Ndërlidhjet

Ndonëse liqeni i Batllavës dhe ai i Badovcit në Kosovë, kanë arritur nivelin maksimal të ujit, reduktimet në furnizim me ujë të pijshëm po vazhdojnë. Kjo gjendje me ujë të pijshëm po vazhdon tash e 16 vjet.

Arjeta Mjeku, zëdhënëse e ujësjellësit rajonal Prishtina, tha për Radion Evropa e Lirë se kompania në fjalë, me ndërtimin e saj është paraparë t'i furnizojë me ujë të pijshëm rreth 250 mijë banorë, në Prishtinë dhe rrethinë, derisa shton se tashmë kjo kompani furnizon rreth 550 mijë banorë.

"Menjëherë pas reshjeve të shiut mbi vendin tonë, niveli i ujit në të dyja liqenet ka arritur kuotën maksimale, ku kemi edhe kapërderdhje. Niveli i ujit në liqenin e Batllavës është mbi 8 centimetra përtej kuotës maksimale, derisa edhe ai i Badovcit kohët e fundit ka tejkaluar kuotën maksimale".

"Kjo u garanton qytetarëve të Prishtinës me rrethinë, ujë të mjaftueshëm për verën e vitit 2015, mirëpo edhe me një shpenzim racional të ujit të pijshëm nga ana e qytetarëve".

Zonja Mjeku jep edhe arsyet pse do të vazhdojnë reduktimet e ujit edhe më tej.

‘’Kapacitetet teknike i lënë në fuqi edhe reduktimet e ujit, deri sa të ndërtohet fabrika e ujit në Shkabaj, që parashihet të përfundojë në shtator të vitit 2016".

"Deri atëherë, shpresojmë që do të shkurtojmë reduktimet në mënyrë që të jenë sa më minimale, dhe të mos vërehen shumë nga qytetarët’’, shton Mjeku.

Mynavere Kada, arsimtare e gjuhës shqipe, që jeton në lagjen Bregu i Diellit, nuk është e kënaqur me reduktimet e ujit.

"Përkundër faktit që kohëve të fundit ka pasur shumë reshje të shiut dhe mendoj se ujë ka mjaft, reduktimet nuk janë ndalur. Arsyet nuk i di, por për ne si qytetarë është shumë e vështirë jeta me reduktime të ujit. E kjo po zgjatë tashmë me vite të tëra. Shpresoj të rregullohet sa më shpejtë".

Në anën tjetër, Naser Ramadani drejtor nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, flet edhe për pjesën tjetër të popullatës që nuk është e kyçur në rrjetet e ujësjellësit.

"Rreth 60 për qind e popullatës furnizohen nga puset, burimet e bunarëve. Duke e pasur parasysh se vërshimet paraqesin gjendje të jashtëzakonshme ku mund të përkeqësohet edhe cilësia e ujit të papërpunuar nga të reshurat , dëmtohen sistemet e kanalizimit dhe kontaminohen puset, ku një pjesë e popullatës furnizohen me ujë të pijshëm".

"Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, ka në kompetencë monitorimin e ujit për pije për kompanitë që e furnizojnë popullatën me ujë të pijes, dhe ne çdo herë i informojmë qytetarët për kualitetin e ujit", thekson Ramadani.

Sipas deklaratave të zyrtarëve nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, rreth 50 për qind e sëmundjeve ngjitëse në Kosovë e kanë burimin nga kualiteti i dobët i ujit.

Bashkësia Evropiane, në bashkëpunim me institucionet vendore, është duke kontribuar që deri në vitin 2020, të mos mbetet asnjë vendbanim në Kosovë pa u furnizuar me ujë higjienik për pije.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG