Ndërlidhjet

A ia vlejti që Irani të presë për marrëveshjen bërthamore?

  • RFE /RL

Presidenti iranian Hassan Rohani (majtas) dhe Ministri iranian i naftës, Bijan Namdar Zangeneh (në mes) gjatë përurimit të një faze të re të gazit në Assalouyeh.

Presidenti iranian Hassan Rohani (majtas) dhe Ministri iranian i naftës, Bijan Namdar Zangeneh (në mes) gjatë përurimit të një faze të re të gazit në Assalouyeh.

Shkruan: Mark Baker

Për shumë vjet, zyrtarët iranianë kanë insistuar që vendi i tyre ka të drejtë ta pasurojë uraniumin. Ky pozicion, i bashkëdyzuar me dyshimin në të gjithë botën se republika islamike ishte duke ndërtuar armë bërthamore, e ka kthyer këtë vend në një shtet të shtresës së ulët.

Komuniteti ndërkombëtar kishte vendosur sanksione të ashpra në vitin 2011 dhe 2012, si mënyrë për ta detyruar Iranin që të hapë programin e saj bërthamor. Këto sanksione e kanë pasur si cak eksportin më të vlefshëm iranian, naftën.

Ndalesat jo vetëm që e dëmtuan ekonominë, por vunë një shenjë të zezë mbi tërë shtetin, në përgjithësi.

Qindra miliarda të humbura

Ndonëse është e pamundshme që të llogaritet kostoja e humbjeve të Iranit dhe izolimit ndërkombëtar që pasoi, kjo humbje padyshim se arrin në dhjetëra, nëse jo qindra miliardë dollarë.

Vetëm sa i përket humbjeve në të ardhurat e gjeneruara nga nafta, ministria e kësaj pasurie në Iran, në vitin 2013 kishte vlerësuar se kombinimi i embargos së BE-së dhe sanksioneve amerikane, vendit i kushtonin nga 4 deri në 8 miliardë dollarë humbje në muaj.

Në vitin 2012, të ardhurat nga eksporti i naftës ranë për 26 miliardë dollarë në krahasim me vitin paraprak.

Dhe, humbja nga eksporti i naftës nuk është e vetmja humbje. Kufizimet në eksportet e tjera iraniane, përfshirë edhe ato në bujqësi, industrinë e automobilave, rindërtimit, si dhe kufizimet në transaksionet financiare kanë shkaktuar humbje po aq të mëdha, nëse jo më të mëdha se humbjet nga nafta.

Ekonomia iraniane kanë qenë në recesion apo gati para greminës për shumë vite. Fondi Monetar Ndërkombëtar ka thënë se ekonomia iraniane në vitin 2014 është rritur vetëm për 1.5 për qind.

Në vitin 2015, ekonomia e këtij shteti nuk pritet t’ia kalojë shumë më mirë, pasi rënia e çmimeve të naftës ka shtuar problemet për këtë vend, ndërsa lehtësimi i sanksioneve do edhe disa muaj para se të bëhet.

A ia vlejti pritja?

A do t’ia kalonte Irani më mirë nëse do të bashkëpunonte me komunitetin ndërkombëtar nga fillimi i programit të saj bërthamor?

Duke e gjykuar këtë, thjesht, në bazë të marrëveshjes fillestare të arritur më 2 prill, vështirë se gjërat duken mirë për Iranin.

Marrëveshja e shtyn shumë kohën që Iranit i duhet për ta pasuruar uraniumin deri në më së paku një vit. Koha aktuale që Iranit i duhet për pasurim të uraniumit, është dy deri në tre muaj.

Irani, gjithashtu, është pajtuar që të zvogëlojë numrin e centrifugave të instaluara që përdoren për pasurim të uraniumit dhe të reduktojë stoqet e uraniumit që tashmë konsiderohet i pasuruar, një material që mund të përdoret për ndërtimin e armës bërthamore.

Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Bërthamore (IAEA) i është siguruar “qasje e rregullt” në të gjitha objektet bërthamore të Iranit.

“Nga këndvështrimi i mospërhapjes së energjisë bërthamore, parametrat e vendosur në këtë marrëveshje, janë shumë të fuqishëm. Kjo marrëveshje e bllokon rrugën e Iranit për të ndërtuar armë bërthamore, duke përdorur uraniumin dhe plutoniumin. Marrëveshja vendos edhe monitorim të rreptë dhe verifikim që të mos lejohet devijim nga marrëveshja”, thotë Kelsey Davenport, drejtor i Politikave të Mospërhapjes në Asociacionin e Kontrollimit të Armëve.

Në këmbim të kësaj, Irani pret një heqje të shpejtë të sanksioneve më të rënda, nëse gjithçka shkon sipas planit.

Me fjalë të tjera, marrëveshja e arritur e kthen status quo-në e viteve 2000 – 2002 apo vitin 2009, kur Irani e kishte mundësinë që të niste bisedimet pa kaluar tre vjet të sanksioneve shumë të rënda.

Ali Vaez, analist i Grupit të Krizave me seli në Bruksel, thotë se Irani, megjithatë e ka arritur një përfitim gjatë këtyre viteve.

“Iranianët kanë arritur progres jashtëzakonisht të madh, dhe tani janë mjeshtër sa i përket dijenisë rreth energjisë bërthamore. Për këtë nuk mendoj se ka dyshim. Por, kjo është arritur me një çmim të madh”, thotë Vaez.

Scot Lucas, specialist mbi Iranin në Universitetin Birmingham në Britani, dhe redaktor i faqes së internetit, “EA World View”, ka thënë se koha e papërshtatshme mund të fajësohet për mosarritjen e marrëveshjeve më 2009, por edhe fakti që Irani ndërkohë kishte bërë disa gabime.

"Iranianët e bënë një gabim të madh në vitin 2009... Ata mund ta siguronin një marrëveshje shumë më të mirë në vitin 2009 në Gjenevë. Atyre nuk do t’iu duhej të kalonin vite të vështira me sanksione dhe se tani do të ishin në një pozitë ekonomike shumë më të mirë”, thekson Lucas.

Iranianët në tërë botën e festuan arritjen e një marrëveshje që premton jo vetëm rikthimin e prosperiteti, por edhe një hapje ndaj botës. Pyetja që mbetët është pse u prit kaq gjatë.

Gazetari i Radios Evropa e Lirë, Frud Bezhan ka kontribuar në këtë raport.

Përgatiti: Artan Haraçia

XS
SM
MD
LG