Ndërlidhjet

Rreth 680 milionë euro vlerësohet të jetë borxhi i falur publik për personat fizik dhe juridik në Kosovë deri më 31 dhjetor të vitit 2008.

Këtë vendim Qeveria e Kosovës e kishte marrë në muajin shkurt, me formimin një komisioni, i cili do të vlerësojë shumën e borxheve.

Ministria e Financave ka hartuar projektligjin për Faljen e Borxheve Publike, me anë të të cilit përcaktohen kriteret dhe procedurat për faljen e borxheve publike për personat fizik dhe juridik.

Sipas këtij ligji, ministri i Financave, Avdullah Hoti, në mbledhjen e rregullt të Qeverisë së Kosovës, ka treguar se do të falet borxhi publik ku përfshihet çdo shumë e papaguar e borxhit, përfshirë ndëshkimet, gjobat, interesin si dhe çdo obligim tjetër që rrjedhë nga mospagesa me kohë e borxhit.

“Sipas vlerësimeve të institucioneve gjegjëse, shuma e borxhit që do të falet vlerësohet të jetë rreth 680 milionë euro; rreth 148 milionë borxh ndaj ATK-së, rreth 6 milionë borxh ndaj Doganës së Kosovës, rreth 57 milionë borxh ndaj tatimit në pronë dhe rreth 465 milionë borxh ndaj ndërmarrjeve publike”.

Edhe ekspertë për çështje ekonomike, e vlerësojnë si hap pozitiv vendimin e Qeverisë së Kosovës për faljen e borxheve.

Ymer Havolli, profesor në Fakultetin Ekonomik në Universitetin e Prishtinës, në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nga falja e borxheve në shumicën e rasteve do të përfitojnë bizneset.

“Unë e vlerësoj se është një hap i mirë i qeverisë në rrugën e krijimit të një ambienti të përshtatshëm për biznes. Është e vërtetë se më tepër është i fokusuar te bizneset, por objektiv i qeverisë janë bizneset dhe krijimi i vendeve të reja të punës".

"Objektiv i qeverisë është po ashtu që këta qytetarë të kenë mundësi nesër që të zënë vende pune në ato ndërmarrje, të cilave u falet borxhi, u hiqen disa pengesa dhe vështirësi ”, tha Havolli.

Ministri Avdullah Hoti, ndërkaq ka thënë se nga projektligji për Faljen e Borxheve Publike, do të përfitojnë kryesisht personat fizik, të cilët kanë paqëndrueshmëri në mirëqenën e tyre sociale.

Sidoqoftë, për të përfituar nga falja e borxheve sipas këtij projektligji, sipas ministrit të Financave, personat fizik dhe juridik duhet të ndjekin disa procedura.

"Qytetarët duhet të kryejnë pagesën e plotë të obligimeve për periudhën nga 1 janari 2009 deri më 31 dhjetor 2014. Atëherë, përveç faljes së tërësishme të borxhit për periudhën deri më 31 dhjetor 2008, do të përfitojnë edhe me faljen e gjobave, ndëshkimeve, interesit dhe çdo obligim tjetër", tha Hoti.

"Qytetarët mund të lidhin marrëveshje me Institucionin Shtetëror apo Ndërmarrjen Publike për pagesën e borxheve me këste për periudhën 1 janar 2009 deri më 31 dhjetor 2014".

Sipas këtij projektligji, pagesa e borxhit duhet të përfundojë brenda afatit dy vjeçar si për personat juridik dhe fizik, nga data e lidhjes së marrëveshjes.

  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG