Ndërlidhjet

Qendra Klinike Universitare e Kosovës ka mungesë të ekspertëve shëndetësorë në lëmi të ndryshme.

Marrëveshjet mes qendrave klinike botërore, për të sjellë ekspertë shëndetësorë të huaj në Kosovë, ka bërë që nga përvojat që shkëmbehen të përfitojnë si pacientët, po ashtu edhe mjekët.

Bashkëpunimet me kardiokirurgë të ndryshëm, kanë qenë më të shpeshta për shkak se ka deficit të kardiokirurgëve brenda QKUK-së.

Së fundmi, në Klinikën e Kirurgjisë së fëmijëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës kanë përfituar rreth 30 fëmijë, operacionet e të cilëve i kanë bërë ekspertë të huaj shëndetësorë.

Thuhet se vlera e atyre operacioneve ka qenë rreth 1 milion euro, por në Kosovë janë kryer pa pagesë.

Nexhmi Hyseni, kirurg i fëmijëve, thotë se këto lloj bashkëpunimesh janë treguar shumë të dobishme.

"Ne në vazhdimësi Klinika e Kirurgjisë së fëmijëve ka pasur bashkëpunim me qendra të Evropës dhe botës dhe [bashkëpunimi] është treguar shumë i dobishëm, pasi që ekspertë të huaj me eksperiencë, vinë dhe i operojnë fëmijët që në kushtet tona nuk mund të bëhet një gjë e tillë. Kjo ka një benefit të dyfishtë, pasi që nga këta ekspertë merret shërbimi profesional shumë i mirë dhe kursehet buxheti i Kosovës, pasi që gjithë këta fëmijë do duhej të mjekoheshin jashtë vendit", thotë Hyseni.

Këshilltari në Ministrinë e Shëndetësisë, Izet Sadiku thekson se bashkëpunimi me mjekët e huaj është shumë i nevojshëm, për shkak se Kosova nuk mund t'i zhvillojë gjitha shërbimet e nevojshme për menaxhimin e gjitha sëmundjeve.

"Së fundmi janë bërë intervenime të rralla, që nuk bëhen në shumë qendra edhe më të zhvilluara se Prishtina. Nga këto, QKUK-ja ka përfituar rreth 1 milion euro, derisa Kosova nuk ka paguar asgjë, pasi që janë bërë gratis", bën të ditur ai.

Zoti Sadiku ka shtuar se tashmë është nënshkruar një marrëveshje mes Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Prishtinës, për ndërtimin e një spitali pediatrik kardiokirurgjik, vlera e të cilit do të jetë 22 milionë euro, ku do të zhvillohen shumë shërbime që deri tash nuk janë bërë.

Një gjë e tillë është konfirmuar edhe zyra e presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, duke thënë se kjo e fundit, në Abu Dabi, ka nënshkruar marrëveshje me zyrtarët e Emirateve të Bashkuara Arabe.

Klinika e re do të fillojë të ndërtohet gjatë verës së këtij viti dhe pritet që projekti i tërësishëm i spitalit të përfundojë brenda një viti.

Ndërkaq, zëdhënësi i Qendrës Klinike Universitare të Kosovës Shpend Fazliu shpjegon se ku qëndron problem më i madh i ndërhyrjeve kirurgjike te fëmijët, dhe ku duhet ndihmohet nga ekipet e huaja.

"Problem më i madh qëndron me ndërhyrje kardiokirurgjike apo ndërhyrje në zemër për fëmijë. Sa i përket kirurgjisë së fëmijëve rastet më të mëdha kanë qenë të traktit urogjenital, por edhe raste tjera të komplikuara ku ekipet tona nuk kanë pasur përvojë të shumtë, dhe eksperienca nga jashtë u ka ndihmuar", thotë Fazliu për Radion Evropa e Lirë.

Sidoqoftë, sipas zyrtarëve nga Ministria e Shëndetësisë, bashkëpunimi me mjekët e huaj do të vazhdojë.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG