Ushtria ukrainase thotë se nuk do të filloj me tërheqjen e armatimit të rëndë nga vija e frontit ngase separatistët e mbështetur nga Rusia ende nuk i kanë ndalur tërësisht sulmet.
Sipas marrëveshjes së ndërmjetësuar nga udhëheqësit e Gjermanisë dhe Francës, forcat qeveritare dhe rebelët do të duhej ta ndalnin zjarrin më 15 shkurt dhe të fillonin me tërheqjen e armatimit të rëndë jo më vonë se dy ditë.
Zëdhënësi i ushtrisë ukrainase, Anatoly Stelmakh, tha sot se ndonëse armiqësitë janë zvogëluar që nga marrja e Debaltseves nga separatistët, rebelët i kanë granatuar trupat qeveritare dy herë gjatë natës së kaluar.
Një zëdhënës tjetër, Vladyslav Seleznyov, tha gjatë një paraqitje televizive se nuk mund të tërhiqet armatimi i rëndë derisa vazhdojnë sulmet mbi pozicionet e ushtrisë ukrainase.
Stelmakh tha se Ukraina do ta tërheq armatimin, atëherë kur “armiku të ndaloj së sulmuari pozicionet tona”.