Ndërlidhjet

"Parku i paqes” dhe paqja e brishtë


Parku i Paqes në Mitrovicë

Parku i Paqes në Mitrovicë

Barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, në urën kryesore mbi lumin Ibër, që ndan pjesën jugore dhe veriore të Mitrovicës, që nga vendosja e saj, po pengon qarkullimin e lirë të qytetarëve dhe mallrave.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës, kanë paralajmëruar se në takimin e dy kryeministrave, të Kosovës dhe Serbisë, që pritet të mbahet më 23 qershor në Bruksel, në kuadër të dialogut Kosovë - Serbi, me ndërmjetësimin e përfaqësueses së lartë për politikë të jashtme dhe siguri të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, ndër temat që do të diskutohen, pritet të jetë edhe çështja e të ashtuquajturit “Parku i paqes”.

Valon Murtezaj, këshilltar për çështje të jashtme i kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafa, thotë për Radion Evropa e Lirë se në takimin e 23 qershorit, do të diskutohet për një varg temash, për të cilat, sipas tij, është dashur të arrihet përparim në zbatimin e tyre, pasi që ato janë pjesë e marrëveshjeve të arritura deri më tash.

Siç thotë ai, një nga këto tema është edhe çështja e lëvizjes së lirë.

“Këtu hyn edhe pjesa e urës së Ibrit, pra, heqja e barrikadës. Pastaj, zhbërja e plotë e strukturave paralele të sigurisë apo të strukturave paralele që e pengojnë lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe mallrave në disa pjesë të Kosovës. Pra, në rastin konkret, në urën e Ibrit”, thekson Murtezaj.

Arritja e kësaj teme, si çështje për t’u diskutuar në kuadër të bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, po ndodh për shkak se barrikada mbi urën kryesor mbi lumin Ibër, në vazhdimësi është parë si problem politik dhe i tillë vazhdon të jetë tash e një vit, duke qenë një pykë për paqen e brishtë në qytetin e Mitrovicës.

Çfarë e bëri “Parkun e paqes” problem politik?

Kjo barrikadë, është vendosur më 18 qershor të vitit 2014, vetëm disa orë pas heqjes së barrikadës së mëparshme me rërë dhe gurë, nga ana e autoriteteve lokale të Mitrovicës së veriut, si dhe me mbështetjen dhe në praninë e autoriteteve të Serbisë.

Përderisa drejtuesit serbë të pushtetit lokal në Mitrovicën e veriut e patën vlerësuar të ashtuquajturin “Parku i paqes” jo si barrikadë, por si dorë e zgjatur për pajtim ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve në Mitrovicë, në anën tjetër, institucionet e Kosovës patën reaguar duke thënë se “barrikada e mëparshme është zëvendësuar me një të re, por vetëm me pamje tjetër” dhe se ky veprim e shkel marrëveshjen për qarkullimin e lirë, të arritur në dialogun në Bruksel, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Më 18 qershor, të vitit 2014, kur edhe u vendos barrikada e ashtuquajtur “Parku i paqes”, Goran Rakiq, kryetar i komunës së Mitrovicës së veriut, pati theksuar se vendimi për ndërtimin e parkut mbi urë është marrë në konsultim me qeverinë e Serbisë.

“Sa i përket urës kryesore, edhe më tutje automjetet nuk do të mund të kalojnë aty”, pati theksuar Rakiq.

Reagimet e autoriteteve të larta të Kosovës, patën pasuar menjëherë, duke e dënuar vendosjen e siç e patën quajtur “barrikadës së re”. Por, në javën e fundit të korrikut të vitit 2014, Zyra e kryeministrit të Kosovës, përmes një komunikate, pati theksuar se duke u mbështetur në një propozim të Bashkimit Evropian, palët janë pajtuar për heqjen e barrikadave dhe revitalizimin e urës mbi Ibër në një proces gradual.

Në anën tjetër, autoritetet e Serbisë, patën theksuar se i ashtuquajturi “Parku i paqes” do të mbetet aty ku është.

Më 23 korrik të vitit 2014, përfaqësuesi i palës serbe në bisedime me Kosovën, Marko Gjuriq, pati thënë se nuk ka kurrfarë marrëveshje për heqjen e parkut mbi urën e Ibrit, të cilin Prishtina e vlerëson si barrikadë.

“Jemi marrë vesh që ‘Parku i paqes’ të mbetet dhe, po ashtu, jemi marrë vesh që të bëhet një vlerësim teknik vizual i urës gjatë javëve në vijim”, pati thënë Gjuriq.

Ai, edhe në dhjetor të vitit të kaluar, pati thënë se “Parku i Paqes” në Urën e Ibrit në Mitrovicë nuk do të hiqet derisa të mos gjendet një zgjidhje e pranueshme edhe për palën serbe, edhe për palën shqiptare në atë qytet

"Deri në gjetjen e kësaj zgjidhjeje asgjë nuk do të preket”, pati thënë Gjuriq.

“Barra” mbi autoritet lokale

Më 10 shkurt të vitit 2015, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në takimin me kryeministrin serb Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut nëBruksel, ndër të tjera patikërkuar hapjen e urës qendrore mbi lumin Ibër në qytetin e Mitrovicës dhe largimin e barrikadës të quajtur "Parku i paqes".

Më pas, të dy kryetarët e komunave të Mitrovicës, Agim Bahtiri i komunës jugore dhe Goran Rakiq i komunës veriore, patë deklaruar se kanë marrë mbi vete obligimin që të gjejnë një zgjidhje për heqjen e barrikadës “Parku i paqes”.

Së fundmi, javë më parë, Bahtiri, në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, paralajmëron se së shpejti do të hiqet barrikada e e ashtuquajtur “Parku i paqes”.

“Unë po shpresoj që shumë shpejt atë urë më nuk do ta kemi të mbyllur dhe do të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme. Unë nuk dëshiroj të jap data, por po them, së shpejti”, thekson Bahtiri.

Më pas, Rakiq, duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se çështja e “Parkut të paqes” është politizuar shumë dhe ajo nxitë reagime nga të dyja anët, të njerëzve që jetojnë në jug dhe në veri të lumit Ibër.

"Prandaj, do të ishte mirë që për këtë ‘park’ të mos flitet shumë qoftë nëpër medie apo në nivelet e larta. Duhet lejuar që procesi të ndodhë dhe të arrihet një mirëbesim, para së gjithash, i qytetarëve, i cili është humbur moti, e më pas gjërat mund të zgjidhet në teren shumë më lehtë”, thotë Rakiq.

Ai shton se çelësi për zgjidhjen e të gjitha çështjeve që u përkasin komunave të veriut dhe të jugut të Mitrovicës, është që gjërat të rrjedhin.

Ndërkaq, Bahtiri, e konfirmon se ai dhe Rakiq janë në kontakt të përhershëm dhe se takohen çdo javë.

“Ne dëshirojmë që ty kryejmë punët pa ndonjë influencë të madhe të politikës. Unë po shpresoj - kështu kanë marrë vendim edhe BE-ja, por edhe institucionet e Kosovës- që të na lënë neve, të dy kryetarët, që ta heqim atë ‘Park të paqes’. Nuk na duhet asnjë urë e bllokuar, sepse urat bëhen për t’i bashkuar njerëzit dhe për lëvizje të lirë, e jo për t’i bllokuar”, thekson Bahtiri.

“Parku i paqes”, çështje e niveleve të larta

Por, Adrijana Hoxhiq, shefe e Zyrës Administrative të Qeverisë së Kosovës në veri, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se nuk ka informata se të dy kryetarët, Bahtiri dhe Rakiq, kanë arritur deri në atë pikë që të merren vesh për largimin e të ashtuquajturit “Parku i paqes”.

“Të jem e sinqertë, çështja e barrikadës në formë të ‘Parkut të paqes’, unë nuk e besoj se është një gjë që do të zhvillohet dhe rregullohet vetëm nga ana e dy kryetarëve. Ura kryesore (mbi lumin Ibër) është politizuar dhe kjo çështje do të rregullohet nga niveli i lartë, por mund të prezantohet sikur një zgjidhje, të cilën e kanë bërë të dy kryetarët, të Mitrovicës veriore dhe të Mitrovicës së jugut”, ka thënë Hoxhiq.

Edhe këshilltari i kryeministrit Mustafa, Valon Murtezaj, thotë se çështja e heqjes së barrikadës “Parku i paqes”, nuk është barrë e vetëm dy kryetarëve të komunave të Mitrovicës, të asaj veriore dhe jugore.

“Jo, kjo është çështje më komplekse dhe për të cilën një numër më i madh i institucioneve kanë për të thënë ose për të marrë vendime. Natyrisht, rolin kryesor këtu duhet ta kenë institucionet e Kosovës, bashkë me Bashkimin Evropian, në mënyrë që të zbatohen marrëveshjet e arritura dhe të zbatohet kushtetutshmëria në secilën pjesë të Kosovës”.

“ Kjo është esenca pse edhe po bëhet dialogu. Pra, që të shtrihet sovraniteti në të gjitha pjesët e Kosovës dhe në të njëjtën kohë të ketë ligjshmëri dhe zbatim të ligjeve në të gjitha pjesët e Kosovës”, thekson Murtezaj.

Ai shton se edhe më herët janë arritur marrëveshje që të hiqen barrikadat dhe takimi i dy kryeministrave, Mustafa dhe Vuçiq, do të jetë një moment i mirë për të shikuar se çfarë është zbatuar dhe çfarë jo nga ato marrëveshje.

Pala e Kosovës, sipas tij, është këmbëngulëse që të zbatohen marrëveshjet, përshirë edhe lëvizjen e lirë e cila është një nga gjërat esenciale të frymës evropiane. Në këtë kontekst, siç tha ai, një nga lëvizjet e pra që do të duhej të bëhej, është largimi i barrikadës në urën e Ibrit.

Barrikada e ashtuquajtur Parku i paqes” ka zëvendësuar barrikadën e mëparshme me rërë e gurë në urën kryesore mbi lumin Ibër , që ishte vendosur nga banorët lokalserbë në korrik të vitit 2011, në shenjë kundërshtimi ndaj përpjekjeve të Prishtinës zyrtare për të vendosur autoritetin në veri të vendit dhe për të marrë nën kontroll pikat kufitare 1 dhe 31, në kufi me Serbinë.

  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG