Ndërlidhjet

Trefishohet migrimi ilegal në Maqedoni


Hekurudhë në Maqedoni, ku gjetën vdekjen emigrantë nga vendet e Lindjes së afërt

Hekurudhë në Maqedoni, ku gjetën vdekjen emigrantë nga vendet e Lindjes së afërt

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Maqedoni, vitin e fundit në vend është trefishuar numri i emigrantëve nga vendet e Lindjes së afërt, të cilat janë prekur nga konfliktet.

Emigrantët vijnë sidomos nga Siria dhe nëpërmjet Maqedonisë, mundohen të arrijnë në vendet e zhvilluara të Evropës Perëndimore.

Dikasteri i Policisë njofton se gjatë vitit 2014 janë regjistruar 41,314 emigrantë ilegalë. Ndërkohë, që policia maqedonase gjatë periudhës kohore 2003 – 2010, ka arritur të zbulojë 29 , mijë e 605 persona, të cilët ilegalisht kanë hyrë në Maqedoni.

Organizata joqeveritare e juristëve të rinj bën të ditur se nga fillimi i këtij viti deri më tani 550 persona, të cilët kanë ikur nga rajonet e përfshira në luftë në Lindjen e afërt, kanë kërkuar azil në Maqedoni.

Martina Smilevska nga organizata joqeveritare e juristëve të rinj, thotë se humbja e jetës së 14 emigrantëve nga Siria nga një tren që i përfshiu në Veles, teksa ata po ecnin drejt veriut, përgjatë hekurudhës, ka ndezur alarmin e problemit të emigracionit ilegal, me të cilin përballet Maqedonia si shtet.

“Sipas të dhënave që ne disponojmë, nga korriku i vitit të kaluar, përkatësisht 2014-ta, deri më tani në Maqedoni, si pasojë e shkeljes së trenit, përgjatë vijës hekurudhore nga Gjevgjelia deri në Shkup, e kanë humbur jetën 27 emigrantë. Mbase nuk është dhe aq i saktë krahasimi, por ne këtë tragjedi e krahasojmë me atë që ndodhi në Lampeduza të Italisë”, thotë Smilevska.

Ajo konsideron se Ligji për azil në Maqedoni duhet të pësojë ndryshime, në mënyrë që këta personatë mund të parashtrojnë kërkesë për të marrë azil sapo të kalojnë kufirin e Maqedonisë dhe jo të detyrohen këtë gjë ta bëjnë në Shkup, duke rrezikuar në shkallë të lartë jetën e tyre.

“Me këtë krijohet një mekanizëm shumë i rëndësishëm që do të garantojë një shkallë më të lartë të sigurisë për emigrantët, sepse ata nuk do të jenë të detyruar të vijnë në Shkup për të kërkuar azil, por këtë mund ta bëjnë në stacionin më të afërt policor, madje edhe në vetë pikën kufitare”, thekson Smilevska.

Emigrantët që arratisen nga Lindja e afërt, kryesisht vendet e përfshira nga lufta në Maqedoni, hyjnë përmes Greqisë, e cila është pjesë e Bashkimit Evropian. Pjesa më e madhe e tyre nuk posedon dokumente udhëtimi.

“Nga Greqia, viteve të fundit, në mënyrë ilegale, mijëra persona e kalojnë kufirin duke synuar të arrijnë në vende më të pasura, përkatsisht në ato që janë pjesë e BE-së. Me këtë rast, mund të konstatojmë se bëhet fjalë për një problem shumë të ndjeshëm, që tangon jo vetëm Maqedoninë, por të gjitha vendet e rajonit dhe si të tillë e trajtojmë këtë problem”, thotë Ivo Kotevski nga Ministria e Punëve të Brendshme.

Në Maqedoniekzistojnë dy kampe ku strehohen të gjithë ata që kërkojnë azil, njëra në Vollkovë në dalje të Shkupit, kurse tjetra në Gazibabë, në kryeqendër.

Por, Ankica Stojkovska, e cila është këshilltare për mbrojtje nga tortura, në kuadër të Avokatit të Popullit thotë se kushtet në këto kampe janë shumë të këqija.

“Realisht, në këto kampe nuk ka vend për të gjithë. Gjatë vizitës së parë që i bëmë si institucion, kampit të qëndrimit për refugjatë, gjatë vitit 2011 aty gjetëm vetëm një person, përderisa gjatë 2012 dhe 2013 ky numër lëvizte nga 50 deri në 70 persona, që në një far mënyre këtë numër e lejonin kapacitetet e qendrës. Por, gjatë vitit 2014 shumë herë rastisëm që në këto kampe të ketë më shumë se 260 persona në kushte jashtëzakonisht të këqija”, thotë Stojkovska.

XS
SM
MD
LG