Ndërlidhjet

Pagat e mjekëve, të pamjaftueshme?


Ilustrim
Ilustrim

Paga e mjekut specialist është rreth 600 euro në muaj, derisa infermieri për punën që kryen, paguhet rreth 300 euro në muaj.

Me gjendjen aktuale financiare nuk është e kënaqur kjo kategori e shoqërisë. Andaj shumë mjekë punojnë edhe në sektorin privat.

Federata Sindikale e Shëndetësisë është duke e zhvilluar një anketë, ku del se një mjek specialist ka kërkuar ta ketë pagën e një deputeti, në mënyrë që të punojë vetëm në sektorin publik.

Ndryshe, 120 deputetë të Kuvendit të Republikës se Kosovës, marrin pagë mujore mbi 1500 euro në muaj, derisa gëzojnë edhe të drejta shtesë materiale për çdo aktivitet të tyre.

Pagat mujore në Kosovë për shtresat tjera të popullsisë sillen nga 130 deri në mbi 400 euro.

Blerim Syla, kryetar i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, thotë se shëndetësia duhet të jetë prioritet i Qeverisë, duke e marrë parasysh rëndësinë e saj.

E kemi bërë një anketë preliminare dhe mjekët kanë qenë shumë modest, derisa kanë kërkuar 1500 euro, në mënyrë që të mos punojnë në sektorin privat. Por, nuk e di sa janë qeveritarët të vetëdijshëm që sektori i shëndetësisë, arsimit dhe ai i sigurisë duhet të paguhen veçmas sektorëve të tjerë...”.

“Ne e dimë situatën ekonomike në vend, por është bazike që pagat e mjekëve specialistë duhet të arrijnë pagën e një deputeti dhe do të mbyllet përgjithmonë kapitulli mes sektorit privat dhe publik. Përfundimisht, mjekët nuk kanë kërkuar nga 4 mijë euro, por nivelizimin - që të kenë pagën e një deputeti, ndonëse shumë deputetë marrin pagë edhe pse janë të pashkolluar”, thotë Syla.

Në sektorin e shëndetësisë nuk ka nivelizim të pagave. Mjekët, qofshin ata specialistë ose jo, punojnë në shërbimin primar, sekondar apo terciar, paguhen me të njëjtën pagë. Në lidhje me këtë Syla thotë:

“Zgjidhja më e mirë do të ishte të bëhet nivelizimi i pagave në bazë të shkollimit që e kanë. Atëherë, mjekët do të zgjedhin mes sektorit privat dhe publik. Kosova është një rast unik pasi që paga është lineare dhe nuk ka nivelizim pagash”.

Ndryshe, si rezultat i pagave të ulëta dhe sistemit jo të mirë shëndetësor, vetëm për tre vjet nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian kanë ikur rreth 400 mjekë.

Ilir Hoxha, këshilltar për projektin që po implementohet në bashkëpunim me Federatën Sindikale të Shëndetësisë, thotë se kanë për qëllim përkrahjen e reformës shëndetësore, si dhe afrimin e informatave për sistemin shëndetësorë te politikë-bërësit.

“Ne mundohemi që, së bashku me shoqërinë civile që përfaqësojnë profesionistët shëndetësorë dhe pacientët, t’u ofrojmë informata aktorëve politikë, që t’i ndihmojmë dhe të dizajnojmë si duhet skemën e sigurimeve shëndetësore. Në kuadër të projektit, kemi studiuar preferencat e profesionistëve shëndetësorë për sistemin e pagesës”.

“Ajo pse e kemi bërë këtë, ndërlidhet me atë, se sa ndikon paga në punën e mjekëve. Ish-ministri Shëndetësisë, Ferid Agani, është munduar të mos lejojë që mjekët të punojnë edhe në sektorin publik, edhe në atë privat përmes ligjit. Por, kjo mendoj se do të mund të bëhet edhe përmes rregulloreve të brendshme, e që ne jemi duke punuar”, sqaron Hoxha.

Sidoqoftë, zyrtarë të Ministrisë së Financave kanë deklaruar se tashmë janë duke punuar një Ligj të veçantë për pagat, ligj i cili do të aplikohet për të gjithë të punësuarit që paguhen nga buxheti i Kosovës.

XS
SM
MD
LG