Ndërlidhjet

1915: Rënia e një perandorie dhe masakra që pasoi


Një grua armene qan djalin e vdekur, 1915.
Një grua armene qan djalin e vdekur, 1915.

Masakra e armenëve më 1915 nga turqit otomanë ka qenë më shumë se një spastrim sistematik etnik. Ka qenë po ashtu përpjekje për të ruajtur një perandori dikur të madhe.

Bota shënon sot 100-vjetorin e asaj që njihet gjerësisht si gjenocidi i armenëve. Shumë historianë pajtohen se masakra e rreth një milion armenëve ka qenë e pamëshirshme dhe përpjekje e minutës së fundit e otomanëve për të shpëtuar perandorinë.

“Për të ruajtur territoret e tyre, kanë menduar se gjëja më e mirë është të shfarosin popullsinë armene. Kështu kanë bërë, duke filluar nga prilli i vitit 1915. Gjatë kësaj periudhe, ata jo vetëm se kanë asgjësuar fizikisht popullsinë armene, ata kanë përdorur edhe politikat e asimilimit”, ka thënë historiani turk, Taner Akcam, gjatë një ligjërate në Universitetin Clark në Masaçusets.

Tkurrja e perandorisë

Në kulmin e saj, në fund të viteve 1600, Perandoria Osmane ka kontrolluar toka të shumta në Evropë, Azi dhe Afrikë. Por, me fillimin e shekullit 20, ajo ka humbur 60 për qind të territoreve. Gjatë Luftës së Parë Ballkanike më 1912-13, otomanët kanë humbur 80 për qind të territoreve të tyre evropiane në një muaj të vetëm.

Perandoria, që ka lulëzuar me shekuj si regjim multikulturor dhe relativisht progresiv, ka nisur të shpërfaqet. Lëvizja dikur reformatore Turqit e Rinj, e cila është rritur në pushtet në vitin 1908, është bërë gjithnjë e më nacionaliste derisa fati i otomanëve zbehej.

Si rezultat, vëmendja e Konstandinopojës është fokusuar gjithnjë e në Anadoll. Rajoni, i cili përfshin pjesën më të madhe të Turqisë moderne, atëherë ishte shtëpi e një pakice të konsiderueshme të krisheterë, përfshirë grekët, asirianët dhe rreth dy milionë armenë, të cilët kishin jetuar në këtë territor për shekuj me radhë.

Pas hyrjes në Luftën e Parë Botërore në anën e Gjermanisë, paniku Osman është rritur. Disfata dërrmuese nga forcat ruse në Kaukaz, në fillim të vitit 1915, ka frikësuar turqit nga pushtimi i pashmangshëm i ushtarëve ortodoksë.

Udhëheqësi otoman, Enver Pasha, ka thënë se të gjitha elementet joturke janë si tumor që duhet “pastruar” nga trupi.

Marshimet e vdekjes

Më 24 prill të vitit 1915, autoritetet osmane kanë arrestuar dhe ekzekutuar disa qindra intelektualë armenë me urdhër të ministrit të Brendshëm. Menjëherë pastaj kanë nisur fushatën e ekzekutimeve dhe dëbimeve të popullsisë armene dhe konfiskimin e pronave të tyre të braktisura.

Qindra mijëra burra armenë, gra dhe fëmijë janë dërguar në marshimet e vdekjes përmes shkretëtirës siriane.

Shumë prej burrave janë masakruar brutalisht në rrugë. Mijëra gra dhe fëmijë janë asimiluar dhunshëm përmes përdhunimit dhe rrëmbimit, duke u detyruar të marrin emra turq dhe të konvertohen në Islam. Disa kanë qenë cak i sulmeve të kurdëve dhe grupeve të tjera që kanë hasur gjatë rrugëtimit të tyre të detyrueshëm. Ata që kanë rezistuar, në të shumtën e rasteve janë vrarë.

“Ajo për çfarë flasim është një përpjekje për të larguar shumicën e armenëve dhe për t’i dërguar ata në shkretëtirat e Sirisë. Zhvendosja është një fjalë shumë e butë për dërgimin e njerëzve në këmbë, pa kushte të duhura, qindra mijëra milje nëpër shkretëtirë, ku vështirë se mund të mbijetojnë. Në këtë kuptim, ky ka qenë një lloj i dënimit me vdekje për shumicën e njerëzve”, thotë Thomas de Waal, bashkëpunëtor i lartë në Institutin Carnegie në Uashington.

Raporte të huaja dhe histori gojore nga koha tregojnë se disa armenëve u janë prerë kokat, janë mbytur ose janë djegur të gjallë.

Armenët e sotëm – pasardhës të të mbijetuarve të masakrës, që tani jetojnë në komunitete të diasporës në më shumë se 80 vende të botës – thonë se fushata osmane ka qenë një rast i qartë i gjenocidit me qëllim asgjësimin e një kombi të tërë.

Ankaraja tërbohet nga ky karakterizim dhe thotë se kurdët kanë qenë fajtorë për shumicën e sulmeve kundër armenëve. Ajo argumenton se turqit dhe myslimanët e tjerë kanë vuajtur po ashtu nga mizoritë në Luftën e Parë Botërore, sidomos pasi forcat ruse kanë pushtuar Anadollin më 1916.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG