Ndërlidhjet

Nën presionin e kritikave, Obama shton praninë në Irak


Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.
Presidenti i SHBA-së, Barack Obama.

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Barack Obama, nën presionin e kritikave se ai nuk ka një strategji të plotë për të luftuar grupin ekstremist të Shtetit Islamik (IS), pritet që së shpejti të urdhërojë rritjen e numrit të forcave amerikane në Irak.

Shtëpia e Bardhë është duke konsideruar dërgimin e 1,000 trajnerëve dhe këshilltarëve shtesë, për të ndihmuar forcat irakiane.

Për akomodimin e trupave shtesë, administrata është duke konsideruar gjithashtu ngritjen e një baze të re ushtarake në provincën Anbar të Irakut.

Pavarësisht të nxehtit politik që ndjen Obama në lidhje me strategjinë në Irak, e cila deri më tani ka dështuar të parandalojë Shtetin Islamik nga pushtimi i territoreve të reja, zgjerimi modest ushtarak është zgjedhja më e përshtatme në mesin e opsioneve që po peshon presidenti, kanë thënë zyrtarët amerikanë.

Fitoret e fundit të Shtetit Islamik në Ramadi të Irakut dhe Plamira të Sirisë kanë vënë në dyshim strategjinë e sulmeve ajrore të SHBA-së.

“Është dështim i udhëheqjes”, ka thënë Rick Perry, kandidat i Republikanëve për president. “Nëse unë do të isha komandant i përgjithshëm, nuk do të kalonin nëntë muaj duke punuar me liderët tanë ushtarakë për të zhvilluar një strategji të plotë për të shkatërruar Shtetin Islamik”, ka thënë ai.

Në përgjigje të kritikave në rritje dhe lutjeve për ndihmë nga Iraku, Pengatoni ka hartuar plane për të rritur misionin ekzistues, në vend se të nisë një qasje të re.

Kemi vendosur se është më mirë që të trajnojmë më shumë forca irakiane të sigurisë. Sepse, forcat që kemi trajnuar, janë duke kryer punën e tyre më mirë seç pritej. Mendojmë se është në interesin e secilit që të trajnojmë më shumë”, ka thënë zëdhënësi i Pentagonit, koloneli Steven Warren.

Misioni i tanishëm i SHBA-së përbëhet nga rreth 3,000 këshilltarë dhe trajnues.

Deri më tani, Bagdadi ka mbikëqyrur trajnimin e luftëtarëve sunitë, të cilët shihen si çelësi i fitores në Ramadi dhe në provincën Anbar të banuar me shumicë sunite.

Tani, administrata Obama do të ketë trupa amerikane të përfshira direkt në trajnimin e vullnetarëve sunitë, ndërsa dërgesat e armëve do të vazhojnë të rrjedhin përmes qeverisë qendrore të Irakut.

Pas takimit me kryeministrin e Irakut, Haidar al-Abadi, të hënën në Gjermani, presidenti Obama ka thënë se pala irakiane duhet të tregojë se ndihma shtesë e Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të tjerë bën punë.

Koalicioni, i udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara, ka trajnuar deri më tash 8,920 trupa irakiane.

Warren ka thënë se trupat e trajnuara janë vendosur në Samara, në veri të Bagdadit, dhe në al-Karman, në provincën Anbar.

Militantët e Shtetit Islamik, të cilët praktikojnë një formë radikale të Islamit sunit, kanë pushtuar territore të mëdha edhe në Siri. (v.tela)

XS
SM
MD
LG