Ndërlidhjet

Përpjekjet e fundit në bisedimet bërthamore

  • RFE /RL

Negociatorët nga Irani dhe 6 fuqitë botërore, janë në bisedime për arritjen e marrëveshjes kornizë, me të cilën do të kufizohej programi bërthamor i Iranit, në këmbim për lehtësime të sanksioneve ndërkombëtare ekonomike.

Negociatat janë intensifikuar për shkak të afatit, që ishte caktuar nga vetë pjesëmarrësit në bisedime, për arritjen e marrëvshjes lidhur me mospajtimet tashë 12 vjeçare për shkak të aktiviteteve atomike të Iranit, për të cilat shtetet perëndimore kanë shqetësime se synojnë zhvillimin e kapaciteteve për armatim bërthamor.

Irani e refuzon këtë akuzë dhe thotë se programi i tij atomik, ka vetëm qëllime civile.

Marrëveshja e hap rrugën për finalizim

Marrëveshja politike kornizë, nëse arrihet, do ta hapte rrugën për marrëveshje të plotë deri më 30 qershor.

Diplomatët e lartë nga gjashtë fuqitë botërore: Shtetet e Bashkuara, Rusia, Franca, Kina, Britania dhe Gjermania, janë takuar të martën mes vete dhe pastaj janë takuar me ministrin e jashtëm të Iranit, Muhammad Javad Zarif.

Ministri i jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov, i cili ishte në Lozanë të Zvicrës, ku po mbahen negociatat, tha se parashikimet për sukses “nuk janë të këqia”.

“Perspektivat për këtë raund të bisedimeve nuk janë të këqija, do të thosha se bile janë të mira. Gjasët janë të larta. Ato me gjasë nuk janë 100%, por ju kurrë nuk mund të jeni të sigurt 100% për asgjë. Kjo gjasë mund të realizohet nëse asnjëra nga palët në bisedime nuk shtron kërkesa të reja në minutën e fundit, duke shpresuar se do të fitoj diçka shtesë në shkallën finale”, tha Sergei Lavrov, duke u angazhuar për “ruajtje të balancës së interesave”.

Pengesë – pasurimi i uraniumit

Raportohet se njëra nga pengesat për arritjen e marrëveshjes eventuale është refuzimi i Iranit, që ta ulë programin e pasurimit të uraniumit, të cilin fuqitë perëndimore e kërkojnë me këmbëngulje, për ta zvogëluar potencialin e Iranit për prodhimin e materialit në shkallë të nivelit të armatimit.

Çështje tjetër, që e pengon progresin, është koha e tërheqjes së sanksioneve, të cilat aktualisht po e dëmtojnë ekonominë e Iranit.

Gjashtë fuqitë botërore dëshirojnë më tepër se 10 vjet pezullim të procesit të pasurimit të uraniumit, në kuadër të progarmit bërthamor iranian.

Irani, që thotë se programi atomik është vetëm për prodhimin e energjisë dhe për qëllime të tjera paqësore, dëshiron tërheqje të menjëhershme të sanksioneve në këmbim për kufizime të përkohshme të aktiviteteve të tij atomike.

Po ashtu, Teherani kërkon të drejtën e papenguar të kërkimit dhe zhvillimit të centrifugave atomike, pas kalimit të periudhës 10 vjeçare.

Ministri i jashtëm gjerman, Frank-Walter Steinmeier, tha se “neve ende na duhen shumë lëvizje nga të gjitha palët, po ashtu edhe në anën e Iranit”.

Zyrtarët perëndimorë thonë se Teherani, aktualisht, është tërhequr nga propozimet e mëparshme, për të cilat kishte sugjeruar se do t’i pranoj, siç është transportimi i sasive të uraniumit të pasuruar nga Irani në Rusi.

Por, një zëdhënëse e Departamentit amerikan të shtetit, tha se kurrë nuk është arritur marrëveshje e caktuar për transportin e uraniumit jashtë Iranit, dhe se ka edhe mënyra të tjera për ta kufizuar qasjen e Iranit tek uraniumi, që mund të përdoret si karburant atomik dhe për prodhimin e armatimit, varësisht nga niveli i pasurimit.

Zyrtarët e afërt me negociatat në Lozanë të Zvicrës, thanë se uraniumi i depozituar mund të dobësohet.

Zëvendësministri i jashtëm iranian, Abbas Araqchi, i tha televizionit shtetëror iranian se ka pak gjasë që në bisedime të arrihet ndonjë konkluzion deri në mesnatë ose “një ditë më vonë”.

Çka ndodhë nëse nuk plotësohet afati?

Nuk është menjëherë e qartë se çka do të ndodhë nëse nuk arrihet marrëveshja deri në mesnatë.

Bisedimet tashmë janë zgjatur dy herë, prej se ishte arritur një marrëveshje e përkohshme në nëntor të vitit 2013.

Pjesa më e madhe e vendeve të përfshira në negociata, tashmë kanë sinjalizuar se nuk dëshirojnë t’i vazhdojnë bisdimet, pas afatit të caktuar nga vetë pjesëmarrësit, por theksojnë se marrëveshja e përkohshme mund të mbetet e tillë çfarë është, deri në korrik të këtij viti, duke sugjeruar se bisedimet mund të vazhdojnë.

Kritika nga Kongresi amerikan dhe Izreli

Çfarëdo vazhdimi i bisedimeve, me gjasë, do të kritikohet nga Izraeli dhe rivalët republikanë të presidentit amerikan, Barack Obama, që thonë se kanë shqetësime se shtetet perëndimore janë tepër të gatshme për të bërë kompromis me Iranin.

Kritikët e Iranit për një kohë të gjatë pretendojnë se Teherani po luan për të fituar kohë, derisa po i përmirëson kapacitetet e tij atomike, në kundërshtim të qartë të sanksioneve ekzistuese të imponuara nga Kombet e Bashkuara.

Kongresi i Shteteve të Bashkura ka tërhequr vërejtjen se do ta shqyrtojë mundësinë e imponimit të sanksioneve të reja kundër Iranit, nëse nuk arrihet marrëveshje këtë javë, megjithqë presidenti Obama është kërcënuar se do ta shfrytëzonte të drejtën e vetos, nëse ndodhë një lëvizje e tillë.

Mosrespektimi i afatit po ashtu, mund ta dobësojë një pjesë të politikanëve të moderuar në Iran, në ballafaqim me konservatorët e linjës së fortë.

Përgatiti: Fatmir Bujupi
XS
SM
MD
LG