Ndërlidhjet

Polemika në Kuvend për 100 ditëshin e qeverisë


Me debate e polemika të shumta, Kuvendi i Kosovës ka diskutuar për 100 ditët e para të punës së Qeverisë. Debati i thirrur nga opozita, ka nisur me diskutimin e deputeti të Lëvizjes Vetëvendosje, Glauk Konjufca, si nismëtar i kësaj pike të rendit të ditës.

Ai i ka fajësuar dy partitë e koalicionit, Partinë Demokratike të Kosovës dhe Lidhjen Demokratike të Kosovës, për keqqeverisje ndër vite.

Kurse për kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa, Konjufci ka thënë se "ai mbahet në mend për deklarata të ashpëra në raport me deputetët e LDK-së që nuk e votuan atë për kryeministër, deklarata të ashpëra edhe në raport me qytetarët që migruan jashtë vendit, por edhe me deklaratat se Forcat e Armatosura të Kosovës nuk do të mund të shkojnë në veri të Kosovës".

"Kjo qeveri e përbërë nga PDK-ja dhe LDK-ja, të cilat mendoj që nga viti 2001, janë përgjegjëse për pesë gjëra shumë të rëndësishme në Kosovë, e që janë, ngecje në zhvillimin ekonomik, lulëzimin e korrupsionit kronik në institucionet tona, degradimin e sistemit të arsimit, erozionin e sovranitetit shtetëror dhe ngulfatje të drejtësisë", ka thënë Konjufca.

Ndërkohë, kryeministri Isa Mustafa, i ka quajtur të pavërteta deklaratat e deputetit Konjufca.

Ai ka përmendur faktin që ditët e para të qeverisjes ishin të vështira të përcjella me greva e protesta, por ka shprehur bindjen se situata ishte menaxhuar mirë.

Mustafa tha se programi i tij qeverisës "mbështetet në pesë shtylla kryesore, ku bëjnë pjesë, zhvillimi ekonomik, punësimi dhe mirëqenia, shteti ligjor, agjenda evropiane dhe reformat në arsim e shëndetësi".

"Vetëm një qeverisje e bazuar në ekonomi të tregut dhe shtetin ligjor, mund ta forcoj besimin e qytetarëve të Kosovës dhe partnerëve tanë ndërkombëtar në vitalitetin e Kosovës si shtet i ri dhe i pavarur. Një Kosovë demokratike ku sundon ligji dhe respektohen të drejtat e secilit pa asnjë dallim, që promovon zhvillimin ekonomik dhe mirëqenien, që siguron lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe që promovon shoqërinë e dijes", ka thënë Mustafa.

Ndërkaq zëvendëskryeministri i parë dhe ministri i Punëve të Jashtme në Qeverinë e Kosovës, Hashim Thaçi ka paraqitur objektiva afatshkurta dhe afatgjata, që nisin nga liberalizimi i vizave e deri te njohjet e reja dhe anëtarësimi i Kosovës në organizata e mekanizma ndërkombëtar.

"Synimet afatshkurta për këtë vit do të jenë, nënshkrimi i marrëveshjes për Stabilizim e Asociim, aplikimi për anëtarësim në Këshillin e Evropës si dhe ta bindim Komisionin Evropian që brenda këtij viti të rekomandoj liberalizimin e vizave për Kosovën. Synime afatgjata mbesin fuqizimi i subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës, me theks të veçantë në sigurimin e njohjes nga pesë vendet e mbetura nga Bashkimi Evropian si dhe puna për t'u bërë anëtare e Kombeve të Bashkuara", ka thënë Thaçi.

Në anën tjetër, kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se shteti i Kosovës është i kapur, duke i veçuar si problemet kryesore krimin e organizuar dhe korrupsionin.

"Sipas bindjes sime, nëse nuk e trajtoni gjendjen në vend, ju do ta fundosni edhe Kosovën edhe veten, pra edhe këtë qeveri. Pra, duhet ta kuptoni që ç'kapja e shtetit është parametri i parë si edhe ndalja e korrupsionit", ka theksuar Haradinaj.

Prezantimet e kryeministrit Isa Mustafa dhe zëvendësit të tij Hashim Thaçi, për kryetarin e partisë Nisma, Fatmir Limaj, u kuptuan si tregues për dualizma në drejtimin e koalicionit aktual qeverisës.

"Situata është e rëndë në këtë qeverisje. Në çdo vend në botë del kryeministri raporton për punën e vet dhe kabinetin qeveritar, kurse ne sot i dëgjuam dy raporte, qeveria Mustafa dhe qeveria Thaçi", u shpreh Limaj.

Debati pritet të vazhdoj edhe të premten. Opozita ka përgatitur edhe disa rekomandime për kryeministrin dhe qeverinë e Kosovës të cilat pret që t'i sjellë në votim në fund të debatit.

Mes tjerash kërkohet që qeveria të jetë më transparente dhe të jap llogari para Kuvendit, qoftë për vendime të mëdha me implikime të brendshme apo edhe në lidhje me bisedimet me Beogradin.

Megjithatë, për miratimin e këtyre rekomandimeve në fund të debatit opozita do të ketë nevojë për mbështetjen e pozitës pasi që nuk i ka votat e mjaftueshme.

XS
SM
MD
LG