Ndërlidhjet

Bastiset byroja e REL-it në Baku


Baku: Prokurorët bastisin byronë e REL-it
Ju lutem prisni

No media source currently available

0:00 0:00:25 0:00

Baku: Prokurorët bastisin byronë e REL-it

Byroja në Baku e Radios Evropa e Lirë është bastisur nga pjesëtarë të Zyrës së Prokurorit të Azerbajxhanit, të cilët kanë thënë se kanë vendim gjykate “për ta mbyllur zyrën”.

Ata kanë kërkuar nga punëtorët që të lënë ndërtesën dhe që puna e byrosë të ndërpritet.

Drejtori i Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë, Kenan Aliyev, ka thënë se së paku dhjetë anëtarë të Zyrës së Prokurorit kanë hyrë në zyrë në orën 10:30, sipas kohës lokale, të shoqëruar nga oficerë të armatosur të policisë.

“Operacioni i byrosë sonë në Baku është paralizuar. Tash e një kohë të gjatë ka pasur bastisje në media dhe OJQ të Azerbajxhanit, përfshirë arrestimin e Khadija Ismayilovas, nikoqire të programit tonë dhe kontribuese e jona. Ne e shohim këtë si pjesë të fushatës së vazhdueshme kundër mediave të pavarura”, ka thënë Aliyev.

Të gjitha linjat e telefonit dhe të internetit janë ndërprerë.

Hetuesit nga Zyra e Prokurorit raportohet se kanë kërkuar qasje në dokumente dhe dosje të personelit.

Ata po ashtu janë duke kërkuar hapësirën e zyrës dhe kanë kërcënuar se do të konfiskojnë kompjuterët e byrosë.

Prokurorët kanë thënë se urdhri i gjykatës lidhet me hetimin e Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë, si entitet që financohet nga jashtë.

Prokurorët e Azerbajxhanit kanë kryer bastisje të ngjashme, muajve të fundit, edhe në entitete të tjera të financuara nga jashtë, përfshirë organizatat joqeverotare si IREX, Instituti Demokratik Kombëtar dhe Oxfam.

Të tria OJQ-të janë mbyllur. IREX, që operon në 125 vende, duke promovuar reformat demokratike, ka qenë organizata e fundit që është mbyllur në muajin shtator, pasi autoritetet e Azerbajxhanit kanë ngrirë asetet e saj bankare, si pjesë e “hetimeve penale”.

Bastisja në Byronë e Radios Evropa e Lirë vjen tri javë pasi Khadija Ismayilova, gazetare e pavarur dhe kontribuese në REL, është burgosur në Baku nën akuza që lidhen me punën e saj.

Asaj i është shqiptuar masa e paraburgimit prej dy muajsh, pasi është akuzuar se ka nxitur në përpjekje për vetëvrasje një ish-kontribues të Radios Evropa e Lirë.

Mbështetësit e Ismayilovas kanë thënë se akuzat kundër saj janë të motivuara politikisht. Amnesty International ka thënë se Ismayilova është burgosur vetëm se ka ushtruar të drejtën e saj për liri të shprehjes.

Më 17 dhjetor, Zyra e Prokurorit në Azerbajxhan i ka dërguar një letër Byrosë së Radios Evropa e Lirë në Baku, duke i kërkuar informacione për punësimin dhe pagat për Ismayilovan dhe kolegun në pyetje.

Po ashtu i janë kërkuar emrat e të gjithë të punësuarve në byro.

Në fillim të dhjetorit, Ramiz Mehdiyev, shefi i stafit të presidentit të Azerbajxhanit, Ilham Aliyev, ka lëshuar një deklaratë prej 60 faqesh, duke akuzuar Ismayilovan për “qëndrim destruktiv ndaj anëtarëve të njohur të komunitetit të Azerbajxhanit”.

Ai po ashtu ka akuzuar Shërbimin e Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë se punon për “shërbimet e huaja sekrete”.

Mehdiyev ka lavdëruar burgosjen e gazetarëve dhe aktivistëve të tjerë azerbajxhabnas, përfshirë Leyla Yunusin, drejtore e Institutit për Paqe dhe Demokraci dhe kritike e zëshme e shkeljeve të të drejtave të njeriut nga autoritetet.

Yunus, 59 vjeçe, dhe bashkëshorti i saj, Arif, janë duke u mbajtur në paraburgim qysh në muajin korrik, përkatësisht gusht, nën akuzat për tradhti dhe krime të tjera.

Leyla Yunus, e cila vuan nga diabeti dhe sëmundja e veshkave, është ankuar për abuzim fizik dhe mostrajtim mjekësor në burg. Avokatët e saj thonë se ajo është në gjendje të rëndë shëndetësore.

Perëndimi ka kritikuar atë që po cilësohet si shtypje në rritje e kritikëve të qeverisë në Azerbajxhan.

Ndihmëssekretari amerikan i Shtetit, Tom Malinowski, i ka thënë Radios Evropa e Lirë javën e kaluar se Uashingtoni ka qenë i përfshirë në “diskutime shumë serioze” me zyrtarët nga Azerbajxhani për shkak të arrestimit të Yunusit, Ismayilovas dhe të tjerëve.

Malinowski ka thënë se zyrtarët amerikanë e kanë bërë të qartë se marrëdhëniet e Azerbajxhanit me Shtetet e Bashkuara “rrezikohen nga goditja e shoqërisë civile”.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG