Ndërlidhjet

Këtë vit, rreth 80 raste të tularemisë


QKUK
QKUK

Instituti kombëtar i Shëndetit Publik, ka shpallur epidemi në nivel vendi nga tularemia javën e kaluar.

Infektologu Izet Sadiku, ka thënë se rastet me tulatemi janë shtuar gjatë këtij viti.

"Në klinikën infektive, për një muaj e gjysmë kanë qenë 80 raste të hospitalizuara nga kjo sëmundje, me një dominim të rasteve nga komuna e Obiliqit, Skenderajit dhe Vushtrisë, por rastet paraqiten edhe nga të gjitha komunat tjera. Ndërkaq, prej janarit të vitit të kaluar janë 206 raste, andaj edhe javën e kaluar komisioni për sëmudnje ngjitëse ka shpallur epidemi në nivel vendi".

Tularemia është sëmundje e brejtësve që bartet tek njerëzit përmes ujit apo ushqimit të kontaminuar, qoftë përmes ajrit të ndotur apo edhe nga rriqrat. Sëmundja në njerëz paraqitet kryesisht në mënyrë sporadike dhe rrallë herë mund të ketë edhe forma epidemike.

"Sa i përket terapisë për sëmundjen, ka terapi të mjaftueshme dhe gjithë pacientët janë trajtuar në mënyrë adekuate dhe kanë shkuar në shtëpi. Por, që nga viti 1999 kur edhe është lajmëruar sëmundja për herë të parë, janë paraqitur gjithsejë 1.500 raste dhe asnjë person nuk ka vdekur nga kjo sëmundje në Kosovë", ka theksuar Sadiku.

Naser Ramadani, drejtor i Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, ka bërë të ditur se pothuajse të gjitha rastet me tularemi, janë diagnostikuar në laboratoret e Institutit Kombëtar.

"Rastet e tularemisë, janë diagnostikuar në laboratoret e Institutit Kombëtar dhe kjo tregon një rritje të numrit të rasteve. Andaj, ne si komitet i sëmundjeve ngjitëse, në nivel vendi, kemi aktivizuar të gjitha ekipet në teren në parandalimin e rasteve të sëmundjes dhe epidemia është nën kontroll të vazhdueshëm të ekipeve të Institutit Kombëtar".

Rastet e tularemisë janë regjistruar në 19 komuna, me 88 vatra. Ndërkaq, komunat që janë prekur më së shumti janë : Vushtrria, Obiliqi dhe Skenderaj, ndërsa me incidencë më të ulët janë komuna e Prizrenit, dhe Suhareka.

Sidoqoftë, zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë, thonë se janë ndërmarrë të gjitha masat që janë rekomanduar nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, dhe tashmë ka terapi të mjaftueshme për trajtimin e pacientëve.

Ndryshe, simptomat e tularemisë janë temperatura e lartë, ethe, kokëdhembje, anoreksi , dhimbje nyjesh e ndonjëherë edhe barkqitje.

XS
SM
MD
LG