Ndërlidhjet

Shkup: Ambasadori Baily bën thirrje për përmbajtje


Foto nga arkivi

Foto nga arkivi

Ambasadori amerikan në Maqedoni, Jess Baily, pas takimit që realizoi me kryeministrin maqedonas Nikolla Gruevski ku ishin të pranishëm edhe ambasadorët e shteteve të tjera anëtarë të Bashkimit Evropian, me një fjalor diplomatik ka shprehur shqetësimin e tij për gjendjen momentale në Maqedoni.

Ai në emër të tij dhe të gjithë ambasadorëve të vendeve të BE-së, ka shprehur ngushëllimet për policët e rënë gjatë përleshjeve në Kumanovë.

Ambasadori Baily, në emër të të gjithë kolegëve të tij, dënoi ashpër dhunën dhe bëri thirrje për përmbajtje, durim dhe qetësi gjatë tubimeve qytetare duke iu referuar protestave të përditshme.

"Ne vazhdojmë me mbështetje të plotë për të drejtat fondamentale demokratike të qytetarëve për tubim dhe protestë të qetë, dhe e përsërisim thirrjen tonë drejt të gjitha palëve që të përmbahen nga dhuna. Realizimi i së drejtës demokratike dhe hedhja poshtë e akteve agresive, pa dallim ndaj pjesëtarëve të policisë apo demonstruesve, është shprehje adekuate e respektit ndaj trimërisë dhe viktimizimit të atyre të cilët e dhanë jetën në shërbim të popullit të Maqedonisë", është shprehur ambasadori amerikan në Shkup, duke theksuar siç është shprehur ”mos përkushtimin e qeverisë për zbardhjen e aferës së përgjimeve”, që sipas tij, dukshëm ndikon në rrugën e Maqedonisë drejt integrimit në strukturat euroatlantike.

Ndërkohë protesta e së hënës para Qeverisë së Maqedonisë është transferuar siç kanë theksuar organizatorët, në një tubim paqësor disa metra larg qeverisë pasi ishin të penguar nga kodoni policorë

“Kërkesa ynë është të dorëhiqet kjo qeveri, të jap sa më parë dorëheqje kryeministri Nikolla Gruevski, dhe besoj se protestat çdo ditë do të jenë më masive, dhe mund të them se ajo qe ndodhi në Kumanovë edhe më shumë i ka bashkuar të gjithë qytetarët pavarësisht përkatësisë së tyre etnike, pavarësisht se disa mendonin se këto ngjarje do të shkaktojnë tensione dhe konflikte ndëretnike".

"Përkundrazi, të dy etnitë janë të bashkuara në një qëllim të përbashkët, të shpëtojmë nga ky pushtet i cili në vazhdimësi i thyen të drejtat e qytetarëve”,ka deklaruar në tubimin paqësor Urania Pivovaroska, drejtuese e Komitetit të Helsinkit në Shkup.

Edhe Arbana Qerimi nga organizata joqeveritare "CIVIL", konsideron se dhuna nuk ka përkatësi etnike dhe si e tillë duhet luftuar nga të gjithë.

“Sot dhe dje ishte ditë zie në Maqedoni, dhe nga dita e nesërme do të fillojmë me protestat kundër dhunës të cilën po e bën qeveria ndaj qytetarëve. Edhe në rrjetet sociale, prej ku dhe organizohemi, qytetarët e të gjitha etnive janë kundër regjimit totalitarë të kryeministrit Gruevski”, shprehet Qerimi.

XS
SM
MD
LG