Ndërlidhjet

logo-print

Dyshime për zbardhjen e "aferës së përgjimeve" në Maqedoni


Ilustrim

Ilustrim

Për atë që tashmë njihet si aferë përgjimesh në Maqedoni, ekspertë të çështjeve të drejtësisë thonë se nuk mund të zbardhet nga organet gjyqësore, pasi ato "janë pjesë e krimit, e dhunimit dhe devalvimit të skajshëm të pavarësisë së gjyqësorit në vend".

Prononcimet e këtyre ekspertëve pasojnë deklaratat në vazhdimësi të drejtuesve të institucioneve se "nuk do të komentojnë bisedat e përgjuara telefonike [të publikuara nga opozita] deri sa për të mos ketë epilog gjyqësor".

Osman Kadriu, profesor i së drejtës kushtetuese në Universitetin Fon të Shkupit, thotë se "nga bisedat e publikuara janë konfirmuar dyshimet se gjyqësori është në shërbim të pushteti dhe se të gjithë angazhimet për gjoja reformat e realizuara kanë rënë në ujë".

Sipas tij, në një situatë të këtillë është absurde të kërkohet që skandali të zgjidhet nga prokurori publik, i cili anulon lëndë gjyqësore sipas urdhërave të pushtetit, apo kur zgjedhja e gjykatësve bëhen në bazë të meritave partiake.

“Ky gjyqësor me këtë kapacitet që ka dhe me këtë raport që ka krijuar me pushtetin assesi nuk do të ketë mundësi që t'i zbërthejë këto çështje. Pjesë e gjyqësorit është edhe prokuroria, e cila gjithashtu është e përfshirë në korrupsion dhe vepra të ndryshme për të cilat duhet të përgjigjet. Pra, ky gjyqësor e ka humbur kredibilitetin dhe legjitimitetin që të ushtron procedura gjyqësore, apo kompetencën e tij“, thotë Osman Kadriu.

Kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, por edhe të gjithë ministrat e kabinetit të tij, e të cilët opozita i akuzon se janë pjesë e audio-incizimeve të publikuara, nuk kanë komentuar bisedat e përgjuara telefonike, ndonëse pretendohet se kanë ndërhyrë, siç thuhet, "në punën e gjyqësorit, në kurdisjen e lëndëve gjyqësore, zgjedhjen e gjykatësve, prokurorëve, pastaj në flasifikimin e zgjedhjeve, kontrollimin e punës së mediave", e në shumë çështje tjera. Ata thonë se për pretendimet e opozitës do të prononcohen vetëm pasi të ketë një epilog nga organet gjyqësore.

Çështja e gjyqësorit ka qenë temë e bisedës edhe mes ambasadorit amerikan, Xhes Bejli, me njërin nga liderët e opozitës, Andrej Zhernovski, i cili drejton edhe komunën Qendër të Shkupit, ku edhe pretendohet se ishin bërë manipulimet më të mëdha zgjedhore. Zhernovski thotë se ka kërkuar ndihmën e ambasadorit amerikan që skandali me përgjimet të hetohet nga një prokuror special i pavarur.

“Ky do të duhej të ishte hapi i parë. Vlerësoj se është shumë me rëndësi që të emërohet një prokuror vërtetë i pavarur në Madedoni. Kishim mbështetje për këtë ide dhe besoj se duhet të gjejmë një person të tillë“, thotë Zhernovski.

Duke komentuar zërat për prokuror special dhe të huaj, Zhernovski thotë se besimi në institucione duhet të kthehet nga njërëzit brenda vendit, i bindur se në Maqedoni ka kuadro që do të mund të përballeshin me krizën e krijuar.

Por, profesori Osman Kadriu thotë se pa dorëheqjen e qeverisë aktuale vështirë se do të krijoheshin kushte që gjyqësori vendas të përballet me këtë aferë të madhe. Ai si alternativë për zgjidhjen e krizën sheh ndërhyrjen nga jashtë, në një formë të protektorarit për të ngritur institucionet, që sipas tij kanë humbur legjitimitetin.

“Unë jam i mendimit se këtu duhet të intervenon bashkësia evropiane së bashkë me SHBA-të, me themelimin e ndonjë organi, por jo në kuptimin e komisioneve për të mos u zbërthyer problemi, por një institucion i cili do të angazhohej konkretisht, që do të ishte efikas dhe me kompetencë në vendim-marrje“, thotë Osman Kadriu, ekspert i çështjeve kushtetuese.

XS
SM
MD
LG