Ndërlidhjet

Derisa vendet e rajonit kanë përfituar nga nënshkrimi i marrëveshjeve tregtare me Kosovën, kjo e fundit nuk ka arritur një gjë të tillë. Sektori i pazhvilluar i prodhimtarisë, sipas ekspertëve të ekonomisë, ka bërë që Kosova të mos jetë përfituese e madhe e këtyre marrëveshjeve.

Ata thonë se të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me vendet e rajonit, përfshirë këtu edhe Marrëveshjen për Tregti të Lirë - CEFTA, nuk kanë qenë në favor të Kosovës.

Lekë Musa, ish drejtor ekzekutiv në Odën Ekonomike Amerikane, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thekson se në kohën kur janë nënshkruar këto marrëveshje, Kosova nuk ka qenë në situatë të favorshme prodhuese.

Vendet e rajonit, shton ai, kanë përfituar pasi që në Kosovë kanë gjetur një treg të hapur dhe pa konkurrencë.

“Me marrëveshjen që është nënshkruar, Kosova ka qenë në një situatë shumë të pafavorshme, për shkak se kur Kosova ka hyrë në marrëveshje ka pasur një industri e cila ka qenë e shkatërruar dhe ka qenë në disavantazh, sepse ne kemi filluar procesin e tranzicionit së paku 10 vite më vonë se sa vendet e rajonit. Për të ilustruar, kjo ka qenë sikur në ring hyn një boksier i peshës së lehtë me një boksier të peshës së rëndë”, thekson Musa.

Marrëveshja për Tregti të Lirë - CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor është nënshkruar nga Kosova në vitin 2007.

Lekë Musa, thekson se si marrëveshje nuk ka mundur të shmanget nga Kosova për shkak të integrimit të vendit në tregjet rajonale, por që siç thekson ai, kjo marrëveshje si e tillë është dashur të ketë kushte më të favorshme për prodhuesit kosovarë.

“Nevojitet një strategji nga Qeveria e Kosovës për të përforcuara prodhimin vendor kundrejt tregtisë. Tregtarët janë forcuar në Kosovë dhe janë vetë ata që po lobojnë që të mos ketë fuqizim të prodhimtarisë për shkak të përftimeve që ata i kanë nga tregtia”, thotë Musa.

Marrëdhëniet tregtare të Kosovës me vendet e rajonit gjatë viteve të fundit ishin përcjellë me probleme të ndryshme. Vendet e rajonit si Serbia, Maqedonia, Bosnje e Hercegovina dhe Shqipëria, jo rrallë kishin vënë barriera tregtare prodhimeve kosovare, duke dëmtuar kështu ekonominë e Kosovës.

Deficiti i lartë tregtarë, thekson Flamur Keqa, njohës i çështjeve tregtare, tregon më së miri se nga marrëveshjet tregtare Kosova nuk ka qenë përftuese.

“Marrëveshja CEFTA ishte imponuar për shkak të integrimit të Kosovës në vendet e rajonit, por megjithatë çka është negative në këtë drejtim është që Qeveria e Kosovës ka punuar fare pak në përmirësimin e përkrahjes siç është industria, përkatësisht prodhimi vendor. Kjo ka bërë që Kosova në tregun rajonal të jetë një ekonomi jo konkurruese”, thekson Keqa.

Sipas të dhënave zyrtare të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, kontributi i eksporteve në volumin tregtar është shumë i ulët dhe atë rreth 200 milionë euro në vit, kurse importi kalon shifrën e mbi 1 miliard euro.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG