Ndërlidhjet

logo-print

Numri i madh i qytetarëve të Kosovës, të cilët po migrojnë jashtë vendit në mënyrë të paligjshme është bërë një shqetësim mjaft i madh i autoriteteve në vend. Së fundi ata kanë diskutuar edhe për hapat që duhet ndërmerren për parandalimin e kësaj dukurie.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës, vetëm gjatë vitit që lëmë pas, numri i qytetarëve të Kosovës që kanë kërkuar azil në vendet e Bashkimit Evropian, është rreth 23 mijë.

Për numrin e madh të qytetarëve të cilat po ikin nga Kosovë, të rinjtë e intervistuar nga Radio Evropa e Lirë për rubrikën VOX janë shprehur kundër.

Shumë prej tyre thonë se nuk do ta bënin një gjë të tillë, derisa kërkojnë që kjo dukuri të ndërpritet.

Diana Toska një qytetare nga Prishtina, e quan të pa arsyeshme ikjen e qytetarëve të Kosovës nga vendi.

Sipas saj, të gjitha ata që po e lëshojnë vendin në mënyrë të paligjshme do të duhej të ishin vetë ata që kontribuojnë në zhvillimin e vendit të tyre.

“Nuk është zgjidhje nëse ne largohemi nga vendi, përkundrazi ne duhet të punojmë më shumë në veten dhe të kontribuojmë për vendin tonë. Është shumë e paarsyeshme ikja në formë ilegale apo të paligjshme duke shpenzuar shumë para, për shkak se nuk ka të ardhme edhe atje. Përkundrazi ne po e dëmtojmë vendin tonë me këto migrime të paligjshme”, shton ajo.

Ariani, një student i Universitetit të Prishtinës, thekson se asnjë shtet tjetër në botë nuk mund t’iu ofroj qytetarëve të Kosovës më shumë se vet vendi i tyre.

Edhe ai shprehet kundër migrimit të paligjshëm dhe thotë se një gjë të tillë nuk do ta bënte kurrë.

“Jo kurrë nuk do të lëshoja vendin, Kosova ofron perspektivë për ata që e kërkojnë një gjë të tillë këtu. Unë punoj dhe studioj, në të njëjtën kohë”, thotë ai.

Korab Sefa nga qyteti i Pejës, është student në Fakultetin e Arkitekturës. Korabi tregon se ka lindur në Gjermani, por që me familjen e tij shumë vite më parë ishin kthyer në Kosovë. Ai thotë se "nuk ka më mirë se në vendilindje".

“Unë kam lindur në Gjermani dhe jam kthyer në Kosovë, si ne vendin tënd nuk ka asgjë. Njerëzit po gabojnë që po shkojnë jashtë vendit. Unë do të ju bëja apel të gjithë atyre që po ikin që të mos e lëshojnë vendin të rrinë këtu se më mirë nuk ka se në vendin tënd. Kudo që shkon je i huaj”, shprehet ai.

Të rinjtë vlerësojnë se Kosova është një vend në zhvillim dhe se duhet pritur që të mirat që i kanë vendet evropiane të vinë edhe në Kosovë. Ata kërkojnë nga institucionet e Kosovës që të punojnë më shumë dhe të krijojnë kushte më të mira për të rinjtë.

Arzia, qytetare e Prishtinë​s, thotë se ka shpresë që Kosova do të bëhet një vend që do të pëlqehet nga të gjithë.

“Jo kurrë në jetë nuk do ta lëshoja vendin. Ky është shteti im. Në jemi me shpresë se do të bëhet më mirë, ne jemi një shtet i ri askush nuk ka qenë i fort në fillim por janë bërë, edhe në mund të bëhemi”, shton ajo.

Ngjashëm shprehet edhe Besim Ahmetaj.

“Kam përfunduar studimet tani kam vazhduar për master, po pres të gjej. Po mendoj që ka filluar të përmirësohet situata dhe kurrë nuk do të lëshoja vendin. Edhe sikur të kisha mundësi të shkoja diku jashtë Kosovës nuk do e kisha bërë një gjë të tillë”, shprehet ai.

Ndërkaq, Rina Bidordaku, thotë se kishte shkuar në ndonjë nga vendet evropiane vetëm me qëllim të studimit.

“Jashtë vendit do të​ shkoja synim studimi që​ t​ë​ zhvillohem profesionalisht, por çdo herë me mendje të kthehem në vendin tim dhe të kontribuojë këtu”, thotë ajo

Sipas disa hulumtimeve të bëra nga organizatat joqeveritare, është theksuar se trendi në rritje i migrimit të qytetarëve të Kosovës drejt vendeve perëndimore është shkaktuar nga niveli i lartë i papunësisë te të rinjtë.

Samedin Beqiri qytetar, thotë se ata të cilët po e lëshojnë vendin po e bëjnë këtë pasi që nuk e dinë se çfarë i pret në një vend të huaj.

“Mendoj që këta që po e lëshojnë Kosovën nuk janë të informuar, ata nuk e din situatën në vendet e Bashkimit Evropian. Këta që po ikin nga vendi nuk janë të informuar, Qeveria duhet të parandalojë këtë. Megjithatë, qytetarët e Kosovës në mënyrë vetanake duhet të punësohen. Unë kam qenë në perëndim dhe nuk është mirë atje”, thekson ai.

Autoritetet në Kosovë dhe përfaqësues të ambasadave të vendeve evropiane iu kanë bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të mos migrojnë në mënyrë të paligjshme, pasi që përpjekjet e tyre janë të kushtueshme dhe të kota.

Ata kanë ritheksuar se vendet e Evropës nuk pranojnë më azilkërkues nga Kosova.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG