Ndërlidhjet

Protestuesit: "Ultimatum" 48 orë qeverisë


Në emër të mijëra protestuesve të tubuar në qendër të Prishtinës të shtunën, lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i ka dhënë kryeministrit Isa Mustafa një afat prej 48 orësh për të shkarkuar ministrin për Komunitete dhe Kthim, Aleksandar Jabllanoviq.

Mijëra njerëz kanë protestuar në qendër të Prishtinës me thirrjet "Trepça është e jona", "Jabllanoviq jashtë".

Kjo protestë fillimisht ishte thirrur nga shoqata "Thirrjet e Nënave" dhe Lëvizja Vetëvendosje. Por, ajo ishte mbështetur edhe nga partitë tjera opozitare dhe organizata të ndryshme.

Qytetarët, e ardhur nga vise të ndryshme të Kosovës u mblodhën fillimisht tek Biblioteka Kombëtare për të vazhduar më pas marshin para ndërtesës së Qeverisë dhe Kuvendit të Kosovës.

Masës së tubuar, fillimisht u është drejtuar Nesrete Kumnova, nga shoqata Thirrjet e Nënave. Ajo tha se kjo protestë po e kundërshton fashizmin e Serbisë, e cila la mijëra të vrarë e të pagjetur, mbi 20 mijë femra të dhunuara dhe tani po i fyen nënat e dëshmorëve dhe të rënëve për liri.

"Po çfarë ndjenja ka kjo qeveri kur sot në karriget e lara me gjak u ul Lista Serbe", ka thënë Kumnova, e përcjellë me brohoritjet e masës "Srpska Jashtë"...

Më pas, protestuesve u është drejtuar edhe lideri i Vetëvendosjes Albin Kurti. Sipas tij, kjo qeveri i ka ditët e numëruara pasi që nuk ka dalë në mbrojtje të interesave të shtetit dhe qytetarëve të saj. Rrjedhimisht edhe i ka dhënë një afat prej 48 orësh për shkarkimin e Jabllanoviqit, ose përballje me protesta të tjera.

"I japim ultimatum 48, pra deri të hënën në orën 16:00, qeveria e Isa Mustafës ka afat që ta shkarkoj Aleksandar Jabllanoviqit", ka thënë Kurti para masës së tubuar.

Rreth orës 16:00, Kurti e ka shpallur të përfunduar protestën. Por, një grup ishte ndarë nga masa dhe po hidhte për më gjatë se 30 minuta gurë në drejtim të ndërtesës së qeverisë.

Si pasojë, vëreheshin demolime të pjesës më të madhe të xhamave të dritareve të kësaj ndërtese.

Më pas, Policia e Kosovës ka përdorur gazin lotësjellës për të shpërnda këtë grup protestuesish duke u larguar kanë demoluar edhe disa terasa të lokaleve në qendër të Prishtinës.

Zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Baki Kelani ka thënë se protesta fillimisht ishte e qetë, por më pas ajo ka eskaluar pasi që një grup nuk ishte shpërndarë. Si pasojë, ai ka thënë se kishte edhe të paktën tre persona të ndaluar, kurse nga ana e policisë, tre policë të lënduar.

"Ne jemi detyruar që të intervenojmë për t'i shpërndarë protestuesit dhe për të garantuar lirinë e lëvizjes qytetarëve tjerë që nuk kanë qenë pjesë e protestës. Dhuna e tyre ka vazhduar edhe përtej objektit të qeverisë duke dëmtuar edhe xhamat e një biznesi që ka qenë afër", ka thënë Kelani.

Protesta, sipas organizatorëve kishte për qëllim nxjerrjen e Ligjit për Trepçën dhe shpalljen e këtij kombinati ndërmarrje publike.

Çështja e Trepçës, që llogaritet si një prej gjigantëve të zhvillimit ekonomik të Kosovës, është nxitur pas deklaratave të zyrtarëve të qeverisë së Serbisë për të inicuar bisedime me Prishtinën në dialogun politik në Bruksel.

Thirrjet e vazhdueshme të protestuesve janë që Trepça është pasuri e Kosovës dhe askujt tjetër. Po ashtu, protestuesit kërkojnë edhe shkarkimin e ministrit për Komunitete dhe Kthim në Qeverinë e Kosovës, Aleksandar Jabllanoviq, i cili i ka quajtur “egërsira” nënat protestuese në Gjakovë.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka thënë se protestat janë e drejtë e qytetarëve, por ministri Aleksandar Jabllanoviq, sipas tij, nuk është problemi më i madh i Kosovës.

Këto komente Mustafa i ka bërë në Pejë, në kohën kur në Prishtinë po zhvillohej protesta me thirrjet “Jabllanoviq jashtë, Trepça është e jona”.

“Konsideroj që ministri Jabllanoviq nuk është problemi më i madh i Kosovës dhe nuk është çështja që ne duhet fokusojmë të gjitha energjitë tona politike, ato do i përkushtojmë në rritjen e punësimit, në investimet nga jashtë që vijnë në shtetin ligjor”, ka thënë Mustafa.

Në orët e mbrëmjes, policia ka vënë nën kontroll gjendjen dhe në qendër të Prishtinës ishte qetë. Organizatorët, ndërkaq, kanë paralajmëruar një tjetër protestë për të martën më 27 janar.

  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG