Ndërlidhjet

Burime të luftëtarëve të huaj: Kosova, Bosnja, Shqipëria dhe Maqedonia

  • RFE /RL

Fshati al-Zahra në Alepo, Siri, 25 nëntor 2014

Fshati al-Zahra në Alepo, Siri, 25 nëntor 2014

“Ballkani Perëndimor është një burim thelbësor i luftëtarëve të huaj që luftojnë në Siri dhe Irak, veçanërisht kur merret parasysh proporcioni për kokë banori në raport me popullatën”, ka thënë Zëvendësndihmësi i Sekretarit Amerikan të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Hoyt Brian Yee.

Këto komente zyrtari amerikan i ka bërë gjatë një dëgjimi të mbajtur më 29 prill në Komitetin e Kongresit të Shteteve të Bashkuara për Marrëdhënie me Jashtë, mbi Ballkanin Perëndimor.

Hoyt Brian Yee

Hoyt Brian Yee

“Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia dhe Shqipëria, janë posaçërisht vende të shquara burimi. Individë të caktuar janë duke u radikalizuar dhe motivuar për të luftuar në Siri dhe Irak nga një numër faktorësh".

"Stagnimi ekonomik dhe mungesa e opsioneve të punësimit janë faktorë.Gjithë kësaj i shtohet pastaj edhe skepticizmi që qytetarët kanë në raport me qeveritë e tyre”, ka thënë në dëshminë e tij zoti Hoyt Brian Yee.

Ai ka rikujtuar se “vendet e Ballkanit Perëndimor janë duke e marrë shumë seriozisht këtë kërcënim – Shqipëria, Bosnja e Hercegovina, Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Serbia kanë miratuar tashmë ligjin që sanksionon luftëtarët e huaj dhe ata që i mbështesin këta luftëtarë”.

Diplomati amerikan ka thënë gjithashtu se Shtetet e Bashkuara “janë duke ofruar ndihmë thelbësore përmes këshillimeve teknike, trajnimeve në ndërtimin e kapaciteteve për rastet që ndërlidhen me terrorizmin dhe forcimin e bazës ligjore”.

“Madje, Shtetet e Bashkuara kanë emëruar së fundmi një prokuror amerikan në ambasadën amerikane në Tiranë, në cilësinë e një Këshilltari Ligjor Kundër-terrorizmi, me përgjegjësi rajonale”, ka thënë zoti Hoyt Brian Yee, në seancën dëgjimore, të kryesuar nga kongresisti amerikan, Dana Rohrabacher.

Gjatë kësaj seance është folur për secilin vend të Ballkanit Perëndimor veç e veç, duke përmendur këtu sfidat dhe përparimet që këto vende kanë përmbushur.

Në rastin e Kosovës është përmendur edhe çështja e themelimit të Gjykatës së Posaçme për Krime Lufte, duke e cilësuar si të rëndësishme këtë Gjykatë jo vetëmpër viktimat, por edhe për të ardhmen e Kosovës në tërësi.

Seancën e plotë dhe dëshmitë e pjesëmarrësve mund t'i lexoni këtu. (a.v.)

XS
SM
MD
LG