Ndërlidhjet

logo-print

Zyrtarë të Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë thonë se qysh në vitin 2004, Ligji për sigurime shëndetësore është hartuar dhe është dorëzuar në Qeverinë e Kosovës.

Ligji për sigurimet shëndetësore është miratuar në vitin 2007, mirëpo ai asnjëherë nuk ka hyrë në fuqi.

Më pas, ky ligj ishte tërhequr për shkak të implikimeve buxhetore, me rekomandimet e Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar.

Për rubrikën “Fokus”, kemi përgatitur një kronologji rreth zhvillimeve që kanë përcjellë Ligjin për sigurime shëndetësore.

Zyrtarë në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë deklaruar se në vitin 2015, qytetarët do të mund të përfitojnë nga fondi i sigurimeve shëndetësore, ndërsa ekspertët shprehin skepticizëm rreth fillimit të implementimit të Ligjit për sigurime shëndetësore, për shumë arsye.

Shaip Muja, deputet i pavarur në Kuvendin e Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, në muajin shkurt të këtij viti, se Ligji për sigurime shëndetësore nuk do të mund të implementohet deri në vitin 2018.

“Oferta, e cila është ngritur për sigurime shëndetësore, e kam thënë disa herë në Parlament, është një spekulim i radhës, që i bëhet popullatës. Janë pritje të mëdha për sigurime shëndetësore dhe koncepti i sigurimeve shëndetësore ka devijuar komplet".

"Deri në vitin 2018, sipas projektimeve, nuk ka sigurime shëndetësore. Ndërkaq, të gjithë udhëheqësit po mundohen të improvizojnë se do të ketë sigurime shëndetësore nga ky vit. Ka tre vjet që e implementojnë Ligjin për sigurime shëndetësore dhe ende nuk po ndodh një gjë e tillë’’, kishte deklaruar Muja.

Por, jo edhe Arsim Çavdërbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, ka mendim të njëjtë me zotin Muja.

Ai ka thënë për Radion Evropa e Lirë, se në tremujorin e fundit të vitit 2015 do të fillojë mbledhja e premiumeve financiare.

“Ministria e Shëndetësisë, pas rishikimit të aspekteve teknike,planifikon të fillojë me mbledhjen e premiumeve në tremujorin e fundit të këtij vitit. Kjo pas përgatitjes së kushteve teknike, e që janë duke ecur me një ritëm më të shpejtë, përfshirë edhe zhvillimin e sistemit informativ të fondit të ardhshëm të sigurimeve shëndetësore, përkatësisht sistemit i cili do ta lejojë identifikimin e premium- paguesve,dhe informimin e spitaleve për ta”.

“Në bazë të planeve të Ministrisë së Shëndetësisë dhe ritmit të punës planifikohet që çdo gjë të fillojë në tremujorin e fundit të këtij viti”, ka thënë Çavdërbasha.

Ndërkaq Blerim Syla, udhëheqës i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, ka bërë të ditur se ende nuk janë rregulluar disa çështje që do të mund ta funksionalizonin Ligjin për sigurime shëndetësore, ndonëse thuhet se këtë vit do të fillojë së implementuari ky ligj.

"Duhet të jetë e qartë për publikun, ndonëse nuk ka edhe mekanizma përcjellës, atëherë ky ligj është më mirë të mos futet në funksion. Por, duke e parë situatën aktuale dhe kohën pas ngërçit politik, atëherë unë jam mjaft skeptik se ky ligj do të fillojë implementimin në prill, siç kanë thënë".

"Unë do t’i përmendi tri elemente kryesore: nuk është e definuar mirë mjekësia primare, sekondare dhe terciare, pastaj nuk e kemi të definuar sistemin informativ shëndetësor dhe nuk kemi mekanizëm mbrojtës të këtyre mjeteve që do të mblidhen nga taksapaguesit në emër të Fondit të sigurimeve shëndetësore", ka shpjeguar Syla.

Ndërkaq, kostoja e Ligjit për vitin 2015, siç ka deklaruar ish-ministri Ferid Agani, llogaritet të jetë rreth 17 milionë euro, si kosto direkte për sektorin publik, dhe si kosto indirekte rreth 14 milionë euro për sektorin privat.

