Ndërlidhjet

logo-print

“Kur parimi bëhet jetë”


Khadija Ismayilova

Khadija Ismayilova

Shkruan: Nenad Pejiq, kryeredaktor i Radios Evropa e Lirë

Sot, më 5 qershor, bëhen gjashtë muaj prejse Khadija Ismayilova është në burg. Por, gjithaçka ka filluar shumë më herët se më 5 dhjetor të vitit 2014, kur ajo është arrestuar dhe burgosur.

Në fillim, ajo është përballur me telefonata kërcënuese, por nuk është tërhequr nga parimet e saj. Telefonatat janë pasuar me kërcënime të shëmtuara ndaj të afërmve të saj. Ajo, prapë, nuk është dorëzuar.

Khadija kishte një zgjedhje.

Ajo mund të hiqte dorë nga të shkruarit për korrupsionin dhe të mbante një profil më të ulët për një kohë. Por, nuk e bëri këtë. Ajo mund të zbuste pak pozicionin e saj. Por, nuk e bëri. Mund të shmangte disa tema më “të ndjeshme” dhe t’ia bënte vetes jetën më të lehtë, duke mos hetuar marrëveshjet e dyshimta të Azerbajxhanit “të paprekshëm”. Por, nuk e bëri as këtë. Për parimet e gazetarisë, ajo nuk do të bënte kompromis.

Autoritetet e Azerbajxhanit po ashtu janë detyruar të bëjnë një zgjedhje.

Të vazhdonin të rrisnin presionin mbi Khadijan dhe të rrezikonin kritika nga jashtë?

Të injoronin temat e saj, duke parandaluar botimin e tyre, edhe pse interneti, në fakt, i ka bërë të pamundura? Apo, në vend të kësaj, të vinin në dyshim gazetarinë e saj hulumtuese? Problemi është se nuk ka pasur asgjë çfarë të vihet në dyshim: faktet flasin për veten e tyre.

Kur në mars të vitit 2012 është shfaqur një video në internet, e cila përmbante imazhe intime të Khadijas dhe të siguruara në mënyrë të paligjshme, ka qenë e qartë se cilën rrugë kanë vendosur të marrin autoritetet: ta heshtin atë me çdo çmim. Janë angazhuar lobistë për të mbrojtur veprimet e Qeverisë së Azerbajxhanit dhe për të zbutur qëndrimet e qeverive të huaja.

Khadija, përsëri, ka treguar se është e fortë në parimet e saj. Ajo ka organizuar një konferencë për media, ka treguar incizimin dhe ka thënë: askush nuk do të më heshtë, do të vazhdoj të shkruaj për korrupsionin në vendin tim. Gjithkush – autoritetet e Azerbajxhanit mbi të gjithë – donin ta qetësonin atë. Madje, edhe në qarqet e moderuara politike ose mediatike, ajo është bërë një “ngatërrestare”.

Ajo ka publikuar më shumë raporte hulumtuese për korrupsionin zyrtar në Azerbajxhan. “E di se mund të arrestohem”, ka thënë Khadija në tetor të vitit 2014. “Nëse kjo do të ndodhë, jam gati”.

Më 5 dhjetor të vitit 2014, policia ka shkuar në apartamentin e saj dhe e ka dërguar në zyrën e prokurorit. Akuzat kanë qenë absurde: një person e ka akuzuar atë për presion për të kryer vetëvrasje.

Kur personi në fjalë ka mohuar se një gjë e tillë ka ndodhur, autoritetet në Baku kanë dalë me akuza të reja: përvetësim, sipërmarrje e paligjshme, evazion fiskal dhe abuzim i pushtetit.

Autoritetet kanë thënë se Byroja e Radios Evropa e Lirë në Baku ka kryer krime financiare, edhe pse zyra është e regjistruar ligjërisht në Baku. Po ashtu, një kontroll zyrtar i operacioneve të Radios Evropa e Lirë në vitin 2012 nuk ka gjetur prova për ndonjë keqbërje.

Kjo nuk kishte rëndësi. Zyra e REL-it në Baku është mbyllur ilegalisht më 26 dhjetor të vitit 2014. Hetuesit dhe policët e armatosur i kanë futur punëtorët në një dhomë, derisa kanë plaçkitur kasafortën e kompanisë dhe kanë konfiskuar dokumentet dhe vulat zyrtare.

Sipas urdhërit të gjykatës, kërkimi ka qenë pjesë e një hetimi të vazhdueshëm të Shërbimit të Azerbajxhanit të Radios Evropa e Lirë, në lidhje me ligjin për financimin e huaj të OJQ-së. Pjesëtarët e stafit janë liruar pas disa orëve dhe gati 20 prej tyre janë thirrur në zyrën e prokurorit për t’u marrë në pyetje. Disa prej tyre nuk janë më në Baku.

Ata që duan të raportojnë për Radion Evropa e Lirë nuk mund të paguhen për kontributet e tyre, sepse llogaritë e tyre bankare janë ngrirë.

Khadija Ismayilova ka bërë zgjedhjen e saj. Ajo ka vendosur të sakrifikojë lirinë e saj për parimet e gazetarisë. “Mos bëni kompromis në emrin tim, ju lutem”. Ky ka qenë mesazhi i saj për Radion Evropa e Lirë, dy muaj më parë.

Qeveria e Azerbajxhanit ka bërë zgjedhjen e saj po ashtu: ka heshtur Khadijan dhe ka mbyllur operacionet e Radios Evropa e Lirë në Baku.

Edhe Radio Evropa e Lirë ka bërë një zgjedhje. Qëdrojmë me Khadijan dhe kolegët e tjerë nga Azerbajxhani. Kurdo që të vijë momenti, Khadija do të fitojë. Ajo e di më mirë se çdokush çmimin e asaj fitoreje. Çmimet që ka fituar, derisa është në burg, nga Qendra Amerikane PEN, Press Klubi Suedez dhe Press Klubi Kombëtar i SHBA-së, e kanë ndihmuar të jetë e fortë.

Në Radion Evropa e Lirë, e ndjejmë dhembjen e Khadijas, pasi shumë kolegë të tjerë kanë vuajtur dhe disa kanë humbur jetët e tyre. Dhembja e tillë është pjesë e jetës së përditshme të Radios Evropa e Lirë. Shumë regjime dhe grupe ekstremiste kanë provuar të heshtin Radion Evropa e Lirë – askush nuk ka mundur dhe nuk do të mundet.

Përgatiti: Valona Tela
XS
SM
MD
LG