Ndërlidhjet

Tiranë: Konferenca rajonale për ekstremizmin e dhunshëm


Tirana

Tirana

Takimi rajonal i ministrave të brendshëm nisi sot në Tiranë me pjesëmarrjen e 12 shteteve nga Ballkani, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian.

Ekstremizmi i dhunshëm dhe bashkëpunimi rajonal për të parandaluar dhe këtë dukuri ishte në qendër të diskutimeve nga organizatorët shqiptarë dhe pjesëmarrësit e tjerë.

Zv/Sekretarja amerikane e Shtetit për Sigurinë Civile, Demokracinë dhe të Drejtat e Njeriut, Sarah Sewall, tha se ky rajon ka një histori të pasur me bashkëjetesën paqësore dhe tolerancën, ndaj kjo është e rëndësishme për banorët e vet, sidomos për të rinjtë.

“Ne duhet të punojmë së bashku që të parandalojmë ekstremizmin e dhunshëm dhe ideologjitë e dhunshme në këtë rajon. Këto janë bërë të rrezikshme më shumë se asnjëherë në histori. Asnjë rajon, asnjë qytet nuk është i mbrojtur nga këto sulme” - tha zonja Sewall.

Ajo tha se terroristët mobilizojnë të rinjtë për t'i përfshirë në veprime terroriste. Sipas saj, rruga e vetme për t'u përballur me këtë sfidë është bashkëpunimi me plane të qarta midis aktorëve vendas dhe aleatë ndërkombëtarë kundër terrorizmit.

"Këto lloj nismash vendore duhet të përhapen në funksion të strategjive rajonale kundër terrorizmit. Këto strategji rajonale me të cilat po përgatitemi prej disa muajsh duhet të përfshijnë qeveritë qendrore dhe ato vendore në zbatimin e ligjit, forcimin e policisë dhe organizatat e shoqërisë civile si ekonomike, kulturore dhe fetare” - thotë zonja Sewall.

Sipas saj, terroristët nuk shohin kufij politikë, prandaj bashkëpunimi i të gjithëve është i domosdoshëm sa herë që shohim se si ata radikalizojnë të rinjtë dhe i frymëzojnë për të kryer akte dhune. Parandalimi i terrorizmit, sipas saj, është nevoja të shkojë edhe më tej në kohë, ndaj ne po i kushtojmë tani më shumë kujdes edukimit të fëmijëve, që të mos bëhen terroristë.

“Bashkëpunimi nis së pari nga zbulimi i natyrës së saktë së terrorizmit si kërcënim rajonal dhe vendor. Po ashtu duhen parë shkaqet e vërteta pse njerëzit radikalizohen, ushtrojnë dhunë. Së dyti, duhet forcuar roli i shoqerisë civile për të qëndruar pranë bashkësive në nevojë".

"Së bashku me udhëheqësit vendorë dhe familjarët, shoqëria civile mund të bëjë një qëndresë më të madhe shkqeve të radikalizimit. Së treti, ne duhet të ngrejmë lart të drejtat tona njerëzore dhe qytetare në bashkësitë tona fetare dhe etnike, si dhe të mos lëmë pas dore pakicat kombëtare” - tha zonja Sevvall.

Ajo tha se rinia ka nevojë për mesazhe pozitive mbi të ardhmen, dhe ne duhet t'u tregojmë se kujdesemi për ta më shumë se sa fondamentalistët. Shërbimet sociale duhen përmirësuar, mundësitë ekonomike dhe arsimore duhen shtuar, disomos për shtresat e diskriminuara.

Të gjitha vendet së bashku mund të bëjnë shumë më tepër për parandalimin e këtyre krimeve dhe për të përballuar këtë sfidë të terrorizmit.

Takimi rajonal i ministrave të brendshëm që u mbajt sot në Tiranë erdhi pak kohë pas samitit që u organizua në departamentin Amerikan të Shtetit në Uashington me mbështetjen e presidentit Obama.

Në të dyja takimet ekstremizmi i dhunshëm u studiua si një sfidë globale. Shqipëria njihet si faktor me rëndësi në rajon për luftën kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm.

Ajo është pjesë e bashkëpunimit rajonal mes agjencive ligjzbatuese të rajonit në përballimin e këtyre akteve.

*Ky material u publikua fillimisht në VOA Shqip.

XS
SM
MD
LG