Por, ai ka sqaruar se qytetarët e Kosovës janë të obliguar të paguajnë në fondin e sigurimeve shëndetësore kontributin e tyre, duke shtuar se ata që nuk kanë mundësi ta bëjnë një gjë të tillë, këtë obligim e kanë paraparë ta marrë përsipër Qeveria e Kosovës.

Kurse, lidhur me kategorinë që lirohen nga pagesa e premiumit dhe bashkë-financimi, Arsim Çavdërbasha, ushtrues detyre i kryeshefit ekzekutiv të Agjencisë së Financimit të Shëndetësisë në Ministrinë e Shëndetësisë, ka përmendur familjet e varfra nën asistencë sociale, të burgosurit, të cilët janë dënuar, individët që janë duke jetuar në institucione shtetërore, fëmijët nën kujdes të sforcuar dhe nën kujdestari, të moshuarit dhe personat me aftësi të kufizuara të strehuar në shtëpitë për persona të moshuar, si dhe në shtëpitë për integrim në komunitet.

Në këtë kategori hyjnë edhe personat e riatdhesuar bazuar në marrëveshjet bilaterale të Republikës së Kosovës me shtetet e tjera, si dhe invalidët e luftës me shkallë të lartë të paaftësisë.

Për profesionistët shëndetësorë, hyrja e këtij ligji në fuqi, do të ketë efekte pozitive. Ata thonë se në mungesë të këtij ligji, kanë shumë vështirësi gjatë kryerjes së punës së tyre, posaçërisht në pjesën financiare të punës.

Kurse, me hyrjen në fuqi të këtij ligji, ata presin të rriten fondet për shëndetësi, e që do të ndikojnë në përmirësimin e cilësisë së punës dhe shërbimeve që do t'u japin pacientëve.

Zoti Çavdërbasha ka shpjeguar për Radion Evropa e Lirë se si do të funksionojë fillimi i mbledhjes së premiumeve për Ligjin për sigurime shëndetësore:

“Mbledhja e fondeve është një prej funksioneve kyçe të Fondit të ardhshëm të sigurimeve shëndetësore, përkatësisht agjencisë së financimit shëndetësorë në këtë fazë të zhvillimit, dhe e paraqet thelbin e implementimit të Ligjit të sigurimeve shëndetësore. Natyrisht që sapo të mblidhen fonde në masë të mjaftueshme, që do të mund të ndikojnë në shërbime shëndetësore, ato fonde do të shfrytëzohen për përmirësimin e cilësisë së shërbimeve shëndetësore”.

Por, çka thonë qytetarët lidhur me Ligjin për sigurime shëndetësore dhe si e shohin ata miratimin e këtij projektligji?

“Miratimi i këtij ligji mendoj se është shumë i rëndësishëm për qytetarët e Kosovës. Ministria e Shëndetësisë mendoj se duhet të bëjë presion te Qeveria që të kenë më shumë përkrahje dhe të hyjë në fuqi ligji, pasi që është në të mirë të qytetarëve të Kosovës. Është e domosdoshme që në shëndetësi të ngrihet niveli i shërbimeve, sepse tashmë është humbur besimi dhe shumë para po shpenzohen jashtë Kosovës për shërbime shëndetësore”, thotë Vlera Hyseni, ekonomiste.

Edhe zyrtarë nga Këshilli për Mbrojtjen dhe Lirinë e të Drejtave të Njeriut kanë deklaruar se ky ligj është më se i nevojshëm dhe i domosdoshëm për qytetarët, sepse iu ofron një siguri. Ata kanë thënë se janë të rralla ato shtete që nuk e kanë ligjin për sigurime shëndetësore.

Ndryshe, në Ministrinë e Shëndetësisë tashmë kanë shpjeguar se sa u përket të drejtave dhe obligimeve që dalin nga ky ligj, në tre vjetët e parë të zbatimit të sigurimeve, të punësuarit në sektorin publik dhe atë privat, do të paguajnë në muaj nga 3.5 për qind të të ardhurave të tyre bruto, për sigurimin shëndetësor të obliguar, dhe po kaq, për të do të paguajë edhe punëdhënësi.

Në ato kompani apo organizata private, ku qarkullimi vjetor nuk arrin mbi 50 mijë euro, për sigurim shëndetësor do të paguajë vetëm punëmarrësi, në vlerë prej 2 eurosh për anëtar të familjes.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG