Ndërlidhjet

Gjatë gjysmës së parë të vitit 2015, periudhën janar-qershor, në Kosovë janë braktisur 21 fëmijë. Gjatë vitit 2014 kanë qenë të braktisur 45 fëmijë, derisa në vitin 2013 gjithsej 52 fëmijë.

Sipas zyrtarëve shëndetësorë tash për tash në qendrën Klinike Universitare të Kosovës janë tre fëmijë të braktisur, të cilët ende qëndrojnë në repartin neonatologjik.

Zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se mbrojtja e fëmijëve pa përkujdesje prindërore, është mandat ligjor i Qendrës për Punë Sociale.

Magbule Koci, zyrtare në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se të drejtën e adoptimit e kanë të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, por edhe ndërkombëtarët.

“Në bazë të dhënave që kemi pranuar, janë evidentuar 21 fëmijë të braktisur gjatë këtij viti. Në kuadër të politikave sociale, si forma të mbrojtjes së fëmijëve, gjatë këtij viti në strehim familjar janë vendosur 24 raste të reja të fëmijëve të braktisur”.

“Ndërkaq muaji maj është përmbyllur me 60 fëmijë në strehim familjar; prej tyre 39 fëmijë janë të braktisur ndërkaq 21 fëmijë për arsye të ndryshme kanë mbetur pa përkujdesje të prindërve. Këta fëmijë janë të strehuar në 36 familje strehuese, familje të cilat janë të trajnuara në kuadër të qendrave për punë sociale”, bën të ditur Koci.

Zonja Koci shton se edhe në SOS Fshatin e Fëmijëve, institucion i cili strehon fëmijë të braktisur, janë 19 fëmijë që presin të zgjidhet statusi i tyre.

“Sa i përket strehimit të përkohshëm rezidencial, ne kemi marrëveshje me SOS Fshatin e Fëmijëve ku aktualisht të strehuar janë 19 fëmijë, prej të cilëve disa janë bartur edhe nga viti i kaluar, të cilët përkohësisht qëndrojnë në shtëpitë e SOS fshatrave, derisa pas zgjidhjes së statusit, ata kalojnë qoftë në strehim familjar të përkohshëm apo adoptim”, thotë Koci.

Psikologët në vend thonë se rëndësia e birësimit deri në moshën njëvjeçare, është shumë e madhe.

Donjeta Kelmendi, drejtoreshë e Koalicionit të Organizatave Joqeveritare për Mbrojtjen e Fëmijëve, (KOMF), ka thënë se tashmë kanë ngritur disa shqetësime dhe kanë dhënë rekomandime rreth fëmijëve të braktisur.

“Si një nga pikat që ne eadresojmë është se fëmijët duhet të rriten në një ambient familjar. Strehimi familjar është formë e përkohshme e strehimit, dhe fëmija qëndron në familje derisa të bashkohet me prindër biologjik, apo deri në adoptim. Në Kosovë duhet të rriten familjet strehuese, sepse janë rreth 40 familje strehuese, që nuk mjaftojnë”, thotë Kelmendi.

Familjet strehuese nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale marrin nga 150 euro në muaj, për t’u kujdesur për fëmijët e strehuar.

Sidoqoftë gjatë këtij viti janë trajtuar 16 raste për adoptim nga qytetar vendas të Kosovës, dhe 5 raste për ndërkombëtarët.

Sipas legjislacionit të aplikueshëm nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, një fëmijë mund të adoptohet jashtë vendit, në rast të konsumimit të të gjitha mundësive të adoptimit të fëmijës brenda Kosovës.

Ndryshe, sipas zyrtarëve në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, në Kosovë numri i fëmijëve të braktisur është më i vogël se kërkesat për adoptim.

  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG