Ndërlidhjet

Maqedoni: Polemika pas “shpërthimit të bombës së dytë”


Njohësit e çështjeve juridike, theksojnë se pas “shpërthimit të bombës së dytë” të liderit të partisë maqedonase në opozitë Zoran Zaev, me ç'rast janë publikuar dëshmi se vendimet gjyqësore si dhe emërimi i gjykatësve, bëhet me direktivë të njerëzve të afërt me pushtetin, besueshmëria e qytetarëve ndaj sistemit gjyqësor është e kuptueshme se është “zero”.

Aleksandar Tortevki, i cili punon si avokat më shumë se dy dekada, për Radion Evropa e Lirë thotë se sistemi gjyqësor me vite kontrollohet nga një grup i caktuar i afërt me pushtetin, por audio incizimet paraqesin dëshmi se në Maqedoni ka shumë procese gjyqësore të montuara.

“Bashkimi Evropian dhe Amerika kanë shpenzuar një mori mjetesh financiare për edukimim e prokurorëve publik dhe punonjësve në gjykata, duke i çuar disa herë në trajnime në SHBA, por ndërkombëtarët nuk mund të supozojnë se kot i kanë mësuar në seminare të ndryshme si të instalohet një sistem i pavarur gjyqësor, sepse është e pa imagjinueshme, që Ministria e Punëve të Brendshme t`i lajmërohet prokurorit publik për ta urdhëruar të anulojë një vendim gjyqësor”, thekson Tortevski.

Partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, edhe sot ka kërkuar që të kyçet faktori ndërkombëtar në zbardhjen e rastit "Puç", që ka të bëjë me përgjimet.

“Brukseli duhet të angazhohet drejtpërdrejtë në menaxhimin e situatës së ndërlikuar në vend, nëpërmjet të angazhimit të një ekipi që do të vijojë dialogun politik në mes të partive politike si dhe menaxhimin e procesit të zbardhjes së aferës së përgjimeve”, thuhet në kumtesën me shkrim të kësaj partie pasi lideri i partisë Ali Ahmeti edhe sot është takuar me diplomatët e huaj në vend.

Por, Lëvizja Besa në opozitë, thotë se “shpërthimi i dy bombave” të Zaevit, ka nxjerë në pah dy çështje thelbësore.

Afrim Gashi, thotë se me shpërthimin e bombës së parë sistemi i sigurisë ka rënë tërësisht ngase u bë e qartë se janë bërë përgjime në kundërshtim me ligjin dhe bomba e dytë e ka nxjerë në pah se sistemi gjyqësor kontrollohet nga aktorët politik dhe jo nga drejtësia.

“Dje e pamë shumë mirë se kush i ka vendosur, kush i jep urdhëra prokurorit, kush është ai që e urdhëron zëvendëskryeministrin shqiptar, kush i merr vendimet politike, dhe ato gjyqësore", thekson Gashi.

Ndëkohë, Aleksandar Tortevski, konsideron se përderisa ngritja profesionale e gjykatësve varet nga vullneti i ministrit të Punëve të Brendshme, siç është bërë e njohur nga audio incicimet e prezantuara nga ana e liderit të opozitës maqedonase Zoran Zaiev, është mëse e qartë se ai gjykatës nuk do të gjykojë në bazë të ligjeve dhe dëshmive, por në bazë të preferencave të atyre që e kanë ndihmuar të ngritet pofesionalisht.

“Pra, është mëse e qartë se viteve të fundit vendimet merren në vende të tjera dhe më së paku vendimet merren në gjykatë në bazë të dëshmive dhe ligjeve. Unë si avokat mbrojtës, jam ballafaquar me situatë kur si palë mbrojtëse dëshmitë e mija janë zhvleftësuar", shpjegon eksperincën e tij Tortevski.

Ndryshe, rasti "Puç" pritet të jetë në qendër të vëmendjes të komsionerit evropian për fqinjësi dhe zgjerim të BE-së, Johanes Han, i cili të hënën vonë arrinë në Shkup.

Paraprakisht, komisioneri evropian Johanes Han, disa herë ka tërhequr vërejtjen se Brukseli nga afër ndjekë zhvillimet në Maqedoni duke kërkuar që për rastin “Puç” të realizohet një proces gjyqësor i drejtë dhe transparent duke respektuar presumimin e pafajësisë.

XS
SM
MD
LG