Ndërlidhjet

"Fëmijët tuaj janë pronë e IS-it"


Kur bashkëshorti i Gulru Olimovas, Loik, u vra derisa luftonte krahas militantëve të Shtetit Islamik (IS) në Siri, gruaja 25 vjeçare taxhike filloi të bëhej gati që të kthehej në Taxhikistan, së bashku me fëmijët e saj.

Sipas rregullave, Gulru fillimisht i kërkon leje amirit të IS-it, apo komandantit në Aleppo që të kthehet në vendin e saj.

Komandanti i IS-it pajtohet ta lejojë kthimin e saj, me një kusht: fëmijët e Gulrus, 7 vjeçarja Fotima, 4 vjeçari Ahmad dhe gjashtë muajshi Rumaiso, tash janë “pronë e Shtetit Islamik”.

Kështu i ka thënë komandanti asaj duke ia lejuar vetëm Gulrus kthimin, por pa fëmijët e saj.

Vjehrra e zemëruar

Në Taxhikistan, nëna 65 vjeçare e Gulurus, Mayrambi Olimova, është e mërzitur. Ajo thotë se Gulru nuk do të largohet nga Siria pa fëmijët e saj.

Prej janarit, kur ajo e mori vesh që Gulru është në Siri, Olimova është munduar ta nxis vajzën e saj që të kthehet në shtëpi. Në muajin shkurt, Olimova e realizoi edhe një video përmes së cilës ajo i lutej liderit të IS-it, Abu Bakr al Baghdadi, që ta lejojë kthimin e Gulrus në shtëpi.

Por, kjo ishte koha para se të vritej burri i Gulrus, Loik.

Olimova i ka treguar Radios Evropa e Lirë çfarë ka ndodhur kur Gulru ka telefonuar në shtëpi për të njoftuar për “martirizimin” e burrit të saj 32 vjeçar, Loik, term ky që përdoret nga IS-i për të përshkruar vdekjet në betejë.

"Vajza ime më tha se Loik është bërë martir dhe unë i thashë, ‘Kush e di nëse vërtetë është bërë martir? Ai shkoi dhe i la la tre fëmijë, dhe bashkëshorten shtatëzënë me fëmijën e katërt, në rrezik vdekjeprurës’”, ka thënë Olimova më 11 maj.

Gulru ka telefonuar vetëm tri herë në shtëpi, duke i thënë nënës së saj se nuk do ta kontaktojë më për katër muaj. Sipas ligjit islamik, ajo duhet ta shfrytëzojë këtë katër muajsh duke mbajtur zi për Loikun, bashkëshortin e saj “martir”.

"Ajo kërkoi ndihmë që të kthej fëmijët në atdhe, sepse ajo nuk do të lëviz nga aty pa fëmijët”, shton Olimova.

Nga Taxhikistani në Siri

Gulru i ka thënë nënës së saj se ajo momentalisht jeton në një apartament në një ndërtesë tre katëshe në qytetin sirian, Aleppo, afër kufirit me Turqinë.

Mirëpo, Gulru është rritur rreth 3 mijë kilometra larg, në qytezën Kulob në Taxhikistanin jugperëndimor. Si fëmijë, Gulru ka dashur të bëhet ndihmës mjeke apo ndoshta edhe mjeke, i ka thënë nëna e saj faqes së internetit në rusisht, Meduza, muajin e kaluar.

Mirëpo, këto ëndërra u shuan kur ajo ishte 16 vjeç. Kjo është koha kur ajo u takua me Loik Radzhabov, që sipas Olimovës ishte “diler vendor droge”.

Loik e kishte kërkuar atë për nuse, mirëpo sipas Olimovës, jo vetëm ajo ishte kundër lidhjes, por edhe vet Gulru kishte refuzuar.

Mirëpo martesa u bë megjithatë për shkak se Loik ishte kërcënuar se “do të varroste të gjithë”, nëse Olimova do të refuzonte që ta lejojë vajzën të martohej me të.

Duket se Loik ishte radikalizuar në Moskë, derisa udhëtonte rregullisht për në kryeqytetin rus për biznes. Pas një prej udhëtimeve, Olimova thotë se e ka parë një flamur të IS-it në apartamentin e çiftit.

