Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara ka dënuar dhunën e vazhdueshme në Jemen, ku rebelët Houthi kanë marrë kontrollin e kryeqytetit Sana qysh në muajin shtator dhe kanë detyruar qeverinë të japë dorëheqje.
Në deklaratën e miratuar dënohen “veprimet e njëanshme” të rebelëve dhe theksohet gatishmëria e Këshillit për të marrë “masa të mëtejshme" kundër çdo pale që pengon rrugën e paqes në Jemen.
I dërguari i posaçëm i OKB-së për Jemenin, Jamal Benomar, ka paralajmëruar se ky vend “është në prag të luftës civile”.
Ai ka thënë se konflikti atje mund të jetë i ngjashëm me Irakun, Sirinë apo Libinë.