Ndërlidhjet

Charlie Hebdo shet miliona kopje, bota myslimane reagon

  • RFE /RL

Miliona njerëz marshuan në rrugët e Parisit më 11 janar në nderim të viktimave, ndërsa pjesa tjetër e mbetur e stafit të revistës Charlie Hebdo shumë shpejtë iu kthyen punës për të punuar në numrin e ri të saj, e cila doli në shitje të mërkurën, më 14 janar.

Ballina e jeshiltë, tregonte Profetin Muhamed me një lot në sy, duke e mbajtur në dorë një letër ku shkruante "Unë jam Charlie" -- fjalë të cilat janë përdorur nga mediat dhe miliona njerëz në mbarë botën, në shenjë solidarizimi me viktimat dhe mbështetjen e lirisë së shprehjes.

Fjalët "Gjithçka është falur" shihen mbi karikaturën e profetit në ballinë.

Zineb El Rhazoui, gazetar i të përjavshmes, tha se ballina thotë se gazetarët i falën ekstremistët për sulmin.

Botuesi i revistës shpalosi planin për të botuar 5 milionë kopje të numrit të ri -- 2 milionë më shumë se sa që ishte planifikuar fillimisht.

Normalisht, vetëm 60 mijë printohen çdo javë.

Ky numër special i revistës është përkthyer në 6 gjuhë, përfshirë gjuhën arabe, dhe u shpërnda në 25 shtete.

Përderisa që në mëngjesin e së mërkurës, shumë kiosqe të Francës i shitën të gjitha botimet që i kishin të revistës Charlie Hebdo, bota myslimane reagoi.

Bota myslimane qorton karikaturat

Publikimi i një karikature të re të Muhamedit, nxiti reagime në botën myslimane, si Irani që tha se ajo ishte "fyese" dhe "provokuese".

Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme të Iranit Marzieh Afkham tha se ballina "provokon emocionet e myslimanëve dhe ua lëndon ndjenjat" dhe se mund të "provokojë qarqe të egra të ekstremizmit".

Duke folur në Gjenevë, ministri i Jashtëm iranian Mohammad Javad Zarif tha se "shenjtorët" duhet të respektohen.

Myftiu i Madh i Egjiptit Shawqi Allam e përshkroi karikaturën e re të Muhamedit si një "provokim të pajustifikueshëm" që do të krijojë një "valë të re të urrejtjes në shoqërinë franceze dhe atë perëndimore".

Bashkimi Ndërkombëtar i Myslimanëve Dijetarë, me qendër në Katar, tha se "as nuk është e arsyeshme, as logjike, a e mençur të publikohen pamje që sulmojnë Profetin e fesë islame".

Publikimi i një karikature të re i jep "kredibilitet" të mëtejmë idesë që "Perëndimi është kundër islamit", thuhej në reagimin e tyre, duke shtuar se këto imazhe do të vazhdojnë të "nxisin urrejtje, ekstremizëm dhe tension".

Grupi militant i Shtetit Islamik tha në radio stacionin e tyre se publikimi i karikaturës ishte një "akt ekstremisht i marrë". Sulmuesi në qendrën tregtare në Francë, Coulibaly, ishte betuar për besnikëri ndaj këtij grupi.

Në Turqi, gazeta ditore Cumhuriyet publikoi një pjesë të revistës Charlie Hebdo, përfshirë një fotografi të vogël të ballinës, në kuadër të një kolumne të saj.

Bashkë me editorialin e Charlie Hebdo rreth mosdorzëzimit të tyre pas sulmeve, botimi përfshinte disa karikatura që satirizonin me grupin nigerian islamik Boko Haram dhe militantët e Shtetit Islamik.

Mediat vendore turke raportuan se kamionët e shpërndarjes së gazetës u lejuan të qarkullojnë, vetëm pasi policia ishte siguruar që nuk kishte fotografi të Muhamedit në këtë ribotim.

Tri revistat më të mëdha satirike të Turqisë -- Leman, Penguen dhe Uykusuz -- publikuan ballina identike, të zeza, me parullën "Je suis Charlie" (Unë jam Charlie) të përdorur si përkujtim për gazetarët e vrarë.

Në ndërkohë, agjencia e lajmeve shtetërore turke Anadolu, raportoi se një gjykatë në qytetin juglindor të Diyarbakir, kishte urdhëruar autoritetin e telekomunikacionit të Turqisë të ndalojë hyrjen në cilëndo ueb faqe që tregonte ballinën e Charlie Hebdo-s.

Al-Qaeda në Jemen merr përsipër sulmin

Përmes një videoje të publikuar, Al-Qaeda në Gadishullin Arabik me bazë në Jemen, e ka marrë përgjegjësinë për sulmin e javës së kaluar në revistën satirike franceze Charlie Hebdo.

Përmes një videoje, njëri nga komandantët e Al-Qaedas në Jemen, Nasr al-Ansi, ka thënë se sulmuesit ishin caktuar për ta kryer sulmin, me qëllim që të marrin hak për Profetin Muhamed.

Perëndimi i bashkuar kundër terrorizmit

Komediani kontrovers francez Dieudonne M'bala M'bala është një nga 50 personat të cilët, siç tha qeveria franceze, u ndaluan mbi dyshimet për mbrojtje të terrorizmit që nga sulmi i Charlie Hebdo.

Në një postim në Facebook më 12 janar, Dieudonne tha se po ndihet si "Charlie Coulibaly" -- duke e bërë bashkë parullën "Je suis Charlie" me emrin e njërit nga tre sulmuesve.

Duke folur më 13 janar pas ceremonive të varrimit në Francë dhe Izrael, kryeministri francez Manuel Valls tha se shteti i tij është në luftë me ekstremizmin dhe terrorizmin, por jo me myslimanët.

Qeveria ka vendosur 10 mijë trupa nëpër gjithë vendin, duke përfshirë sinagogat, xhamitë, dhe aeroportet, në përgjigje ndaj sulmeve.

Sekretari amerikan i Shtetit John Kerry do të takohet me presidentin francez Francois Hollande në Paris më 16 janar, për të diskutuar për sulmet e javës së shkuar.

Në Berlin, Sekretari Gjeneral i NATO-s Jens Stoltenberg tha se pjesëtarët e aleancës u pajtuan të rrisin bashkëpunimin e tyre kundër "luftëtarëve të huaj", të cilët kanë udhëtuar jashtë për të luftuar përkrah militantëve islamikë.

Grupet monitoruese thonë se mijëra luftëtarë të huaj që i janë bashkuar militantëve të Shtetit Islamik në Siri e Irak, vijnë nga shtetet perëndimore.

Duke folur në Bagdad më 14 janar, i dërguari i SHBA-ve John Allen tha se sulmet nga militantët në Paris dhe qytete tjera perëndimore, nënvizojnë nevojën për një "kundërpërgjigje globale" ndaj militantëve të Shtetit Islamik.

Allen, i cili është duke koordinuar përpjekjet ndërkombëtare kundër militantëve, tha grupi është "ideologji e errët e dhunshme dhe ka një shtrirje të gjatë", dhe frymëzojnë militantët të kryejnë sulme në Sidnej, Otava dhe Bruksel.

Persona të armatosur i kanë vrarë tetë anëtarë të personelit të redaksisë së të përjavshmës Charlie Hebdo më datën 7 janar, ditë në të cilën ka filluar terrori tri-ditësh ku janë vrarë gjithsej 17 persona, përfshirë këtu gazetarë, policë e qytetarë të tjerë.

Revista në vazhdimësi kishte pranuar kërcënime pas publikimit të karikaturave të Profetit.

Përgatiti: Gresa Kraja
XS
SM
MD
LG