Ndërlidhjet

Mbyllja e mjeteve të informimit “është e pajustifikueshme”


Turqia ka bllokuar të hënën përkohësisht qasjen në Twitter, Facebook dhe YouTube. Veprimi është ndërmarrë pas publikimit të fotografive të prokurorit të vrarë turk, Mehmet Selim Kiraz. Ky i fundit është marrë peng në Stamboll, nga një grup radikal i majtë, dhe ka vdekur nga plagët e plumbave.

Por, me mbylljen e mediave sociale, shumë mendojnë se nuk ka mbetur vend për të shprehur zemërim, shkruan gazeta Guardian.

Në Turqi, Twitter, Facebook dhe YouTube, gjatë tre vjetëve të fundit, janë shndërruar në arena politike, ku mbështetësit e të gjitha besimeve politike shpenzojnë orë pa fund duke argumentuar, luftuar dhe sulmuar njëri-tjetrin. Guardian shkruan se mediat sociale reflektojnë natyrën e gjallë të shoqërisë turke.

Gazeta britanike vlerëson se mbyllja e platformave të tilla është gjëja më e keqe që një shtet mund t’iu bëjë qytetarëve, pasi ai është i obliguar që t’iu sigurojë atyre liri të shprehjes.

Vendimi për të publikuar imazhet e njerëzve të vrarë mund të jetë i diskutueshëm dhe jo i drejtë, por mbyllja e mjeteve të informimit është e pajustifikueshme, thuhet në artikullin e gazetës Guardian.

Turqia ka bllokuar përkohësisht Twitter-in dhe YouTube-in në prag të zgjedhjeve lokale në mars të vitit 2014. Veprimi në atë kohë ka pasuar daljen në pah të disa audio-incizimeve, të cilat flisnin për korrupsion në qarkun e brendshëm të kryeministrit të atëhershëm, Recep Tayyip Erdogan.

Ky vendim po ashtu ka shkaktuar zhurmë publike dhe është kritikuar ashpër nga komuniteti ndërkombëtar.

Të hënën, drejtësia turke ka thënë se ka urdhëruar mbylljen e platformave sociale, pasi të njëjtat nuk kanë hequr fotografitë shqetësuese të prokurorit të vrarë.

Fotografitë janë shpërndarë gjerësisht në internet dhe disa gazeta i kanë botuar ato në ballinat e tyre.

Gazeta Wall Street Journal ka cituar firmat teknologjike të kenë thënë se ato largojnë përmbajtjen që është e paligjshme ose cenon kushtet e tyre të shërbimit, porse janë gjithashtu të kujdesshme në përcaktimin e precedentëve.

Wall Street Journal po ashtu kujton se çështja e mediave sociale është bërë një prioritet i lartë në Evropë, pasi organizatat terroriste, të tilla si Shteti Islamik, i përdorin ato si mjete për rekrutim.

Po sipas gazetës, Qeveria në Ankara ka miratuar disa ligje për internetin vitin e kaluar, të cilat u lejojnë autoriteteve të mbyllin ueb-faqet deri në 48 orë, pa urdhër gjykate, me qëllim, siç thuhet, mbrojtjen e të drejtave individuale, sigurisë kombëtare dhe rendit publik.

Këto ligje janë kritikuar nga aleatët perëndimorë të Turqisë, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian, kujton Wall Street Journal.

“Turqia bllokon mediat sociale – një tjetër reagim i tepruar që kufizon lirinë e shtypit, lirinë e fjalës”, ka shkruar në Twitter eurodeputetja Marietje Schaake, në lidhje me bllokadën e së hënës.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG