Ndërlidhjet

Hekurudha Kosovë - Shqipëri, e domosdoshme, por jo urgjente


Ilustrim

Ilustrim

Zyrtarë të Qeverisë se Kosovës dhe të Shqipërisë edhe një herë kanë shprehur interesimin për një bashkëpunim në fushën e hekurudhave. Sipas tyre, pas një studimi të para fizibilitetit, të dy qeveritë do të punojnë paralelisht nga të dyja anët.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, tha se në mbledhjen e përbashkët të të dyja qeverive e cila do të mbahet në mars të këtij viti, do të arrihet marrëveshja për fillimin e studimit të para fizibilitetit, studim ky që pason përgatitjet e projektit.

Kurse, sa i përket mjeteve materiale të nevojshme, ministri Zharku tha se Qeveria e Kosovës dhe ajo e Shqipërisë, do të aplikojnë për fonde në kuadër të Kornizës Investive për Ballkanin Perëndimor.

“Parashikohet që projekti për pjesën e Shqipërisë është prej 800 deri një një miliard euro, për shkak se Shqipëria i ka 108 kilometra, kurse Kosova ka vetëm 17 kilometra. Kështu që pjesa më e madhe mbetet nga Qeveria e Shqipërisë".

"Natyrisht ne shprehim vullnetin tonë të vazhdojmë nëse qeveria shqiptare gjen zgjidhjen për financimin e saj”, tha Zharku.

Ndryshe, pas fillimit të ndërtimit të autostradës Kosovë - Shqipëri, në vitin 2010, autoritetet përgjegjëse të këtyre dy shteteve patën paraqitur nevojën edhe për një linjë hekurudhore që lidhë Prishtinën më Tiranën.

Ndërtimi i kësaj linje konsiderohet i rëndësishëm edhe për ekspertë për çështje ekonomike, por jo projekt i domosdoshëm dhe urgjent.

Ibrahim Rexhepi, udhëheqës i Qendrës për Hulumtime Strategjike dhe Sociale – STRAS, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se ndërtimi i hekurudhës si ide është e mirëseardhur, por në rrethana tjera, apo rrethana kur të dyja shtetet kanë fuqi potenciale investuese.

“Kur Porti i Durrësit të bëhet shumë më i pranueshëm apo shumë më me interes për importuesit dhe eksportuesit kosovarë dhe shkëmbimi i mallrave në mes Kosovës dhe Shqipërisë të jetë në shkallë shumë më të lartë".

"Në nivelin e sotëm, unë mendoj që është një humbje kohe dhe nuk duhet që qeveritë e të dyja vendeve të përqëndrohen në këtë projekt”, thekson Rexhepi.

Rexhepi konsideron se autoritetet kompetente në rend të parë duhet të fokusohen në ndërtimin e linjave të brendshme hekurudhore e më pas të mendohet për lidhjen Kosovë- Shqipëri.

“Kjo linjë nuk mund të ketë efekt të madh, qoftë në Kosovë apo Shqipëri. Rrjeti i hekurudhave mund të jetë i shkatërruar, një rrjet jo funksional, një rrjet i cili nuk përmbushë standardet për një transport normal qoftë të njerëzve apo të mallrave, si nga aspekti i sigurisë po ashtu edhe nga aspekti i fuqisë bartëse apo shpejtësisë që mund të zhvillohet”, tha Rexhepi.

Ndryshe, vija të rregullta për transport të brendshëm përmes trenave ka në relacionin Prishtinë – Pejë, Han i Elezit – Fushë Kosovë dhe anasjelltas.

Ndërsa, për transport ndërkombëtar, hekurudhat e Kosovës kanë një tren të rregullt, që quhet treni i shpejtë, i cili qarkullon një herë në ditë në relacionin Prishtinë - Shkup - Prishtinë.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG