Ndërlidhjet

Luftime në Ukrainë, pavarësisht armëpushimit


Kievi ka bërë të ditur se forcat e tij ushtarake janë sulmuar mbi 100 herë nga separatistët pro-rusë, pavarësisht marrëveshjes për armëpushim që ka hyrë në fuqi më 15 shkurt.

Ministri i Jashtëm ukrainas, Pavlo Klimkin, ka thënë se Ukraina është duke respektuar plotësisht armëpushimin dhe ka akuzuar, siç është shprehur, “terroristët nga Donjecku dhe Luhansku” për organizimin e sulmeve me artileri, morataja dhe raketa Grad.

Një zëdhënës i ushtrisë së Ukrainës është cituar nga agjencia Reuters të ketë thënë se pesë pjesëtarë të personelit të sigurisë janë vrarë dhe 25 të tjerë janë plagosur prejse armëpushimi ka hyrë në fuqi.

Luftimet vazhdojnë të jenë të përqendruara rreth qytetit Debaltseve dhe të dyja palët akuzojnë njëra-tjetrën për shkelje të armëpushimit.

Edhe Kievi edhe separatistët, kanë thënë se nuk do të nisin me tërheqjen e armëve të rënda nga vija e frontit për shkak të sulmeve të vazhdueshme.

Tërheqja e tankeve, artilerisë dhe raketave nga vija e frontit në lindje të Ukrainës duhet të bëhet gjatë tri javëve, nisur nga mesnata e sotme. Edhe ky veprim parashihet me marrëveshjen për armëpushim, të nënshkruar javën e kaluar në Minsk.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, e cila është edhe nënshkruese e marrëveshjes, ka bërë thirrje për zbatimin e plotë të saj.

“Situata është e brishtë, sidomos në Debaltseve. Kjo nuk ka qenë e papritur. Megjithatë, apeloj, ashtu si edhe të tjerët, që të respektohet armëpushimi”, ka thënë Merkel.

Bashkimi Evropian, në anën tjetër, ka thënë se të shtënat në lindje të Ukrainës duhet të ndalojnë plotësisht.

“Jemi duke ndjekur nga afër zbatimin e Marrëveshjes së Minskut. Nga vëzhguesit në terren dhe burimet e tjera kemi marrë vesh se armëpushimi, në masë të madhe, po respektohet, pavarësisht një numri incidentesh. Është e domosdoshme që armëpushimi të zbatohet plotësisht. Armëpushimi është armëpushim, të shtënat duhet të ndalojnë”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian, Maja Kocijançiq.

Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), e cila është përgjegjëse për monitorimin e armëpushimit, ka thënë se separatistët kanë bllokuar vëzhguesit e saj nga hyrja në Debaltseve.

OSBE-ja ka thënë se shumica e shkeljeve të armëpushimit janë bërë përreth zonës së Debaltseves, por edhe pranë qyteteve që kontrollohen nga rebelët, Donjeck dhe Luhansk.

Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, ka biseduar në telefon me ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov, dhe ka theksuar “rëndësinë e zbatimit të plotë të Marrëveshjes së Minskut”.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë se Marrëveshja e Minskut duhet të respektohet pa kushte nga të gjitha palët, por ai nuk ka përmendur në mënyrë të veçantë Debaltseven.

Forcat ukrainase në Debaltseve, e cila është një nyje e rëndësishme e transportit midis Donjeckut dhe Luhanskut, kanë zmbrapsur separatistët pro-rusë për disa javë.

Por, rebelët kanë thënë se kanë rrethuar plotësisht qytetin dhe, në këtë mënyrë, edhe mijëra trupa ukrainase.

Uashingtoni ka thënë se forca të rregullta ruse, së bashku me tanke dhe lëshues të raketave, kanë hyrë në Debaltseve në ditët para armëpushimit.

Rusia mohon mbështetjen për rebelët dhe thotë se nuk ka trupa në Ukrainë.

Zyrtarët thonë se mbi 5,400 njerëz janë vrarë prejse ka nisur konflikti midis forcave qeveritare të Ukrainës dhe atyre separatiste, në prill të vitit të kaluar.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG