Ndërlidhjet

Janë shumë produkte të cilat prodhohen në Kosovë dhe të njëjtat mund t'i zëvendësojnë prodhimet të cilat importohen nga vendet tjera, vlerësojnë përfaqësues të bizneseve në Kosovë.

Prodhimet nga përpunimi i drurit, hyjnë në kategorinë e produkteve vendore që mund ta zëvendësohen me ato të importuara.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, ka treguar për Radion Evropa e Lirë se shumë kompani në Kosovë prodhojnë produkte cilësore, por që ende nuk e kanë fituar besimin e plotë nga konsumatorët.

Sipas Gërxhaliut, është mjaft shqetësues fakti kur shumë produkte vendore të cilat janë mjaft cilësore, importohen në masë të madhe nga shtetet tjera.

“Në Kosovë sot ekzistojnë mbi një mijë kompani të ndryshme që merren me përpunimin dhe prodhim të mobileve, dritareve qoftë nga druri, qoftë nga alumini qoftë nga materialet tjera, po ashtu ekzistojnë kompani që merren me prodhimin e kuzhinave që janë të pranuara shumë mirë në tregjet evropiane si në Itali Holandë dhe në Zvicër”, tregon Gërxhaliu.

Kompanitë në Kosovë të cilat merren me prodhimin e mobileve, sipas përfaqësuesve të Shoqatës së përpunuesve të drurit, kanë arritur një zhvillim mjaft të madh viteve të fundit.

Arieta Vula, drejtoreshë e kësaj shoqate, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se këto produkte kanë arritur që të eksportohen edhe në vende të ndryshme të Evropës, ku Gjermania dhe Zvicra, tregon ajo, janë konsumatorët kryesor të këtyre produkteve.

“Investimet e reja dhe teknologjitë në kompanitë e industrisë së drurit që është sot prezente në Kosovë janë mjaft me kapacitet të lartë dhe plotësojnë të gjitha nevojat në Kosovë dhe mund edhe të eksportojnë, por që ky eksport ende nuk është ne nivelin e duhur”, tregon Vula.

Sipas saj, këto produkte kanë arritur në masë të konsiderueshme që të zëvendësojnë importet, të cilat para disa viteve kanë qenë shumë më të larta.

“Sa i përket mobileve në përgjithësi, duke përfshirë dhomat e gjumit, kuzhinat, dhe produktet tjera si dyer e dritare, kanë arritur bukur shumë ta zvogëlojnë importin, pasi që kemi prodhues mjaft të mirë që ofrojnë kualitet”, thekson Vula.

Sidoqoftë, të dhënat nga Tregtia e Jashtme në Kosovë, tregojnë për një deficit tregtar më të lartë për muajin shkurt 2015 prej 140.5 milionë euro krahasuar me deficitin prej 136.2 milionë euro me periudhën e njëjtë të vitit 2014.

Eksporti mbulon importin me vetëm 14.2 për qind.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu thotë se për të zbutur këtë deficit të lartë tregtar, duhet të mbështeten dhe të mbrohen prodhuesit vendorë.

“Duhet të kuptohet një realitet i hidhur i krijuar në Kosovë, një realitet ku mungon një dozë e nacionalizimit ekonomik, një nacionalizëm që nuk është negativ, por përkundrazi e ka vlerën dhe efektin e vetë".

"Këtë nacionalizëm ekonomik e kanë praktikuar edhe vende të ndryshme të rajonit. Në këtë drejtim nëse prodhimet kosovare nuk e gjejnë hapësirën për të depërtuar në tregun vendor është shumë vështirë që ato të zënë vend në shtetet e treta”, thekson Gërxhaliu.

Produktet ushqimore, duke filluar nga pemët, perimet dhe ato të konservuara, janë produktet të cilat hyjnë në kategorinë e mallërave më të importuara në Kosovë.

Përqindja më e madhe e importit është nga Serbia, pasuar nga Gjermania, Kina, Italia, Turqia, Shqipëria si dhe Maqedonia.

  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG