Ndërlidhjet

Maqedoni: Partitë politike, pa influencë në bisedime


Ilustrim

Ilustrim

Njohësit e çështjeve politike në Maqedoni thonë se partitë politike shqiptare në tryezën e bisedimeve mes katër partive politike dhe ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar, në tentim për të gjetur një zgjidhje për krizën politike, paraqesin vetëm dekor.

Madje, në shumë raste, mbështetja e tyre ndaj kryeministrit Nikolla Gruevski, sipas njohësve të çështjeve politike në Maqedoni, rrënon ekuilibrin e bisedimeve.

Ali Pajaziti, sociolog, konsideron se të gjitha performancat flasin se dy partitë politike shqiptare nuk janë faktor, por në tryezën e bisedimeve janë vetëm statistë dhe në asnjë rast deri më tani nuk janë paraqitur si element kyç gjatë bisedimeve për të zhbllokuar krizën politike, e cila e ka kapluar vendin, e jo më të artikulojnë kërkesat e shqiptarëve të Maqedonisë.

“Partitë politike shqiptare në Maqedoni duhet të jenë më aktive, sepse ata përfaqësojnë një të tretën e popullatës së Maqedonisë, dhe nëse dëshirojnë që realisht shqiptarët me ta ose pa ta,në të ardhmen të kenë hisen e tyre në rrjedhat politike, ata e kanë për obligim që ta tërheqin perin në momentet e nevojshme dhe jo të lejojnë që LSDM dhe VMRO DPMNE të jenë si elemente të komponentës determinuese të politikës, përkatësisht ardhmërisë së Maqedonisë”, konsideron Pajaziti, duke shtuar se:

“Në këtë moment, ata sillen me shumë komoditet thuajse problemi për krizën politike në Maqedoni, qëndron vetëm te pala maqedonase dhe çështja mund të ecë para ose prapa, qoftë me shqiptarët ose pa ta. De facto shqiptarët janë lënë anash dhe shërbejnë vetëm si vazo dekori për të thënë se, ja edhe shqiptarët janë prezent në bisedime, por realisht ata s`kanë aspak ndikim në bisedimet që zhvillohen për zgjidhjen e kizës politike”.

Nga ana tjetër, Ismet Ramadani, kryetar i Këshillit Euro-atlantik konsideron se partitë politike shqiptare, BDI dhe PDSH, krijuan disbalancë në tryezën e negociatave të katër liderëve politikë me ndërmjetësimin e faktorit ndërkombëtar në Bruksel, me atë që ata mbështetën qëndrimet e Gruevskit.

“Me vetë faktin se këto dy parti, përkatësisht lideri i BDI-së dhe ai PDSH-së e përkrahën kryeministrin Nikolla Gruevski në bisedime, gjegjësisht e fuqizojnë atë për të bërë rezistencë dhe nga këtu del se partitë politike shqiptare të përfshira në bisedime, më shumë janë të interesuara për fatin e vet dhe në një mënyrë ata përkrahin një opsion politik, i cili nuk shkon në drejtim të interesave të shqiptarëve”, vlerëson Ramadani.

Ai shton se me vetë faktin që të gjitha anketat, po edhe perceptimi i përgjithshëm i shqiptarëve të Maqedonisë është se Nikolla Gruevski nuk duhet të jetë në qeveri, ndërkohë që liderët politikë me veprimet e tyre qartazi lënë të nënkuptohet se janë në përkrahje të Gruevskit, paraqesin pengesë për procesin dhe jo ndihmesë.

Në këtë rast ata (liderët e partive politike shqiptare, Ali Ahmeti nga Bashkimi Demokratik për Inegrim dhe Menduh Thaçi nga Partia Demokratike Shqiptare ) më shumë e pengojnë arritjen e një marrëveshjeje për të dalë nga kjo situatë, e cila ka karakter edhe të krizës politike dhe në disa segmente edhe të krizës së sigurisë. Pra, thënë me një fjalë, ata nuk japin kontributin e duhur për të dalë vendi nga kriza, por janë fokusuar në interesat e tyre personale dhe partiake”, thekson Ramadani.

Raundi i ri i bisedimeve për zhbllokimin e krizës politike në Maqedoni ndërmjet katër liderëve të partive politike pritet të realizohet në fillim të javës së ardhshme.

XS
SM
MD
LG