Ndërlidhjet

Të zgjedhur në Kosovë, të emëruar në Serbi

  • RFE /RL

Ilustrim

Ilustrim

Qeveria e Republikës së Kosovës e ka njoftuar edhe zyrtarisht “Bashkimin Evropian në lidhje me vazhdimin e ndërhyrjeve ilegale të Serbisë në Kosovë dhe shkeljen e Marrëveshjes së Brukselit për normalizim, me rastin e vendimit për vazhdimin e strukturave paralele në komunën e Shtërpcës, duke emëruar kryetarin ilegal të komunës së Shtërpcës, i cili njëherësh është dhe kryetar i zgjedhur i kësaj komune [Bratisllav Nikolliq]”.

Në një komunikatë për opinion, qeveria e Kosovës “konsideron se këto veprime të Serbisë janë thelbësisht dekstruktive dhe kanë për qëllim përmbysjen e arritjeve të shumta nga procesi i dialogu të Brukselit".

Që prej përfundimit të luftës në Kosovë, Beogradi zyrtar ka emëruar kryetarë komunash në Kosovë dhe përbërjen e kuvendeve komunale, me vendime të posaçme të qeverisë së Serbisë, duke mundësuar kështu funksionimin e strukturave paralele serbe.

Kosova dhe Serbia kanë arritur një marrëveshje për normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, më 19 prill të vitit 2013.

Teksti i Marrëveshjes

Ministrja për dialog në qeverinë e Kosovës, Edita Tahiri, përveç rastit të komunës së Shtërpcës, citohet të ketë numëruar edhe katër komunat e banuara me shumicë serbe në veri të Kosovës, ku, siç thuhet, ende funksionojnë strukturat paralele.

Ajo ka përmendur emërimin e Aleksandar Spiriq në vitin 2014 në krye të “trupit të përkohshëm të kuvendit komunal të Mitrovicës”, ndërkohë që Spiriq pas zgjedhjeve lokale të Republikës së Kosovës, në nëntor të 2013-ës, kryen detyrën e nënkryetarit të komunës së Mitrovicës së Veriut.

Në një prononcim dhënë Radios Evropa e Lirë, Spiriq pohon se nuk ka dy funksione, sepse sipas tij, kuvendi komunal i Mitrovicës së Veriut nuk është duke funksionuar më kapacitet të plotë.

"Qëndrimi ynë është parimor,ne respektojmë të gjitha marrëveshjet dhe zbatimin e tyre për sa i përket Brukselit, kurse për sa i takon vetë organeve dhe komunave të bazuara në kushtetutën dhe ligjet e Republikës së Serbisë, ato garantohen me rezolutën 1244 [OKB] dhe për to nuk është biseduar gjëkundi“, ka thënë Spiriq.

Ai ka shtuar se të gjitha institucionet, ato të qeverisë së Serbisë dhe komuna e Mitrovicës së veriut, funksionojnë bashkërisht, "në interes të qytetarëve që jetojnë në Mitrovicë“.

Të ngjashme janë edhe rastet me kryetarët e zgjedhur të komunës së Zveçanit, Leposaviqit dhe Zubin Potokut, të cilët qeveria serbe i ka emëruar me vendim të posaçëm në krye të strukturave paralele serbe.

Duke i cilësuar këto veprime të Serbisë si “akte dëshpërimi”, qeveria e Kosoës ka vlerësuar se përmes tyre “po tentohet të pengohet legjitimiteti demokratik dhe puna e kryetarëve komunal të zgjedhur në mënyrë të rregullt në bazë të Kushtetues dhe ligjeve të Republikës së Kosovës”.

Millovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, bëhet fjalë për „mos-respektim të marrëveshjes së Brukselit nga ana e Prishtinës“, e kjo situatë, sipas tij, do të zgjasë për aq sa nuk përfundon procesi i formimit të Bashkësisë së Komunave serbe.

"Nga njëra anë keni vetë-qeverisje lokale të formuara pas zgjedhjeve të mbajtura në Kosovës, kurse në anën tjetër nuk keni formim të Bashkësisë së Komunave serbe, e cila është dashur të mbledh rreth vetës njerëzit që punonin në institucionet serbe në veri".

"Duke pasur parasysh mos-formimin e Bashkësisë, atëherë askush nuk mund të presë që ata njerëz të mbeten pa punë. Kur të jetë formuar Bashkësia, atëherë do të krijohen kushtet që të eliminohet, ajo që ju e quani paralelizëm", ka thënë Drecun për Radion Evropa e Lirë.

Ndryshe, në Ligjin për Vetëqeverisje Lokale, thuhet se "nëse kryetari i komunës emërohet (zgjedhet) edhe përfaqësues i një organi tjetër të emëruar nga një shtet tjetër atëherë konsiderohet ndërhyrje në sistemin kushtetues të vetëqeverisjes lokale".

Trego komentet

XS
SM
MD
LG