Ndërlidhjet

Kosovë - Maqedoni, thirrje për bashkëpunim të ngushtë


Kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka hedhur poshtë pohimet se shteti i Maqedonisë ka akuzuar qytetarët e Kosovës se kanë kryer aktin në Gushincë të komunës së Kumanovës.

Autoritetet maqedonase kanë njoftuar më 21 prill për një sulm ndaj një stacioni policor në Gushincë, fshat ky i cili gjendet në kufi me Kosovën, duke thënë se “bëhet fjalë për një grup të armatosur mirë nga Kosova”.

Zoti Ahmeti tha se qëndrime të tilla, eventualisht, mund të ketë pasur ndonjë zyrtar i institucioneve të Maqedonisë.

“Nuk është qëndrim i Qeverisë së Republikës së Maqedonisë. Mund të jetë qëndrim i një ministri apo drejtori. Qeveria e Maqedonisë nuk është ulur ta analizojë, studiojë këtë çështje, por kjo çështje ka kaluar në nivele të organeve kompetente, do të thotë të drejtorive kompetente”, tha Ahmeti, gjatë takimit që zhvilloi sot në Prishtinë me zëvendës kryeministrin e Kosovës dhe Ministrin e Punëve të jashtme, Hashim Thaçi.

Ky i fundit tha se një Maqedoni stabile dhe evropiane është në interesin e Kosovës dhe integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kosova do të vazhdojë të respektojë Marrëveshjen e Ohrit. Një Maqedoni stabile, një Maqedoni evropiane, një Maqedoni me perspektivë euro-atlantike është në interesin e Kosovës, e paqes dhe stabilitetit dhe gjithë europianizmit të rajonit”, u shpreh Thaçi.

Thaçi ka bërë të ditur se në një të ardhme të afërt, do të ndodh takimi i dy qeverive, të Kosovës dhe Maqedonisë. Sipas tij, takimet e tilla do t’ju hapin rrugë shumë çështjeve të rëndësishme për të dyja vendet. .

Zoti Ahmeti ndërkaq tha se janë pikërisht dy qeveritë, të cilat duhet të shkëmbejnë informacione lidhur më atë që ka ndodhur në Gushincë.

“Shqiptarët në Maqedoni nuk duan kriza dhe luftëra të reja. Shqiptarët në Maqedoni duan jetësim dhe materializim të marrëveshjes paqësore të Ohrit. Sa më parë të jenë të barabartë me bashkëqytetarët e tyre maqedonas. Sigurisht që nuk ka qenë e lehtë dhe nuk do të jetë i lehtë zbatimi i tërësishëm i marrëveshjes paqësore të Ohrit”, tha Ahmeti, duke shtuar se shqiptarët e Maqedonisë të ardhmen e tyre e shohin në pajtim dhe integrim.

Marrëveshja e Ohrit, e cila parasheh veç tjerash avancimin e pozitës së shqiptarëve dhe pajtimin ndërmjet bashkësive më të mëdha etnike në Maqedoni, është arritur më 13 gusht të vitit 2001.

Kjo marrëveshje është arritur pas një konflikti disa mujor, dhe ishte thënë se ajo duhet të zbatohej brenda 4 vjetësh, pas nënshkrimit.

Ajo marrëveshje ende është objekt i interpretimeve të ndryshme lidhur me dispozitat e saj.

Ndryshe, muajt e fundit Maqedonia është futur në një krizë politike, e cila të paktën sipas vëzhguesve vazhdon të thellohet, bazuar në qëndrimet e partive lidhur me "aferën e përgjimeve" të opozitës, e cila pretendon se pushteti “ka bërë krime të shumta“, dhe kërkon dorëheqjen e kryeministrit, Nikolla Gruevski.

Pjesë se qeverisë aktuale të qeverisë Gruevski, është edhe Bashkimi Demokratik për Integrim.

Kjo e fundit kërkon që afera e përgjimeve të hetohet nga ekspertët ndërkombëtarë, për shkak të, siç shprehet, “humbjes së besimit në institucionet gjyqësore vendase”.

XS
SM
MD
LG