Ndërlidhjet

Protestë kundër shtrenjtimit të energjisë elektrike


Ulja e çmimit të energjisë elektrike, kthimi i tarifës së lirë në orarin ditor që praktikisht nuk ekziston si dhe transparenca publike mbi pronarin e ri të Distribucionit, kanë qenë kërkesat kryesore të disa qytetarëve që kanë protestuar të hënën para ndërtesës së Distribucionit për Furnizim më Energji Elektrike, i njohur më shkurtesën KEDS.

Në protestën e organizuar nga Klubi Politik i Studentëve dhe përkrahur nga një numër i organizatave joqeveritare që veprojnë në Kosovë, është bërë thirrje që mos të paguhen faturat e shpenzuara të energjisë.

Fisnik Salihu, nga Klubi Politik i Studentëve, tha se KEDS-i po i mashtron qytetarët e Kosovës.

“Po i bëjmë thirrje qytetarëve të Kosovës që mos të paguajnë faturat e shpenzuara të energjisë elektrike derisa të mos ti ulin çmimet. Nëse kanë llogari që të ndërpresin rrymën në tërë Kosovën, le të ndërpresin. KEDS- i e ndërpretërrymën për 5 euro borxh, kurse kërkojnë mirëkuptim kur ka prishje të shpeshta”, tha Salihu.

Izmi Mehmeti punëtor në institucionet publike, pjesëmarrës në protestë, thotë se vitin e kaluar krahasuar me vitin 2013, energjia elektrike është shtrenjtuar qind për qind.

“Unë i kam krahasuar faturat e energjisë më ato të vitit të kaluar, besoni se rryma është qind për qind më e shtrenjtë. Këto janë fakte të vërteta. Populli është lodhur, nuk ka ku të shkojë”, tha Mehmeti.

Ndërkaq një qytetarët tjetër i papunë, Muahmet Caka, kërkon nga autoritetet kosovare që te luftojnë korrupsionin në kompaninë e KEDS-it.

“Qeveria është zotuar se do të luftojë krimin dhe korrupsionin - atëherë le të fillohet nga KEDS-i sepse çmimet janë të papërballueshme për qytetarët e Kosovës”, tha Caka.

Ndërkaq, disa pronarë të kompanive prodhuese, para protestuesve kanë thënë se energjinë elektrike e paguajnë 270 për qind më shtrenjtë se sa për amvisëri.

Abdullah Bajra, pronar i Fabrikës se Ujit “KIKA” nga Kamenica, tha se çmimi i lartë i energjisë po vështirëson afarizmin e tij biznesor.

“Nuk ka asnjë prodhues në botë që vjen dhe i përballon kriteret e përcaktuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë Elektrike. Për biznese çmimi i energjisë duhet të jetë shumë i ulët në mënyrë që të mundësohet krijimi i vendeve të reja të punës dhe ndalen përpjekjet për migrim”, ka thënë Bajra.

Ndryshe, në muajin gusht të vitit të kaluar, Bordi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë ka nxjerrë vendim lidhur me rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 5.18 për qind.

Një vendim të ngjashëm ky institucion e kishte marrë edhe në muajin qershor, ku kishte aprovuar vendime për rritje të tarifave me pakicë të energjisë elektrike prej 4.57 për qind për konsumatorët e rregullt.

Ndërkaq, sa i përket kërkesave të protestueseve KEDS ka sqaruar për mes një komunikate për media. Në komunikatë thuhet se kjo kompani nuk përcakton çmimin e energjisë elektrike dhe nuk është në kompetencë të kësaj kompanie të përcaktojë tarifat dhe strukturën tarifore.

Kursei përket transparencës publike për pronarin e ri, thuhet se nga data 1 janar 2015, me kërkesë të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, është bërë ndarja e distribucionit dhe furnizimit dhe pronarët e KEDS kanë themeluar kompaninë KESCO, pronarë të së cilës janë prapë kompanitë Çalik dhe Limak.

Nga tani e tutje, KEDS do të ofrojë shërbime të distribuimit deri sa KESCO do të ofrojë shërbime të furnizimit me energji elektrike. Për më shumë, një proces i tillë i shthurjes ka qenë kërkesë ligjore të cilën KEDS është dashur ta plotësojë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG