija është duke u ndëshkuar për gazetarinë e saj”, ka thënë përmes një komunikate kryeredaktori i Radios Evropa e Lirë, Nenad Pejiq.

Ismayilova është thirrur që të paraqitet sot në Gjykatën e Qarkut në Baku, në lidhje me një rast, në të cilin një person e ka akuzuar atë se e ka detyruar të bëjë vetëvrasje.

Ajo po ashtu është akuzuar për publikimin e një dokumenti, i cili ka treguar se shërbimet sekrete të Azerbajxhanit kanë përdorur një incizim të paligjshëm të seksit, për të shantazhuar një aktivist të opozitës.

Të enjten, shefi i stafit të presidentit të Azerbajxhanit, Ramiz Mehdiyev, ka akuzuar publikisht Ismayilovan për tradhti, ndërsa punëtorët e Radios Evropa e Lirë i ka quajtur spiunë të vendit.

Pejiq ka thënë se deklaratat e Mehdiyevit janë të rrezikshme dhe të pamatura dhe mund të perceptohen si kërcënim kundër punëtorëve të tjerë të Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë.

XS
SM
MD
LG