Në shtator të vitit 2014, Loik e mori bashkëshorten e tij me veti në Moskë, ku ai thoshte se kishte gjetur punë si pjesë e një ekipi që ndërtonte shtëpi fshati në periferi të Moskës.

Mirëpo ai nuk e mbajti familjen gjatë në Moskë. Ai dhe familja e tij u nisën drejt Sirisë në nëntor, sipas Radio Ozodi. Disa raporte thonë se Loik shkoi në Siri me 25 militantë të tjerë, përfshirë edhe disa taxhikë që tashmë janë vrarë.

Olimova thotë se ajo e mori vesh që familja ishte në Siri, në muajin janar, kur ajo bisedoi në telefon me Loikun. Dhëndërri i saj e njoftoi se e kishte marrë bashkëshorten dhe fëmijët në Siri, ndërsa Olimovës i kishte thënë se ajo nuk duhej të fliste për këtë.

Olimova i ka thënë Radio Ozodit në shkurt se ajo nuk kishte njoftuar autoritetet e rendit në Kulob për t’ju treguar për vajzën e saj.

Por, duket sikur heshtja e Olimovës nuk zgjati shumë. Në muajin prill, Olimova i ka thënë faqes së internetit, Meduza se ajo e ka kontaktuar degën lokale të Komitetit të Sigurisë Shtetërore të taxhikistanit (GKNB) ku ajo kishte punuar për 31 vjet si pastruese dhe kishte treguar për Loikun.

“Kryesisht dua që ata ta sjellin këtu Loikun, t’i hidhen 10 litra gaz në kokën e tij dhe t’ia vën flakën”, Olimova i kishte thënë Meduzës.

Apartamenti në Aleppo

Loiku ka qenë ende gjallë në muajin prill kur Gulru e kishte telefonuar nënën e saj për t’i treguar se familja ishte vendosur në një lagje me ndërtesa apartamentesh në periferi të Aleppos.

Sipas saj, IS-i iu kishte dhënë atyre 30 mijë dollarë për të kaluar në banesën e re, ndërsa iu kishte ndarë edhe nga 35 dollarë në muaj për secilin fëmijë të tyre.

Banesa e re kishte televizion, frigorifer e bile edhe qilim.

Por, gjëja më e mirë ishte se Loiku pothuajse fare kishte nevojë të luftonte në betejë, Olimova thotë t’i ketë thënë vajza e saj.

Në vend të luftës, Loiku do të kishte nevojë që të punojë si roje, të ndalonte veturat dhe t’i kontrollonte ato për cigare dhe alkool, të dyja të ndaluara sipas interpretimit strikt të ligjit të Sheriatit.

Militantët nga Taxhikistani janë të njohur që kanë bërë punë të tillë në Irak e njohur si “patrulla e autoudhës”.

Një militant i prezantuar me emrin Abu Umariyon, ishte paraqitur në një video në janar në të cilën ai thotë se puna e tij është të inspektojë veturat për cigare dhe alkool dhe të kontrolloj nëse gratë janë të mbuluara me hixhab, e vetmja veshje e aprovuar për gratë.

Si dhe ku vdiq Loiku?

Loiku nuk duket se ka pasur përvojë luftarake para se t’i bashkohej IS-it në Siri.

Sipas një libri elektronik të IS-it, të publikuar së fundi, të rekrutuarit duhet të kalojnë një trajnim bazik në një kamp të IS-it, ndonëse nuk ka ndonjë konfirmim nëse edhe Loiku e kishte bërë të njëjtin.

Mungesa e përvojës në fushëbetejë e Loikut, mund të jetë arsyeja pse atij iu dha puna e “patrullës në autoudhë”, por e njëjta mund të jetë edhe arsyeja pse ai është vrarë vetëm pak muaj pas qëndrimit në Siri dhe Irak.

Mënyra e vdekjes së Loikut, vendi ku ka ndodhur dhe kur ka ndodhur mbesin të paqarta. Mirëpo, gjatë javëve të fundit ka pasur disa ofenziva në të cilat militantët që flasin rusisht dhe ata që janë nga Azia Qëndrore raportohet të kenë luftuar dhe vdekur.

Është e mundshme që Loiku të jetë vrarë në Baiji në Irak, kur raportimet e mediave sociale sygjerojnë se IS-i e kishte dërguar një ekip të madh, përfshirë militantë që nuk kanë luftuar rregullisht në linjën e frontit.

Së paku dy militantë çeçenë, rolet e të cilëve në IS, nuk ishin në linjën e frontit, janë vrarë në ofenzivën që u bë në Baiji, në kohën e njëjtë kur është raportuar për vrasjen e Loikut.

Gjithashtu ka dëshmi që thonë se në pjesën e dytë të prillit, rreth kohës kur besohet se është vrarë Loiku, militantët që flasin rusisht janë dërguar për të luftuar (dhe vdekur) në krahinën irakiane të Anbarit.

Një video që është shpërndarë këtë javë me militantë të IS-it nga Kaukazi verior e tregon një grup të luftetarëve rusisht folës duke e ndërmarrë ‘bay’at al mawat’ apo zotimin për të luftuar deri në vdekje, para se të dërgoheshin për të luftuar në ofenzivën e Liqenit Tharthar në Irakun perëndimor.

Ofenziva ka ndodhur më 25 prill.

Vetëm flamuri i zi ka mbetur

Në Kulob, vdekja e Loikut mbetët një mister tragjik.

Babai i Loikut, Sherafgan Radzhabov, thotë të ketë marrë vesh për vdekjen e djalit nga nusja e tij, Gluru.

Autoritetet e rendit të Kulobit, thotë se ata kanë marrë vesh për vdekjen e Loikut nga familja.

E vetmja gjë që ka mbetur nga Loiku në Kulob është flamuri i zi i IS-it që zyrtarët e rendit thonë e kanë gjetur në shtëpinë e babait të tij. Të afërmit e tij thonë se ishte vet Loiku ai që e vendosi flamurin para se të zhdukej.

Një precedent?

Rasti i Gulrus nuk është i vetmi kur lidershipi i të ashtuquajtures Shteti Islamik ka bllokuar pjesëtarët e familjes të një militanti të vdekur duke mos i lejuar që të kthehen në shtëpi.

Në vitin 2013, komandanti ushtarak i IS-it në Siri, Umar al Shishani, kishte shkaktuar polemikë kur refuzoi të lejojë një grua çeçene të kthehej në shtëpi së bashku me të vëllain pasi burri i saj u vra.

Në atë rast, e veja kishte thënë se ajo vet nuk dëshiron të largohet nga Siria, megjithëse babai i saj insistonte që ajo të kthehej. Umari ishte kritikuar nga një dijetar islamik se duke e marrë këtë vendim e kishte tejkaluar fuqinë që e ka babai në këtë rast.

Megjithatë, situata e Gulrus është e para kur raportohet se si IS-i insiston që të mbaj si “pronë” fëmijët e një militanti të vdekur kundër dëshirës së nënës së fëmijve.

Taxhikët në IS

Nuk dihet saktë se sa taxhikë po luftojnë në Siri dhe Irak krahas militantëve të Shtetit Islamik.

Të dhënat zyrtare thonë se fjala është për 300 taxhikë, prej të cilëve 60 janë vrarë.

Edward Lemon nga Universiteti i Exeterit, në Britani të Madhe, i cili po hulumton për militantët taxhikë thotë se ai e ka një listë të 102 taxhikëve që po luftojnë në Siri dhe Irak.

Megjithatë, Lemon thotë se të dhënat që mbështetetën në zyrtarë, raportime të mediave dhe video, duhet të merren me rezerva sepse ka mundësi që ka më shumë taxhikë që po luftojnë në Siri se sa po raportohet.

Të dhënat për 102 taxhikët nuk e përfshijnë edhe Kolonelin Gulmurod Halimov, një komandant i njësisë policore për qëllime speciale, i cili sipas raporteve të pakonfirmuara është nisur për të luftuar në Siri së bashku me 10 taxhikë të tjerë.

Autoritetet në qarkun e Khatlonit, pjesë e së cilës është edhe Kulobi, ka nisur 40 raste penale kundër individëve, përfshirë edhe Loikun, me dyshimin se kanë marrë pjesë në aktivitete ushtarake jashtë Taxhikistanit.

Përgatiti: Artan Haraçia
XS
SM
MD
LG