Ndërlidhjet

Preteni: Lufta ndaj korrupsionit, pa progres të theksuar


Ilustrim
Ilustrim

Me rastin e 9 Dhjetorit, Ditës Ndërkombëtare Kundër Korrupsionit, drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni, ka bërë të ditur se viti 2014, nuk ka shënuar ndonjë progres të theksuar në luftën kundër korrupsionit.

Raporti i Transparency Internacional dhe Raporti i Progresit i Bashkimit Evropian, sipas tij, janë sinjal jo i këndshëm për Kosovën që tregon se ne, gjatë vitit të ardhshëm duhet të jemi shumë më aktiv për të dhënë një pasqyrë më të favorshme për ne.

“Fusha e luftimit të Korrupsionit akoma ka mbetur problematike nga fakti që këtë vit kemi pasur një numër të vogël të ngritjes së aktakuzave nga ana e autoriteteve kompetente e aq më keq edhe shqiptime të dënimeve”, ka thënë Preteni me rastin e kësaj dite.

Ndonëse gjatë këtij viti, sipas tij, ka pasur ndjekje ndaj prokurorëve, gjyqtarëve, zyrtarëve të Agjencive të pavarura, zyrtarëve të mekanizmave që rregullojnë fushën e prokurimit, rezultatet akoma janë të padukshme.

“Në këtë ditë ndërkombëtare kundër korrupsionit, dua të sinjalizoj elemente optimizmi se përkundër problemeve që përmenda me lartë institucionet kosovare duke përfshirë edhe Presidenten e Republikës së Kosovës kanë vënë zotime të nënshkruara në një Kartë Përkushtimi se do ta japim maksimumin në drejtim të përmirësimit të gjendjes aktuale”, ka thënë më tutje ai.

Ai është zotuar se Agjencia kundër Korrupsionit, do të vazhdoj të kryejë misionin e saj të përcaktuar me ligj dhe se nuk do të ndalen së kërkuari ndihmën e publikut që të jetë pjesë e përbashkët e angazhimeve drejtë fuqizimit të një sistemi llogaridhënës dhe transparentë.

XS
SM
MD
LG